Patriotizmi i politikanëve shqiptarë është nacional-hajdutokracia

Patriotizmi i politikanëve shqiptarë është nacional-hajdutokracia

Nga Skënder S.KAPITI

Me koncept nacional, kombëtar dhe patriotik  shumica dërrmuese e politikanëve  dhe pshtetarëve shqiptarë kuptojnë të drejtën e tyre për të manipuluar dhe spekuluar me të drejtën shtetërore, me patriotizmin,me votën dhe me pushtetin; kuptojnë dhe veprojnë me të drejtën  për të vjedhur dhe grabitur pasuritë nacional-kombëtare, kuptojnë të drejtën për ta kapur shtetin dhe pushtetin me çdo lloj mjeti korruptiv e matrapazllëku, kuptojnë  dhe veprojnë duke i atribuar vetes së tyre të drejtën për të bërë vjedhjen, ligjin dhe korrupsionin në dëm të interesave dhe të imazhit kombëtar.

Kur politikanët  “e mëdhenj “ shqiptarë dështojnë, kur realiteti ua çjerr maskën e mashtrimeve dhe të gënjeshtrave, dhe ua nxjerr zbuluar korrupsionin, lidhjet me krimin , me drogën, me kontrabandën , me vjedhjen etj. atëhere ata  i referohen retorikës patriotike, nacionalizmit.

Pra, kemi prej tyre tentimin apo orvajtjen për të fshehur dhe maskuar, kleptokracinë, korrupsionokracinë apo korporatokracinë kriminale të tyre me maskën e nacionalizmit.

Këtë e bëjnë për të mashtruar opinionin e brëndshëm si dhe për t’ua “tërhequr” vëmëndjen dhe në një farë mase synojnë me demek për ta “frikësuar” Perëndimin se ata janë potent dhe se kanë mbështetje popullore, pra synojnë  për të mashtruar dhe krijuar edhe te ndërkombëtarët imazhin e  liderve kombëtarë.

Këta politikanë janë dështakët më të mëdhenj të periudhës së tranzicionit si në Shqipëri dhe në Kosovë.

Ata ,dhe vetëm ata janë përgjegjësit kryesorë që Shqipëria dhe Kosova politikisht dhe diplomatikisht kanë dështuar në integrimin e brendshëm dhe në BE,  në ndërtimin e shtetit ligjor. Ata, dhe kryesisht ata, janë shkaktarët e korrupsionit, të varfërisë, papunësisë dhe të largimit të shqiptarëve nga  atdheu,.

Ata e kanë marrë peng shtetin dhe shoqërinë dhe prej tyre pengohet dhe është bllokuar integerimi i dy shteteve tona për në BE.

Këtë tashmë e dinë gjithë shqiptarët dhe publiku.

Por ama këtë politikë démodé(jashtmode) shqiptare e mban dhe e miraton me hipokrizi të madhe edhe politika, diplomacia dhe institucionet e BE-së, të cilët në emër të mosrealizimit të detyrave të shtëpisë dhe të mospërmbushjes së standarteve nuk pranojnë antarësimin e Shqipërisë dhe të Kosovës për në BE.

Duhet ta pranojmë se Europa akoma nuk është çliruar  nga Islamofobia, kjo është dhe një arsye e pa deklaruar, por në disa raste edhe e shprehur nga disa qarqe dhe politikanë të BE-së, si arsye pse nuk integrohet  në BE Shqipëria dhe Kosova, sepse kanë  perqindjen me të madhe të popullsisë të besimit Islam.

Perendimi tregohet shumë mosmirënjohës dhe hipokrit me shqiptarët duke spekulluar me ndjenjat pro eurointegraliste të shqiptarëve duke spekuluar  edhe me armiqësinë e shqiptarëve me shovinizmin sllavo-rus prej së cilës europianet janë të sigurtë se shqiptarët nuk bien nën ndikimin rus.

Këtë e bëjnë pasi realisht ata nuk e duan integrimin tonë në BE.

Me këtë politikë të këtyre politikanëve  shqiptarë nuk realizohen standartet shtetformuese të shtetit modern, nuk sundon ligji dhe nuk luftohet krimi dhe korrupsioni, me këta politikanë antikombëtarë dhe dështakë të cilët për të fshehur dështimin e tyre shpesh ata përdorin retorikën false pseudopatriotike , nacionalizmin , të cilën BE e kundërshton.

Pra BE i përdor këto si argumente për të mos i  integruar shqiptarët në BE.

Dhe, BE-së nuk i intereson shumë se çfarë vuajnë e pësojnë shqiptarët prej politikanëve dhe prej pushtetit të tyre.

BE dhe atyre perëndimorëve u mjafton vetëm ajo e cila quhet “stabilokraci” pavarësisht se çfarë qeverisje vjen në pushtet, dhe ata e njohin, bisedojnë e madje edhe i mbrojnë dhe lobojnë me ta dhe për ta fshehurazi dhe me hipokrizi.

Kur politikanët shqiptarë e shkelin “në kallo”, pra deklarojnë ndonjë frazë që nuk u pëlqen atyre atëhere perëndimorët reagojnë dhe ua tërheqin veshin, dhe menjëherë politikanët shqiptarë  servilë bëhen dele të bindura ndaj tyre, e harrojnë e madje edhe e interpretojnë retorikën nacionaliste sipas asaj që BE-së dhe politikës së saj u shkon për shtati.

Kjo është dyfytyrësia e politikanëve shqiptarë, e të gjithë pushtetarëve që ciklohen dhe riciklohen në pushtet të cilët  nacional-kleptokracinë, patriotizmin fals e spekulativ  e përdorin për të fshehur korrupsionin, antikombëtarizmin dhe tradhëtinë e tyre.