Ograku i zi

Reis Mirdita

Metamorfoza nën pushtetin e qenieve të errëta -XXX-

Mirsati tallej sa herë që të dëgjonte për ograk por edhe me të sëmurë që kishte ndonjë karakteristikë disi të veçantë. Ishte i njohur si ateist dhe në plan të parë poshtëronte çdo besim. Komunist i thellë ose interesxhi i thellë, punonte në byro si administratorë i vogël pranë Komitetit Republikan dhe udhëtonte për çdo ditë me tren.

Jemi në vitet e gjashtëdhjeta, vite këto kur shumë studentë, punëtorë fabrikash dhe burokratë udhëtonin çdo ditë drejt Shkupit dhe anasjelltas. Mes tyre dallohej Mirsati trupvogël e mendjemadh. Pa ndërpre u shiste mend studentëve të cilët me mjeshtri talleshin me të por e dëgjonin kur llomotiste; jo nga respekti (se nuk e meritonte) por nga droja se ishte spiun i dokumentuar dhe të merrte n’qafë për së koti.

Një ditë pranvere, zbriti nga treni dhe si *kurumxhi që ishte, nuk u ndal në tualetet e stacionit por u nis bri binarëve sikur edhe shumë të tjerë, thjeshtë për të shkurtuar rrugën, mandej kërceu jazin dhe pa fije turpi, as që u largua pas ferrave e kaçubave, ia theku urinës. Besa pa krye punën, i hyri një piskamë e trishtueshme dhe u rrëzua për tokë. Një lëvizje ajri e zhurmshme  si rrahje krahësh të shpezëve të trembura, mbisundoi për çast hapësirën. Dikush kërceu jazin për t’i ndihmuar dhe iku prapë me sy dalur nga orbita sikur do t’i binin për tokë dhe filloi të qajë me dënesje si dhe me pengesa në frymëmarrje. Një student i hodhi me grusht pak ujë në qafë e fytyrë. Do udhëtarë të tjerë këndonin lutje dhe ecën ngadalë rrugës së tyre. Një grua e shtyrë në moshë, citoi disa lutje me zë, i ra me duar fytyrës kur përfundoi dhe sikur donte t’i njoftoj të tjerët se njeriu “atje”, kreu nevojë në sofrën e xhindeve…; “Nuk ka shërim për të!”, dhe eci ngadalë, e shoqëruar me siguri nga një nip i saj (të cilin e njihja se luanim futboll bashkë), gjithë duke vazhduar lutjet, më e qetë dhe tani, pa zë.

Fjalët “nuk ka shërim” më ngjallën kureshtje, andaj posa dolëm në rrugën e madhe, iu afrova zonjës që e gjithë qyteti e thirrnim Hatixhe aba dhe e pyeta lidhur me ngjarjen. “Eja në mbrëmje aba me Nisanin!” (nipi i saj që e shoqëronte).

Pa mëdyshje në mbrëmje shkova dhe pasi na shërbyen me çaj, Hatixhe aba nisi sqarimin:

-Rrugica e vogël rreth vijës së ujit të cilën e marrin kryesisht njerëzit që kanë arat e tyre në atë pjesë, në mes tyre edhe na, kemi dëgjuar nga paraardhësit por jemi edhe vet dëshmitarë se pranë vendit ku u sëmurë njeriu i hyqymetit, sa herë që kalojmë me karrocë, kali ndalet dhe bënë si i çakërdisur, nuk donë të ecë përpara. Mos me zbrit me e marrë për ngojëze, është në gjendje t’i thyej okat e këputë zinxhirët por assesi të ec më tutje. Edhe bagëtia tjetër aty lë rrugën dhe ikë rreth sinorëve të arave për të kaluar andej.

Aty ka një hapësirë të vogël në mes të jazit dhe vijës së rrotave, i veshur me kullosë por shih, një formë sofre është pa fije bime, e për rreth janë po ashtu disa vende të vogla dheu ku gjinden ulëset e qoftëlargëve por njeriu nuk mund t’i sheh! Nga vjet, aty pranë ujit, ka mbi një shelg lotues që do të thotë se vendi ka marrë një rëndësi më të madhe në botën e errësirave. Mandej o biri im, mijëra herë u është thënë të mos dilni jashtë në ujë që ecë, as pranë tij dhe mbrojuni mos rrini nën hije të shelgut kalavjerrë! Janë vende me ograk dhe shërimi është i vështirë nëse shkelet mbi xhinde ose kryhet nevojë mbi to! Ja pse thash se për të nuk ka shërim. Ai ka marr ograk të zi!

*njeri me tipare dhe sjellje dhe gjeste femrash për tu dukur i madh, inteligjent dhe me kulturë.

(Vazhdon: Peripecitë për shërim nga ograku)