P L I S I

Tregim

Bedri TAHIRI

P L I S I

Për ta kuptuar historinë e një populli lypset studiuar karakterin e tij.

 (Faik Konica)

Xha Rrahimi, edhe pse ishte në prag të të 90-ve, kurrë nuk e hiqte plisin e bardhë nga koka. Ama, kurrën e kurrës, madje as kur flinte. Atë nuk e ndërronte me asnjë tjetër. Ashtu kishte vepruar që nga fëmijëria e hershme, që nga mosha shtatë vjeçe. Atëbotë, tamam kur i kishte mbushur shtatë pranvera të plota, i ati, dritë paste, një burrë babaxhan e trim i pashoq, e kishte ftuar në odën e burrave, në kullën dykatëshe prej guri dhe në ballë të oxhakut, në sixhadën me shqiponjë, ia kishte dhuruar plisin e bardhë dhe një martinë të zbukuruar me argjend.

– Merri, biri im dhe të m’i mbash me nder, me faqe të bardhë e me krenari që të të marrin të gjithë lakmi!

Këto fjalë djaloshi i mbajti vath në vesh. Këto dy gjëra, plisin dhe pushkën, i konsideronte dhe i adhuronte si kulte të paprekshme atdhetarie. Ato iu bënë pjesë e jetës dhe e gjallimit nëpër trillet e jetës hileqare. Njëra pa tjetrën as që bënin dot. Plisi e frymëzonte pushkën, pushka e mbronte plisin. Krenaria e plisit qëndronte në pastërtinë dhe papërkulshmërinë e tij të përhershme.

Më vonë, kur tinëzisht e mundi pleqëria e pabesë, pushkën e la mënjanë, e pastroi mirë e mirë dhe e vendosi në fundin e arkës prej druri ahu, por plisin jo. Më thuaj, ore lum vëllai, si mund të ndahej nga ai me të cilin çdokund kishin qenë tok: në dasma e në vdekje, në gëzime e në hidhërime, në luftë e në paqe, në beteja e në kuvende, në male e në oda, në protesta e në demonstrata, në polici e në gjykatore, në kamje e në skamje, në robëri e në liri.

– O gjysh, pse kurrë nuk po e heq plisin e bardhë nga koka,- e pyeti një ditë niposhi i vogël, Besniku kureshtar.

– Ah, të pastë gjyshi për jetë të jetëve. Dashuria për plisin është dashuria për atdheun, dashuria për historinë, dashuria për kombin, dashuria për shqiptarinë. Ky është simboli ynë kombëtar. Përmes tij na njeh gjithë bota. Ai në vete ngërthen veç bardhësi, liri, dashuri, besnikëri, çiltërsi, bujari, trimëri, mirësi, krenari, heroizëm, papërkulshmëri. E sheh sa i bardhë është, më i bardhë se vetë bora maje malesh tona të virgjëra që puqen me qiellin e të cilat, asnjëherë, askush nga të huajtë nuk arriti t’i shkelë dot. Ne kurrë askujt nuk i ramë në qafë, por kurrë as nuk u gjunjëzuam. Ehu, sa kush e kush ua mësye këtyre anëve të begata, veçse të gjithë u zbrapsën të turpëruar e me bisht nën këmbë. Erdhi e kush nuk erdhi, dreq e i biri…

Megjithatë, plisi qëndroi i pandryshuar, i bardhë si bora.

– Kam parë plisa të ndryshëm, po ky yti është me majë?!- vazhdoi i nipi, i interesuar të mësojë edhe më shumë.

– Po, ashtu është, sa mirë e paske hetuar, te keqen gjyshi. Plisi ynë ka histori të lashtë, zë fill që nga të stërgjyshërit tanë trima, ilirët. Në fillim ka qenë kështu, mprehacak, me maje, mu si majat e Alpeve Shqiptare. Më vonë, vende-vende, pësoi ndryshime dhe mori forma të ndryshme. Edhe këto ndryshime kanë bazën e vet të arsyeshmërisë.

Kështu, ta zëmë, pas vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, se pari në Krujë e në Kurbin e më vonë edhe gjetkë, në shenjë zie e dhimbshurie, u prenë mëngët e xhurdive dhe u shtypen majat e plisave. Bile, siç tregonin pleqtë, plisi me majë të shtypur u quajt “Varri i Skënderbeut”, se, vërtet, tek maja e shtypur krijohet një lugajë në formë varri.

Në Drenicën tonë, edhe pse u ndje dhimbje e madhe për humbjen e Skënderbeut, nuk u mbajt zi. Përkundrazi, humbjen e kthyem në forcë e në fitore, duke i vazhduar luftërat e betejat për liri, andaj as plisin nuk e ndryshuam.

– Po luftëtarët tanë e kanë bartur plisin?- vazhdoi djaloshi.

– Qysh jo, që nga Bejtë Galica, Ahmet Delia, Shaqir Smaka…Isa Boletini me këtë plis hyri të lordi Grei në Londër. Azem Galica me Nusen e Maleve, Shotë Galicën, vazhdimisht bartën plisa të tillë, me maja të mprehta, duke ua futur tmerrin në bark të gjithë armiqve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Edhe Shaban Polluzha me plis të tillë e me shqiponjën në ballë komandoi mijëra e mijëra luftëtarë të lirisë. Me këtë simbol kombëtar qëndruan dhe qitën pushkë burrërore edhe Nebih e Tahir Meha. Derisa veshi uniformën e UÇK-së, edhe Adem Jashari barti plisin e bardhë, mu si i ati, Shabani, e si i vëllai, Hamza.

Mos harro nipçe, plisi për shqiptarin është i shenjtë. Po, po, gjë më të shenjtë se plisin zine se nuk kemi. Ai, po u përdhos, të shkon fytyra, e kur të shkon fytyra më mirë të të shkojë edhe koka.

Madje- madje, ka raste kur plisi i ka fituar vetë betejat. Në të parë kjo mund të duket paksa e pabesueshme, por ka plot shembuj që e vërtetojnë një gjë të tillë. Ja një prej tyre. Një malësor rugovas ishte me dele në bjeshkë kur ushtria malazeze kishte mësyrë këtej. Ky, i vetmuar, s’dinte si të vepronte. Me e lëshue kushtrimin për trimat bëhej vonë. Sakaq u kujtua dhe shpejt e shpejt zbriti të qeleshpunuesi, i mori të gjithë plisat që kishte aty, u ngjit si vetëtima në bjeshkë dhe i vendosi nëpër pozicione përgjatë kufirit. Vetë, me pushkën e gjatë, zuri vend pas një shkëmbi të thepisur dhe, kur ata erdhën afër, u briti me sa zë që kishte: ndal! Ata, kur i panë gjithë ata plisa, u zbrapsën me vrap ujku, duke menduar se kishin rënë në prita.

Me plisa janë çarë edhe shumë e shumë rrethime nga trimat dhe kapedanët tanë. Ata, kur ngelnin të rrethuar, e vendsonin plisin në frengji ose në hyrje të kullës dhe, derisa armiqtë e qëllonin atë, vetë dilnin pa ferrë në këmbë jashtë rrethimit.

– Po sot gjysh, më rrallë po përdoret plisi i bardhë?

– Koha e ka bërë të veten. Pleqnari ynë, Xhemail Abria, me plot të drejtë thoshte së fëmijët duhet t’i ngjajnë kohës. Dëshira ime është që të gjithë shqiptarët t’i shoh me plisa të bardhë në kokë, por e di që kjo nuk shkon më. Kam dëgjuar se, kur qe nevoja, Luigj Gurakuqi, me mësimet edhe te Hasan Prishtinës, nxënësit e Normales së tij në Elbasan i kishte porositur që në shkollë të bartnin plisa të bardhë. Unë nuk them që edhe sot të veprojmë ashtu. Jo, jo. Mirëpo, porosia ime është që plisi duhet të mbetet simbol i pazëvendësueshëm kombëtar. Plisi dhe flamuri kuqezi janë dy shenja me të cilat shqiptarët identifikohen në botë si popull paqedashës, trim e besnik. Sa kam parë, dy-tri herë është vepruar mirë e me mend në Kosovën e pas çlirimit, kur mysafirëve evropianë e amerikanë, u është dhuruar nga një plis i bardhë shqiptar. Ashtu duhet vepruar edhe më tej, sepse plisi është dhe mbetet simboli kryesor i shqiptarisë.