PAS DISA VITESH

Vjollca Tiku Pasku
PAS DISA VITESH

Dikur në dritën që lulëzoi dashuria ime e parë
fluturonim të dy me fjongon e ylberit drejt lartësisë
dhe në momentet e ndritshme, në telajon e bardhë,
pikturoja një kurorë ëndrrash në altarin e përjetësisë.
 
Ti më lodhe, si një kullë me gurë pa gjethe lulesh,
apo si një luan që mbretëron me ligje në mbretëri;
premtimet e tua shkuan si lumë i rrëmbyer me zhurmë
ku kthjelltësia u harrua në ndonjë letër të lagur në shi.
U largova, me një buzëqeshje, si të malit para dimrit,
teksa dhembja ime endej si dallëndyshe e verbuar në qiell,
lotët si murgeshat e virgjëra njomnin tokën e djegur
teksa duart grusht lëshonin shtrëngatën e fikur nën diell.
Çuditërisht, ti kthehesh pas disa vitesh e premton dashuri…
trazon një dhembje të shuar me hirin e yllit të Afërditës,
por asgjë nuk ndizet më, se hiri u shpërnda në lumin e jetës,
tani kam ëndrra nga spektrat e ngjyrave të reja të dritës.
 
Vjollca Tiku Pasku