Paaftësia dhe tuta e pushtetarëve në Kosovë

Reis Mirdita

Tuta s’ka ilaç (thënie popullore)

Një brishtësi e Kosovës u pa që në hapat e para pas pavarësimit por kjo nuk ishte situatë për t’iu qasur më thellësisht nga se euforia e masave nuk mundeshe e as nuk duheshe të ndotet me qasje ndryshe mbi gjendjen disi kaotike dhe pushtetin e pa konsoliduar që rrëshqiste drejt analfabetizmit politik. “Formacionet” e tilla pa asnjë themel politik e sidomos diplomatik, ishte e qartë se do të sjellin shtetin e ri në kaos vendor dhe të jashtëm. Frika për hap konkret, se ndonjë lëvizje të guximshme ishte dhe është utopi të pritet nga e gjithë garda, nënkuptuar këtu pozitën dhe opozitën, nuk arritën të vendojnë një plit, (se për tullë të pjekur nuk bëhet fjalë), në ndërtim të Republikës. Edhe qytetari u vendua në gjumë me andrallat e sukseseve të mëdha, por faktikisht të paqena. As autorruga nuk është sukses e as ndonjë ndërtim pa fije plani për një llogari afatgjate përparimtare në fushë ekonomike e sociale.

Nuk dua në këto rraste as të flas për një humnerë juridike që mbretëron në rangjet më të larta shtetërore. Pa filozofuar fare, dua të përkujtoj se burgosjet e shqiptarëve kosovarë nëpër serbi (besa edhe brenda në Kosovë), burgosjet nëpër Europë ,duke u bazuar në “fletarrestet”, nëse mund t’i quaj të tilla, të armikut, janë një shuplakë që duhet bërë hallall të tjerëve se na ua kemi lejuar, por jo edhe udhëheqësve tonë. Udhëheqësit tonë, sidomos pas burgosjes së fundit, duhet të gjithë o të japin dorëheqje o të ndërrohen me forcën demokratike mbështetur në të drejtën për manifestim. Manifestim paqësor por i pa afat. Thash pa afat?!! Jo, afati duhet të jetë i caktuar me ditën kur e gjithë kjo gardë të shkojnë në shtëpia të veta; në vend të tyre të vijnë njerëz të aftë të cilët që ditën e par do të lëshojnë fletarrestim për çdo njeri që i ka ngjyrë duart me gjak, për kriminelët e luftës dhe të mos tolerohet assesi ndëshkimi edhe më i vogël i luftëtarëve të lirisë, sidomos i atyre që u është njohur pafajësia nga drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare.