Opojalitë reagojnë ndaj fyerjeve që iu bëhen, “kinse” mos festim të Vitit të Ri

Kurseni fjalorin e mos fyeni trevën më atdhetare të popullit shqiptar, vendin e Ymer Prizrenit

Adem Lushaj

Se nuk ishte festuar ndërrimi i viteve në njërin nga fshatrat e Opojës, ka nxituar reagimin e banorëve të atjeshëm dhe veprimtarëve politik. Ata, kanë shprehur qëndrimet e tyre ndaj mediumeve që kanë plasuar këto të pa vërteta, duke thënë se banorët e këtushëm historikisht janë njerëz të urtë, të edukuar dhe përparimtar, duke rikujtuar edhe Ymer Prizrenin. Një reagim të ngjashëm ka shprehur edhe veprimtari politike, këshilltari komunal nga radhët e LDK-së, ish luftëtari i lirisë, Qamil Kolloni, i cila ka prezantuar edhe disa nga veçoritë e këtij rajoni që i bën të krenohet gjithë opojalitë. Në reagimin e Kollonit thuhet:

“Pas një shkrimi të shkruar në një portal se në një fshat të Opojës, nuk po kremtohet viti i Ri, ku më pas vërshuan një varg komente fyese, në adresë të Opojës dhe opojalive. Më duhet të ua rikujtoj gjithë atyre që kanë dhënë “mendimet” e tyre” se opojalitë paraqesin një shtresë me kulturë të lartë të shoqërisë kosovare, dhe se në brendinë e vet përmbajnë civilizim dhe patriotizëm të pa shlyer në historinë e popullit shqiptar, si në të kaluarën, ashtu edhe në të tanishmen. Pra, më duhet tua rikujtoj edhe trimërinë e kësaj ane, duke filluar nga ideologu i njohur i “Lidhjes së Prizrenit”, (Ymer Prizreni) e deri në luftën e fundit me pjesëmarrjen e djemve të kësaj treve, në të gjitha trevat e Kosovës. Këtë rast më duhet përmendur Kompaninë “Ujqit e Sharrit”, në Betejën e Koshares, ku kjo kompani ishte tërësisht e përbërë nga luftëtar opojarë. Ju rikujtojmë  lexuesve se përpos shumë veçorive atdhetare që njeh historia shqiptare për trevën e Opojës, nuk njeh  asnjë tradhtar të tipit Dobrunë, Morin e Hysamedin Azem… ndaj më duhet tu them ta kurseni kohën tuaj dhe fjalorin, e mos fyeni trevën më atdhetare të popullit tuaj. Edhe diçka për Opojën edhe opojalitë.

Opoja është treva më e pastër etnikisht, me popullsi qind për qind shqiptare. Atje nuk ka asnjë familje serbe, turke, boshnjake, rome etj. Është po ashtu treva më e pastër për nga besimi, të gjithë myslimanë. Kultura, arsimi dhe besimi, janë tri shtyllat që e përbëjnë një opojali. Në çdo shtëpi në Opojë, ka së paku një mjek, një inxhinier dhe një teolog. Janë ekonomistë të lindur. Janë qytetarët më të urtë, aparenca-dukja nuk është tipar i tyre, qëndrojnë me dëshirë në prapa skenë, nga atje dirigjojnë shumëçka. Ambientohen shumë lehtë në çdo vend, rrethanë apo kohë, pa i humbur veçoritë kryesore të tyre. Kontribuojnë kudo që ndodhen, nga çdo pozitë që gjenden. Nga ky kontributi i tyre ka përfituar më së shumti Prizreni, duke e bërë atë, djep të kulturës në trojet shqiptare. Janë mbështetës të njëri-tjetrit, duke kapërcyer limite. Një nga figurat kryesore shqiptare që vjen nga kjo trevë është Ymer Bej Prizreni, duke vazhduar deri më sot me një figurë po aq kontribut-dhënës si prof. Nexhat Ibrahimi. Krenar të jesh opojali”.