Panoramë mbresash

Reis Mirdita

Imazh

1.

Ajo mbuloi rrafsh e kodër, duke zbutur
Acarin e egërsuar në palcë dhe hapësirë.
Korrieri fërkemit të dhelprës, u ndal
Para kasolles me kulm kërpudhaq
Dhe shtyri zarfin në të çarat e derës.
Djali shtegtuar larg, mbi gardhiqe të huaja
Arriti nën qiellin verë e dimër gri,
Të vendit ku ëndërronte pasurimin.

 

2.

Gjarpër, shtegu kodrinës gjysmë shterpë
Natën e rrahur nga Hëna
Ditën nga Dielli
Ngjiteshin fshatarët kërrusur, pas kodrës
Kasolle e oxhaqe shtrembaluqe
Tymosnin dimër e verë, zienin ca kokrra groshë
Për drekë e darkë
Dhe tymi dredhonte…, dredhonte murg
Hapësirës, mes kodrave lakuriqe, ngjyrë
Të tymit shtëllungë.

5.9.2016