Pajtim në këmbim të njohjes, logjikë e turpit dhe nënshtrimit!

Shkruan: Florim Zeqa                     07.06.2018
Pajtim në këmbim të njohjes, logjikë e turpit dhe nënshtrimit!
Asnjëherë deri më sot nuk ka ndodh që viktima të vrapoj pas xhelatit për kërkim falje siq po ndodh në këtë motin e sotit, sikurse nuk ka ndodh asnjëherë që viktima të përulet para xhelatit.
Si çdo herë xhelatët mundohën të arsyetojnë krimet e tyre, ndërsa viktima objektiv ka hakmarrjen dhe kërkimin e drejtësisë.
Mirëpo në kohën që po jetojmë nuk po ndodh njëra, as tjetra!
Xhelatët (serbët) po tallën më viktimën (shqiptarët), ndërsa këta të fundit po ua arsyetojnë të parëve « mëkatët » (krimet) në forma dhe përmbajtje të ndryshme.
Dialogu për normalizim të mardhënjeve dhe traktati për pajtim më Serbinë janë dy nga format e faljes së mëkateve nga ana e « politikanëve » (pushtetarëve) kosovar.
Nuk ishte lufta e fundit ajo që na armiqësoi me Serbinë, sikurse nuk është as dialogu i fundit që po na « miqëson » më armiqët tonë shekullor.
Që nga Serbia e parë e deri të e dyta, Jugosllavia titiste e deri të Serbia  millosheviqiane, ne shqiptarët u premë e u vramë, u masakruam e u dogjëm, u ndjekëm e përndjekëm dhe prapë fuqitë e mëdha na detyruan të « bashkëjetojmë » me xhelatët e tanë!
Pra, është e njëjta bashkësi ndërkombëtare që nga Evropa plakë e deri të kjo e ditëve të sotme që po i « pajton » shqiptarët (viktima) me serbët (xhelatët), duke ua përseritur shqiptarëve masakrat nga dy-tri herë brenda një shekulli.
Më (pa) dashje shqiptarët po i nënshtrohen një ligji të pa shkruar; « Ata që nuk  mësojnë nga historia, u përseritet prapë ».
Kështu po na ndodh ne shqiptarëve, shkaku se nuk po arrijmë të mësojmë nga historia, se po u zëmë besë të pabesëve dhe se po mashtrohemi lehtë, si dhe për shkakun se po i harrojmë shpejt  ngjarjet tragjike të kombit tonë!
Akoma pa i shëruar plagët e hapura nga lufta e fundit, siq janë; mbi 20 mijë viktima, rreth 1650 persona të pagjetur, mbi 20.000 gra, vajza e nëna tonat të dhunuara nga kriminelët serb, me qindra e mijëra të plagosur, dhjetëra mijëra fëmijë të mbetur jetim e në varfëri të skajshme e deri dëmet e pakrahasueshme materiale nga plaçkitja e pasurive dhe dëmtimi i pronave të shqiptarëve.
Pajtimi me Serbinë gjakatare, pa u zbardhur fati i rreth 1650 të pagjeturvë është pak më tepër se harresë, është shkelje mbi gjakun e dëshmorëve, është shkelje mbi nënat e motrat e dhunuara shqiptare dhe jo vetëm, është tradhti kombëtare.
Dorën e pajtmit duhet ta shtrijë xhelati e jo viktima
Pra, edhe në këtë kohën e sotit prapë po na dalin shqiptar të gatshëm për ripërtëritjën e « kumbarisë » me gjakatarët serb, duke propozuar « traktate paqeje » në kundërshtim më vullnetin e popullit të tyre!
Kush janë ata shiptarë që sot po vrapojnë pas një « kumbarie të re » më vrasësit e vllëzërve të tyre!?
Janë ata që nuk i kanë zëmrat e përvëluara nga terrori e gjenocidi serb, janë ata që përfituan nga lufta çlirimtare, nga gjaku i derdhur për liri, janë ata që u pasuruan në luftë dhe pas saj,…janë këta multimilionerët që po i tradhtojnë idealet e dëshmorëve e të rënëve për të ardhmën e kombit jasht « bashkëjetesës » me Serbinë.
Normalizimi i mardhënjeve Kosovë-Serbi, pa përmbushjen e asnjë kushti nga ana e kësaj të fundit, qoftë edhe me një kërkimfalje ndaj popullatës shqiptare, jo vetëm që është tradhti kombëtare, është antihumane dhe anticivilizuese.
Kjo formë e pajtimit (kumbarisë së re) të politikanëve shqiptar me xhelatët serb, lenë pak për të shpresuar për një paqe të qëndrueshme në rajon, për arsye se shqiptarët nuk e dëshirojnë më një « bashkjetesë » të tillë!
Kjo nuk ka të bëjë fare më drejtësinë, për më tepër ky është një shpërblim që po i bëhet shtetit gjakatar të Serbisë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, dhe një amnistim i krimeve të saj në Kosovë nga ana e lidershipit aktual kosovar.
Marrëveshja eventuale mes Thaçit e Vuçiqit nuk paraqet kurrfarë zgjidhje të problemit serbo-shqiptar, por vetëm bënë barazimin e viktimës me xhelatin, duke filluar kështu rrugëtimin drejt një konflikti të ri serbo-shqiptar!
Këto janë gabime që do t’i vuajnë gjeneratat e ardhshme në Kosovë. Nuk do të kalojnë shumë vite a as dekada kur pasardhësit tonë do të përballen prap me dhunën e terrorin serbomadh.
Shtrirja gjeografike e Serbisë së sotme në shtetin e Kosovës është një « Rrip i Gazës » në mes trojeve shqiptare, i cili nesër jo vetëm që do të prodhojë konflikte ndëretnike mes serbëve e shqiptarëve, do ta bëjë të pa mundur realizimin e ëndrrës së shqiptarëve për bashkim kombëtar.
Për më tepër se kaq, shtrirja gjeografike e Serbisë në Kosovë ka ndodhur nën « petkun » fetar, me fuqizimin e Kishave dhe Manastireve serbe, përkatësisht gllabërimi i tokave shqiptare nga ana e kishave serbe, duke e legalizuar nocionin « Kosovo e Metohija » para bashkësisë ndërkombëtare.
Vetëm sa për ilustrim, Manastiri i ka gllabëruar mbi 70 hektarë tokë të komunës së Deçanit dhe toka private të shqiptarëve me bekimin e Gjykatave (politikanëve) të Kosovës!
Përderisa politkanët e mjerë kosovar e vazhduan për dy dekada luftën për pushtet në gjysëm shtet, Serbia u përkujdes për shtrirjen gjeografike dhe gjeopolitike të serbëve në Kosovë.
Sot, serbët si asnjëherë më parë, e kanë të drejtën e VETOS në Kuvendin e Kosovës, janë bërë hisedare në të gjitha asetët kombëtare të shtetit të cilin nuk e njohin dhe pranojnë si të tyre.
Me logjikë e turpit Kosova nuk shkon përpara
Ditë më parë kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj deklaroj ; »Pajtim e jo harresë », duke mos e llogaritur faktin se pajtimi me Serbinë do e dërgon atë pashmangshëm në harresë, sikurse që e la në harresë (kaq shpjet) territorin e  falur Malit të Zi.
Pas votimit të marrëveshjes fatkeqe në Kuvend, Kulla, Çakorri e Bjelluha nuk do të jenë më asnjëherë pjesë e Kosovës.
Ngjashëm, pas « pajtimit », Serbia nuk do të përgjigjet më asnjëherë për krimet dhe gjenocidin në Kosovë, sikurse që nuk do të përgjigjet as për dëmet e pallogaritshme të luftës!
Për më keq se kaq, me aktin e pajtimit, Serbia ligjërisht do të bëhet hisedare në Kosovë. Pas kësaj, Serbia do ta intensifikojë akoma më tepër agresionin e saj politikë mbi Kosovë.
Pasojat e dialogut të Brukselit
Dialogu i filluar si « teknik » në Bruksel, dalëngadalë Qeverinë e Kosovës e futi në një tunel të errët e të pafund të dialogut politik më kasapët e Ballkanit, nga i cili vështirë së do të lirohet pa pasoja tragjike për vendin.
Në njërën Serbia përmes këtij dialogu ka avancuar me hapa të shpejtë drejt anëtarësimit në BE-së,  kurse në anën tjetër Kosovës i ka dizajnuar ndarjen territoriale përmës të ashtuquajturit « Asociacion » i komunave serbe.
Kështu Serbia dialog pas dialogu me Qeverinë e Kosovës e shtriu agresionin e saj politik mbi shtetin e Kosovës. Raundi final i bisedimeve në Bruksel do të rezultoj me ndarjen finale, gjegjësisht të humbjes përfundimtare të pjesës veriore, humbjen e dy aseteve më strategjike të shtetit-Trepçën dhe Ujmanin (Liqenin e Gazivodës).
Pos humbjes së veriut, pasojat do të jenë të pariparueshme për Republikën e Kosovës. Përtej kësaj, në të gjitha komunat serbe në brendi të Kosovës, në vend të mbishkrimit « Republika e Kosovës », mbishkrimet e vendosura të Republikës së Serbisë, madje edhe në çirilicë, me të gjitha simbolet e shtetit serb pa asnjë mbishkrim apo simbol të shtetit të Kosovës e shkaktojnë prerjen tjetër çezariane të territorit të vendit tonë!
Në fund, popullatës shqiptare i mbetët të përgatitet për të (pa)priturat tjera nga pasojat e këtij dialogu, i cili do të prodhojë destabilitet e pasiguri totale. Ngase, pas finalizimit të marrëveshjes së Brukselit,  strukturat e shtetit serb do të veprojnë lirshëm e të papenguara nga askush në territorin e Kosovës.
Do të jetë Policia e Kosovës, ajo që do të sfidohet përherë nga këto struktura, të cilat do të inskenojnë pasigurinë e tyre nga « sulmet » e shqiptarëve, për të kërkuar kthimin e forcave policore serbe.
Mbase, ky do të jetë një motiv shtesë për qëndrimin edhe për një kohë të gjatë të prezencës ushtarake ndërkombëtare (KFOR-it), në vendin tonë.
Ketë shkrim e përfundoj më thënjën: « tradhëtia e vendit në mënyrë primitive dhe shitja e tij në mënyre moderne janë e njëjta gjë ».