Orë letrare për dy festa jubilare kombëtare

Bedri TAHIRI

Orë letrare për dy fetsa jubilare kombëtare

Tё nderuar tё krijues dhe adhurues tё fjalёs sё bukur shqipe!

Të respektuar të pranishёm!

Fillimisht i përshëndesim dhe u urojmë punë të mbarë; kryetarit të komunës, z. Xhafer Tahiri dhe drejtoreshës së Kulturës, znj. Fatmire Cecelia, që me praninë e tyre na kanë nderuar, prej të cilëve presim bashkëpunim të frytshëm dhe përkrahje për krijuesit vushtrrias, ngase investimi në kulturë është më i qëlluari dhe prioritet i të gjitha shoqërive përparimtare.

Të nderuar të pranishëm!

Sot, po ndjehem i priveligjuar qё, në emër të Kryesisë së Klubit “Latif Berisha” t’i përshëndes krijuesit vushtrrias, që veprojnë dhe krijojnë në kuadër të këtij Klubi, të Grupit letrar “Gjimnazisti”, si dhe të tjerëve që krijojnë si të pavarur apo në grupet e ndryshme shkollore. Ndoshta jam me fat që më ka rënë hise të jem urë lidhëse e këtyre dy asociacioneve krijuese, ngase ato vetë janë të lidhura si mishi me thoin. Thuajse të gjithë krijuesit vushtrrias hapat e parë i bëjnë tek “Gjimnazisti” e pastaj vazhdojnë tek “Latif Berisha”.

Ora e sotme letrare ka një rëndësi tepër të veçantë: Organizohet në nderim të dy jubileve më të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare, dy jubileve që kapin një periudhë të gjatë të lavdisë sonë; shtetit të Arbërit, të më shumë se pesë shekujsh dhe një dekadë të shtetit më të ri në Evropë, Republikës së Kosovës.

Pra, ora e sotme letrare, shënon 550 vjetorin e shkuarjes në amshim të heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit dhe 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës!

Dhe, mbase më mirë se vetë historia, arti letrar, me fjalën e tij magjepësese, është në gjendje t’i pasqyrojë e t’i shenjojë këto ngjarje me vlera kombëtare.  Andaj, edhe fjalët deklarative për rëndësinë e këtyre dy datave të skalitura në kujtesën tone  me shkronja gjaku, janë të tepërta para ligjërimeve të muzave poetike që me ëmbëlësinë e tyre do të na bëjnë të ndjehemi si mbi krahet e suferinës…

Viciana e lashtë, qyteti i Hasan Prishtinë, me një trashëgimi të pasur iliro-dardane, më shumë së çdokush tjetër ka të drejtë për një ceremoni të tillë kulturore. Këtu, fara e bukur e krijimtarisë letrare është mbëltuar qysh moti, që nga Tahir Efendi Popova (1856). Dhe, edhe sot e kësaj dite, penat krijuese nuk rreshtin së skalituri gjurmë përjetësie që, si flakadanë të pashuar do t’ua ndrisin rrugën brezave të ardhmërisë. Kemi këtu gërshetim gjeneratash e brezash, që nga penat premtuese të shkollarëve të rinj e deri te ato me përvojë, siç është baca Nesim, që më tematikën dhe laryshin e tyre motivore, paraqesin mozaik të shkëlqyer ylberor.

Çaste të këndshme me perlat poetike.

Urime Viti i Gjergjit!

Gëzuar 10-Vjetori i Pavarësisë së Kosovës!

       Vushtrri, më 12 shkurt 2018