Pa depolitizimin e shoqërisë nuk hiqen polarizimet ndërpartiake!

Shkruan: Florim Zeqa 05.04.2020

Pa depolitizimin e shoqërisë nuk hiqen polarizimet ndërpartiake!

Nuk jam poet që shkruaj poezi, as artist që pikturoj, por me penden time në mënyrën besnike realitetin pasyqroj. Si aktorë jo i drejtëpërdrejt në politikë, përmes ideve të pavarura dhe të pandikuara ndërhyjë në politikë për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe vendit tim të shenjtë. Përmes shkrimeve të mia mundohem të godas cakun, duke i qëndruar besnik të vërtetës dhe paanësisë partiake, gjë e cila e bën sfidues angazhimin tim në këto rrethana të paqarta dhe të paqëndrueshme politike.

Jo të gjithë e përceptojnë realitetin në mënyrë të njejtë, varësisht prej pozicionit dhe kapaciteteve intelektuale. Nuk është se njerëzit nuk e shohin realitetin e hidhur në të cilin po jetojmë, por shkaku që nuk ju pëlqen, mundohen ta largojnë nga mendja e tyre duke imagjinuar mrekullinë edhe në zhgënjimin më të madh. Mirëpo, sadoqë mundohemi t’i ikim realitetit, ai na shfaqet gjithnjë formën dhe trajten e vërtetë që ekziston.

Shkatërrimi i bërthamës së shtetit-familjes

Familja është bërthama e shtetit apo vetë shteti në miniaturë. Familja është burimi i patriotizmit dhe atdhedashurisë, unitetit dhe solidaritetit njerëzorë, ku e mira dhe e keqja ndahen me njëri-tjetrin duke mos i lënë vend egoizimit si shkaktar i prishjes së harmonisë familjare.
Përderisa politizimi i popullatës kosovare përgjatë viteve të ’90-ta ishte manifestuar në mënyrën më pozitive të mundshme, duke ndikuar në homogjenizimin e shqiptarëve kundrejt një të keqeje të përbashkët (pushtuesve serb), në Kosovën e pas luftës, politizimi vjen si produkt i polarizimeve partiake, ku si pasojë e kësaj e kemi ndarjen dhe përqarjen e tmerrshme të popullatës në baza partiake dhe brenda partiake, ku secili e lufton secilin jo me idetë e veta, por sipas ideve të liderëve (liderit) partiak.
Shkaktar të këtij politizimi dhe përqarje të popullatës janë aktorët kryesor të skenës politike kosovare, të cilët kanë arritur ta shkatërrojnë bërthamën e shtetit-familjen.
Si pasojë e kësaj, sot në brendinë e së njëjtës familje, kush më pak e kush më shumë janë futur të gjitha partitë politike, duke i ndarë anëtarët e së njëjtës familje në disa parti politike.
Kësaj ndarje nuk i thuhet vlerë demokratike, por përqarje dhe katandisje deri në vetëshkatërrim të një shoqërie njerëzore.
Pra, bandat partiake kanë arritur aq thellë, ku popullatës kosovare përveq ndarjeve shoqërore, i shkaktuan edhe ndarje familjare, duke ia humbur kështu kuptimin edhe vetë jetës në Kosovë.
Politikanët pa etikë, pa integritet moral dhe njerëzor, e kanë rrënuar në themel (familje) shtetin dhe të ardhmen e qytetarëve.

Rrotacionet e pushtetit për mbijetës politike

Edhe përkundër ndërrimeve të shpeshta të pushteteve, mentaliteti i qeverisjes me shtetin po mbetët i njëjtë. Po ndodhë kështu për faktin se afësisht të gjitha partitë politike janë bërë të njëjta.
Pavarësisht rrotacioneve politike, pushteti po mbetët i njëjtë, i kapur dhe ngulfatur nga partitë në pushtet. Politikanët e korruptuar dhe inkriminuar, jo vetëm që nuk po e pësojnë, ata po ngriten e fuqizohen akoma më shumë.
Si gjithnjë, pasojat e politikës kancerogjene po i vuajnë qytetarët e zakontë, e në veqanti ata që nuk janë të lidhur me bandat partiake.
Me ndihmën e qytetarëve të Kosovës, që 21 vjet rresht i kemi të njëjtit njerëz në politikë dhe jo vetëm, Në të gjitha institucionet e vendit dhe në të dyja nivelet e qeverisjes i kemi të njëjtat figura politike, që të gjitha së bashku e përbëjnë errësirën kaotike në vendin tonë.
Situata kaotike pas rrëzimit të qeverisë së shpresës, paraqet sfidë të rëndë dhe të mundimshme për ecjen e mëtutjeshme të shtetit të Kosovës, shkaku i lëndimit të raporteve të Kosovës me partnerët strategjik të saj.
Situata akoma më kaotike bëhet pas konfrontimeve virtuale mes dy ish partnerëve qeverisës. Ashpërsimi i gjuhës së militantëve partiak, pa dallim nga të dyja palët, e ka rënduar dhe lënduar akoma më shumë shpresën për ndryshim të shpejtë në vendin tonë.
Për habi, më të ashprit kundër njëri-tjetrit janë pikërisht ata që ishin dje më të zëshmit për lidhjen e koalicionit qeverisës, thuajse nuk e paskan ditur më parë, se cilit krah ideologjik i përkisnin liderët partive respektive.
Një gjë duhet ta kuptojnë të gjithë qytetarët e vendit, se pa depolitizimin e shoqërisë nuk do të hiqen polarizimet ndërpartiake dhe kundërthënjet e brendshme partiake!

Edhe pse gjatë shkollimit të mesëm, në mënyrë të obligueshme e kam mësuar lëndën e « Marksizmit », falë sugjerimeve të babait tim asnjëherë nuk u bëra anëtarë i partisë komuniste. Partinë e parë dhe të vetme që e pranova në jetën time ishte LDK-ja rugoviane e viteve të ’90-ta, të cilën më tepër se parti e kisha kuptuar si lëvizje politike për çlirim nga pushtuesit serb.
Nga ajo kohë e deri në ditët e sotme, mbeta demokrat i papërmirësueshëm, liberal në mendime dhe ushtarë besnik i atdheut tim. I tillë do të mbetëm deri në fund të jetës.