Pavarësia de fakto e Kosovës është 12 Qershori 1999

                       Pavarësia de fakto e Kosovës është 12 Qershori 1999

Nga Skënder S.KAPITI

Muaji Qershori  i vitit 2017  në Shqipëri dhe në Kosovë: për botën politike dhe  të pushtetit, por edhe atë akademike, mediatike dhe të shoqërisë civile shqiptare të cilat janë  mbërthyer nga edhet politike të fushatës elektorale të mashtrimeve e gënjeshtave politike për të fituar pushtetin duke i lënë pothuajse në harresë të plotë: Ngjarjen më madhështore të historisë sonë kombëtare, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit të 10 Qershorit 1878, dhe 12 Qershorin e vitit 1999, Ditën e Çlirimit të Kosovës që është Pavarësia de fakto e saj.

Pothuajse asnjë parti  politike apo kandidat për deputet nuk i ka përmëndur këto dy ngjarje gjatë fushatës elektorale dhe jo më t’u besohet atyre se do të interesohen për mirëqeverisje dhe për politikë në interes të publikut dhe të kombit këta injorantë dhe interesaxhinj, përderisa ata nuk janë mirënjohës të sakrificave të mëdha që kanë bërë brezat për kombin dhe për dy shtetet shqiptare.

Kjo tregon pra se sa e interesuar dhe e ndjeshme është politika shqiptare për ngjarje të tilla të mëdha  me rëndësi  të jashtëzakonshme kombëtare, ku pushtetit dhe politikës aktuale shqiptare si në Shqipëri dhe në Kosovë më shumë se çdo gjë tjetër  u intereson vetëm interesi i personal politik  dhe ai pushtetit.

Në historinë tonë kombëtare çdo datë kalendarike ka shënuar në Kosovë një ngjarje të madhe kombëtare, dhe çdo derë shqiptare kosovare ka dhënë dëshmorë për kombin. Me 12 Qersor 1999 forcat ushtarake të NATO-s të udhëhequra nga SHBA hynë në Kosovë dhe kjo është Dita e Madhe e Lirisë së Kosovës, pasi u dëbuan forcat policoro-ushtarake serbe nga Kosova dhe njëkohësisht mori fund dhe sundimi administrativo-kolonialist i Serbisë mbi Kosovën. Popujt të cilët lirinë e kanë fituar me sakrifica dhe luftë, festën kombëtare e kanë Ditën e çlirimit. Pra festa kombëtare  Kosovës është de fakto 12 Qershori 1999, ndërsa 17 Shkurti 2008 është shpallja shumë e vonuar e Deklaratës së Pavarësisë që është pasojë e gabimit të faktorit politiko-ushtarak të Kosovës.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës me 17 Shkurt 2008 ishte faktikisht më së realshmi Njohja Ndërkombëtare e Pavarësisë dhe e Shtetit të Kosovës që u çlirua dhe u pavarësua me 12 Qershor 1999.

Si Deklaratë Pavarësie apo si prelud i saj shërben edhe Deklarata e Pavarësisë që njihet si e tillë, Deklarata Kushtetuese e ishdelegatëve të Kuvëndit të Kosovës me 2 Korrik 1990 për Pavarësi shtetërore dhe territoriale nga Serbia, që ishte sakrifica dhe sfida më e guximshme politike e asaj kohe  kundër regjimit ushtarako-policor barbar serb, regjim i cili fshiu edhe Statusin e Kosovës si Krahinë Autonome. Ky akt heroik i deputetëve të Kosovës së asaj kohe ishte sa patriotik së pari aq edhe demokratik dhe vizionar, pasi shpërbërja e ngrehinës Jugosllavi ishte e pashmangshme dhe Statusi i Kosovës si shtet dhe Republikë automatikisht i jipte të drejtën e Pavarësisë Kosovës dhe shkëputjen si nga Serbia së pari por edhe nga Jugosllavia ashtu siç vepruan Sllovenia, Kroacia e Maqedonia. Pra Pavarësia e vitit 2008 ishte vijimësia dhe kurorëzimi i luftës një shekullore të popullit shqiptar të Kosovës kundër kolonizatorit serb; periudhë e cila ka brënda diapazonit kohor  saj edhe atë të  rezistencën paqësore rugoviane e  që kulmoi me Luftën e Lavdishme heroike të UҪK-së si dhe me ndërhyrjen vendimtare ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA që e çliroi Kosovën me 12 Qershor 1999, Luftë   e cila pra e vulosi ndarjen përfundimtare të Kosovës nga Serbia, dëbimin përfundimtar dhe dhënien fund të sundimit kolonialist serb mbi Kosovë, pra de fakto kjo është dhe vetë Pavarësia e Kosovës dhe ngjarje më e rëndësishme Kombëtare e saj.

Pikërisht, po atë ditë me 2 Korrik 1990 ndoshta dhe  jo rastësisht në Shqipëri ndodhi shpëthimi dhe dyndja e shqiptarëve të Shqipërisë nëpër Ambasadat e shteteve Europiane, akt i cili eklipsoi Shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe opinioni botëror e spostoi vëmëndjen me atë se çfarë po ndodhte në Shqipëri dhe i la dorë të lirë regjimit serb të përdorte shtypjen dhe persekutimin mbi shqiptarët e Kosovës. Dhe nuk është rastësi as  fakti tjetër që në kulmin e represionit serb mbi Kosovë, në Shqipëri ndodhën ngjarjet katastrofike e vitit 1997 dhe ato të vitit 1998 të gati të shpërthimit të një lufte qytetare në Shqipëri pikërisht në kohën kur në Kosovë regjimi i Millosheviçit kishte  8 vite që bënte genocidin dhe pastrimin etnik të  heshtur e ”paqësor”; dhe pikërisht në kohën kur në Kosovë  po shpërthente pashmangshmërisht Lufta çlirimtare për lirinë dhe pavarësinë përfundimtare të Kosovës nga Serbia. Prej kesaj politike të pastrimit te heshtur etnik të Kosovës pati përfitues të mëdhenj kontrobanda dhe trafikantët e qënieve njerëzore te politikës dhe të pushtetit të atëhershëm në Shqipëri ashtu sikurse me kontrabandën dhe shkeljen e embargos së karburanteve, pra e marrëdhënieve të errëta  me Malin e Zi dhe me Serbinë ; ashtu sikurse dhe tërë periudha e regjimit komunist që gjithë “ndihmesa” për Kosovën dhe çështjen e saj ishin disa “kërcënime”e  shkrime “bombastike”në gazetën e Partisë Punës Shqipërisë, “Zëri i Popullit”.

Patriotizmi  i periudhës së enverizmit ishte i burgosur brenda kornizës ideologjike marksist-leniniste; regjimit të internacionalizmit proletar dhe revolucionit internacionalist; regjim që harxhonte miliona dollarë për propagandë ideologjike dhe financime të parave të popullit të varfër të Shqipërisë për grupe dhe organizata botërore marksist-leniniste. Regjimi komunist në Shqipëri që i bëri gjëmën vetë Shqipërisë e si mund ta ndihmonte çështjen kombëtare të Kosovës kur ai e kishte shpallur armik të tij Perëndimin demokratik europian dhe SHBA-në të cilët e çliruan Kosovën me 12 Qershor të  vitit 1999?

Këto  fakte dhe shumë të tjera si keto ka akoma, po i përmënd këtu për të treguar madhështinë e rrallë të luftës dhe rezistencës së pashoqe të popullit martir shqiptar të Kosovës për Liri dhe Pavarësi, luftën gati një shekullore edhe për të bindur Europën fajtore për padrejtësitë që i kishte bërë edhe ajo Kosovës; luftë e përpjekje mbinjerëzore të shqiptarëve të Kosovës për Liri e Pavarësi edhe pse politika e Shtetit shqiptar nuk ka treguar interesimin, përkrahjen dhe vëmendjen e duhur për shqiptarët jasht Shqipërisë londineze, pse jo në shumë raste e në vazhdimësi politika e Tiranës me indiferentizmin e saj dhe për interesa të ngushta politike, ideologjike dhe pushteti personal edhe i ka bërë dëme të mëdha çështjes kombëtare të shqiptarëve të Kosovës, dhe jo vetëm të Kosovës por edhe të vetë Shtetit shqiptar madje.

Me Deklaratë Pavarësie kuptohet sqarimi pse një komb shpall Pavarësinë ashtu siç bënë amerikanët me 4 Korrik të vitit 1776, dhe më pas meqenëse Britanikët nuk e pranuan Pavarësinë atëhere u zhvillua lufta për Pavarësi. Por, në Kosovë përderisa lufta çlirimtare e UÇK-së dhe e NATO-s e çliruan Kosovën nga pushtuesi dhe barbarizmi kriminal serb, nuk ishte aspak e nevojshme as të vonohej dhe as të pritej 9 vite që të shpallej formalisht Pavarësia, pasi vetë ndëkombëtarizimi dhe ndërhyrja vendimtare ushtarake e NATO-s e kishte “sqaruar”mirë   si Rusinë e atëhershme ashtu si edhe Serbinë shoviniste dhe miqtë e tjerë të saj se Serbia e  kishte humbur sovranitetin  mbi Kosovën, pasi me Kosovën Serbia ka qene në luftë pothuajse 100 vite, se  Serbia e kishte humbur edhe betejën paqësore të paraluftës me  Kosovën e udhëhequr nga I. Rugova.

Faktori ushtarak dhe politik i Kosovës po edhe i Shqipërisë duhej ta shfrytëzonin këtë shans të  artë historik që u erdhi nga përkrahja e SHBA dhe e Europës demokratike dhe ta shpallnin Pavarësinë e Kosovës menjëherë sapo Kosova u çlirua nga sundimi serb; faktori ushtarako-politik shqiptar ashtu siç veproi kompaktësisht në Rambuje duhej ta shfrytëzonte në maksimum faktin e rrënimit ushtarak, politik e diplomatik të Serbisë si dhe diskreditimin ndërkombëtar të saj si shtet terrorist, kriminal dhe genocidist dhe se Serbia akoma kishte atëhere në pushtet Milosheviçin; dhe shansi tjetër ishte fakti se në Rusi ishte në pushtet Boris Jelcin, një demokrat që nuk kishte marrëdhënie të mira me regjimin e Millosheviçit.

Politikanët shqiptarë në atë kohë nuk duhej t’i mbërthente euforia, as përçarja politike dhe as synimet e interesat e ngushta personale për pushtet, por duhej ta projektonin strategjinë e menjëherëshme  për shpalljen e Pavarësisë, pasi kishte potencialet edhe ushtarake ,edhe politike edhe diplomatike për ta ndërmarrë këtë veprim.Edhe poqese  ndërkombëtarët atëhere nuk do të ishin dakord, por e them me bindje se kjo për ata do të kishte qene e përkohshme dhe shumë shpejt do ta kishin pranuar edhe ata Shpalljen e Pavarësisë menjëherë pas çlirimit të Kosovës, pasi Serbia e mundur dhe e dobësuar dhe shumë e diskredituar botërisht nuk kishte as besimin dhe as takatën për të kundërshtuar dhe jo më për të lobuar kundër Pavarësisë  së Kosovës. Bindja ime se edhe shtetet kryesore perëndimore  do ta njihnin Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës edhe sikur shqiptarët do ta shpallnin atë më vjen prej asaj se pas shpalljes formale të saj me 17 Shkurt 2008, menjëherë zinxhir dhe në një kohë rekord ajo u njoh nga pjesa më e madhe e shteteve të kombeve demokratike. Këtë mendim unë e kam pasur që atëhere dhe madje ua kam pasë thënë edhe shumë atyre që u bënë politikanë dhe pushtetarë karriere pastaj në Kosovën e çliruar të pas 12 Qershorit 1999.

Kosova për 9 vite ishte pjesë e administrimit ndërkombëtar, kështu pra, kryesisht për fajet, për paaftësinë dhe për papërgjegjshmërinë dhe për pa strategjinë kombëtare të politikës shqiptare në përgjithësi që nuk diti që ta shfrytëzojë si duhet këtë shans të madh historik, por i dha mundësinë dhe kohën Serbisë që të rikuperohet e të kalojë në ofensivë paqësore por siç a ka historikisht zakon me shpifje, intriga, me fabrikime e falsifikime akuzash kundër luftës dhe sakrificave të mëdha të shqiptarëve të Kosovës me qëllim për të penguar si shpalljen e pavarësisë ashtu dhe duke lobuar e penguar njohjet ndërkombëtare të saj.

Edhe ndërkombëtarët , NATO dhe SHBA, që e çliruan Kosovën gabuan rëndë dhe u vetëmashtruan se duke e vonuar dhe penguar Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës sapo u çlirua ajo me 12 Qershor 1999, pasi  ata shpresonin se do t’i mbushej mendja Serbisë për ta pranuar më pastaj Pavarësinë e Kosovës se demokratizuar. Por fajin kryesor për këtë gabim e kanë politikanët shqiptare se ata duhet të ishin më të  interesuar për interesin kombëtar shqiptar, për shpalljen në atë moment të Pavarësinë, pasi askush tjetër në Botë nuk i njeh mashtrimet, spekulimet, intrigat, shtirjet, gënjeshtrat e serbëve ashtu si dhe krimet dhe barbarizmat e tyre më mirë se sa shqiptarët e Kosovës që e kanë pësuar nga kolonizatori serb që prej vitit 1912. Vonesat si në kryerjen e  veprimeve kombëtare dhe të reformave demokratike  edhe sot si në Shqipëri dhe në Kosovë  i kanë lënë shqiptarët jasht dyerve të integrimit europian akoma,dhe kjo  krejtesisht per fajet e politikaneve shqiptare.

Nga Skënder S.KAPITI