Pa VETTING nuk ka dekriminalizim!

Shkruan: Florim Zeqa                     01.11.2020

Pa VETTING nuk ka dekriminalizim!

Pushtetarët e pas pavarësisë kanë arritur të kriminalizojnë çdo gjë në Kosovë, madje edhe një pjesë të medieve, me qëllim të promovimit të “vlerave qeverisëse” dhe manipulimit të vazhdueshëm të opinionit publik me të pavërteta rreth marrëveshjeve me Serbinë në Bruksel.

Fillimi i mbarë i shtetformimit

Drejtimi politik i Kosovës i filluar 31 vite më parë nën udhëheqjën e liderit vizionar dhe pragmatik, të urtit dhe të guximshmit, të papërseritshmit Ibrahim Rugova, Kosovën e solli suksesshëm në ditën e 12 qershorit 1999 dhe në të njëjtit binar e mbajti deri me 21 janar të vitit 2006, kur iku në përjetësi duke na lënë shumë afër cakut të dëshiruar, të njohjes formale ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, fjali kjo që i rrodhi vazhdimisht presidentit nga goja deri në frymën e fundit të jetës së tij.

Ikja e shpejtë, e parakohëshme dhe e mistershme e Rugovës në parajsën e tij, e la Kosovën të varfëruar dhe me të ardhme të mjegulluar. Një lider i përmasave të Rugovës do të na mungojë edhe për njëqind vjetët e ardhshme!

Mistrecët e politikës post-rugoviane në Kosovë, duke u munduar ta kopjojnë Rugovën, në pamundësi mbulese intelektuale dhe përvoje politike, jo vetëm që i sollën dëme të pariparueshme vendit, e katandisen keq procesin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës.

Subjektet politike të dalura nga dy fraksionet e luftës, jo vetëm që nuk i sollën gjë të mirë vendit, shkaktuan efekte tejët negative në shtetbërjen dhe konsolidimin e pavarësisë së Kosovës.

Liderët e partive të dalura nga lufta, pasi e ndanë dhe përqanë mirë popullatën duke u thirrur në emër të vlerave të luftës, duke sharë dhe akuzur liderin dhe arkitektin e shtetit të Kosovës, ishin të parët që ju futën nën “sqetull” Rugovës (njëri para e tjetri pas shkuarjes së tij në amshim)!

Procesi i privatizimit që rrënoi ekonominë

Procesi i privatizmit të pronave publike dhe shtetërore i kryer në mënyrën më të keqe dhe të egër nga ana e pushtetarëve, e ka rrënuar në themel ekonominë e vendit dhe ka varfëruar qytetarët.

Politika kosovare, me fillimin e procesit të privatizimit zhvendoset nga procesi shtetndërtues në një instrument të pasurimit të qeveritarëve të papërgjegjshëm, të cilët përmes “tenderomanisë” korruptuan tërë sistemin qeverisës në vend, përfshirë të gjithë mekanizmat shtetëror, në radhë të parë sistemin e drejtësisë; prokurorinë, gjykatat, policinë e kështu më radhë…

Po të mos ishte kështu, nuk do të kishte pasur mundësi dikush të nxjerrë nga dhomat e “sigurisë së lartë” në Policinë e Kosovës rreth 50 kg drogë, shuma të mëdha parashë, sasi të mëdha Ari, dëshmi dhe prova faktike për drejtësinë!

Këto dhe shumë skandale të ngjajshme deri në zhvatjen fundit në thesarin e shtetit, e dëshmojnë kapjen dhe deformimin politik të shtetit në këto vitet e paspavarësisë.

Është bërë retorikë e Agjensioneve Kundër Korrupsionit (OJQ-ve), të flasin vetëm me numra, por asnjëherë me emra, qoftë edhe për rastet e (mos) deklarimit të pasurisë, e të mos flasim për raste korruptive, ku gjithmonë e kanë zakon të thonë; “ka korrupsion në institucionet e larta shtetërore…”, pa pasur guximin asnjëherë të permendin qoftë edhe një emër të vetëm të drejtuesve të lartë shtetëror!

Krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk luftohen me fjalë, por me veprime konkrete

Popullata e vendit tonë duhet të vetëdijësohet, dhe të dalë me kërkesa të çarta, jo me kërkesa politike siç e bën opozita për të ardhur në pushtet, por kërkesat duhet të jenë praktike, të thjeshta dhe të çarta për bashkësinë ndërkombëtare, që në fakt janë edhe kritere bazë për liberalizimin e vizave; të fillohet me arrestimin e “peshqve të mëdhenjë”, aty ku është “kupola” e krimit të organizuar dhe korrupsionit, tek bartësit e institucioneve më të larta shtetërore, për të zbritur në të gjitha institucionet qendrore dhe lokale të vendit, për të vazhduar me konfiskimin e pasurisë së krijuar në mënyrë të paligjshme.

Nëse vërtetë dëshirojmë të bëhet mirë në vendin tonë, nëse vërtetë dëshirojmë të jetojmë të lirë në kuptimin e plotë të fjalës, nëse dëshirojmë të marrim sinjalin pozitiv për lëvizje të lirë drejt shteteve të BE-së, atëherë duhet ta mbështesim bashkësinë ndërkombëtare për aplikimin e shpejtë të një VETTING-u, që të veprojnë pa asnjë hezitim, me procedura të përshpejtuara për burgosjen dhe vënien para drejtësisë të gjithë shkaktarëve politikë (liderëve të korruptuar) dhe parapolitikë (nëntokat politike), që e sollën Kosovën në këtë gjendje mjeruese, ku pasurohen politikanët dhe varfërohen qytetarët.  

Dekriminalizimi, farsë e politikës që po e fundosë shtetin

Pushtetaërt aktualë dhe partitë politike në përgjithësi, dekriminalizimin janë duke e përdoruar vetëm si slogan politik, për kapjen dhe shtrirjen gjithnjë e më shumë të rrjetit kriminal në institucionet e pavarura të shtetit.

Qytetarët e Kosovës e kanë të vështirë t’u besojnë deklarimeve të liderëve shtetërorë dhe partiakë për dekriminalizimin e politikës pa e dhënë asnjë rezultat në atë drejtim.

Është rrezik që liderët shtetërorë të vazhdojnë lojën me fjalë, duke ndryshuar sloganin politik, nga krimi i organizuar dhe korrupsioni në dekriminalizim politik.

Që dekriminalizimi të mos përdoret vetëm si slogan politik nga politikanët kosovarë, Evropa dhe Amerika duhet t’u vënë limite kohore liderëve tanë shtetërorë në përmbushjen e premtimeve,…ndryshe mund t’i kalojnë mandatet politike pa bërë asgjë në atë drejtim, siç ndodhi përgjatë këtyre 12 viteve të fundit me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Jo vetëm që nuk u luftua korrupsioni, ai mori përmasa alarmante, duke u shndërruar në sindromë kancerogjene të shtetit të Kosovës.

Dekriminalizimi i politikës dhe depolitizimi i institucioneve të pavarura, janë dy procese të ndërlidhura me njëri-tjetrin që duhet të çojnë në zbulimin e prejardhjes dhe konfiskimin e pasurisë së zyrtarëve të inkriminuar.

Përderisa politika kriminale synon mbajtjen e pushtetit përmes parasë, përmes korrupsionit dhe presionit mediatik, vështirë të priten rezultate pozitive në dekriminalizimin e politikës pa një proces të njëmënd të VETTING-ut të monitoruar nga SHBA-të.

Në të kundërtën, theqafja dhe katandisja jonë do të vazhdojë deri në pambarim, ndërsa politikanët do të vazhdojnë të vjedhin deri në falimentim të shtetit!