OBELISKU I THYER

Tregim

 Bedri TAHIRI

      OBELISKU I THYER

Nёse nё letёrsi nuk hyn dhe jeta jote, atёherё ti nuk  di ç’tё shkruash.
(Dritёro Agolli)


         Kolona e gjatë e motorizuar me mbi dyqind automjete: tanke, autoblinda, praga, kamionë e autobusë përplot militarë, paramilitarë, policë, ushtarë e çetnikë serbë marshonte kalldrëmit të rrugës së vjetër gjarpërore që shpinte për në Galicë. Në ballë të saj, ndonjë njëqind metra largësi, printe « Llandroveri » ngjyrë blu me tre oficerë madhorë brenda. Gjenerali flokëpakët ngelur prapa veshëve e me ca syze të zeza, ulur në karrigen e parë, kishte hapur dritaren dhe vëzhgonte kujdesshëm terrenin përreth me dylbi të stërzgjatura. Kodrat e përthyera keq dhe malet e rrëpinjta i parakalonin në retrovizor.

-Tokë djajsh,- shfreu më vete duke hequr nxitimthi dylbitë, të cilat për pak ia rrëmbeu ferra kaçe bri rrugës.

Dy të tjerët, ulur prapa, ishin gërmuqur mbi hartën e vjetër topografike me ca shenja konvencionale dhe, herë pas herë, nënvizonin e rrumbullakosnin me laps të kuq. Veç shoferit, një ushtar fare i ri e kokërruar tas, sikur nuk e lodhte mendjen për asgjë. I gjori ishte kredhur në ca mendime lozonjare dhe voziste fare shkujdesshëm. Ndoshta ëndërronte të dashurën, që me lot në sy e priste diku larg.

-Ja edhe katundi i mallkuar që dikur e patëm fshirë nga faqja e dheut,- bëri ungurueshëm e nëpër dhëmbë gjenerali, duke e ngritur dorën lart për të treguar shtëpitë e para që dukeshin të strukura rrëzë kodrave gjysmë të zhveshura.

Shoferi e mori me mend se duhej ndaluar, andaj instinktivisht frenoi fuqishëm. Makina ndaloi në vend duke u hedhur përpara. Oficerët prapa u përplasën keq mbi karriget e para. Me shpejtësi rrufeje dolën përjashta duke i rrapëlluar dyert fort sa që oshtiu edhe Lugu i Zanave matanë. Kur kuptuan se s’kishte gjë, nxorën hartën e zhubravitura dhe sërish i bënë tre rrathë të kuq. Kësaj here Galica ngeli midis tyre si brenda rrathëve të ferrit dantesk.

-Nëse çdo kund ka mbetur diçka, këtu nuk dua të mbetet gjë prej gjëje! Ama hiç fare. Kështu e  kemi urdhrin edhe nga lart. Po edhe pa të njësoj do të veproja. Po, njësoj, se gjyshi ma ka lënë amanet me gojën e vet, pak para se të jepte shpirt. Ai, ndjesë pastë, ishte pjesëmarrës i Betejës së Galicës, më 1924. Dhe, si dëshmi bindëse mbante një plagë në shpatull, e cila e përcolli deri në varre. Atëbotë këtu s’kishin lënë gjë mbi tokë, as buburreca, por edhe kishin pësuar keq duke e paguar shtrenjtë. Mbi njëqind e njëzet të vrarë e shumë të tjerë të plagosur e të gjymtuar. E sot, shih si janë ringjallur maskarenjtë dhe sërish na nxjerrin telashe. Tphu, farë e mallkuar! – bëri tërë inat duke pështyrë me sa fuqi që kishte. Të lirë jeni, bëni ç’të doni e ç’t’u teket, zi e më zi …

Dhe, katrahura çnjerëzore e çmendurake filloi hatashëm. Oguri i zi si lumë mbytës përlau çdo gjë. Popullata e pambrojtur mori arratinë. Burrat e luftëtarët e lirisë koptisën malet e monopatet për t’i vënë gjoksin së keqes. Tanket zinxhirorë, si somnambulë të tërbuar, uturinin mnershërn, duke hapur rrugë e shtigje. Piromanët e shfrenuar morën krahë te zemër. Tymi e flaka ngriheshin deri në qiellin e zymtuar. Çdo gjë digjej: shtëpitë, stallat, koshat e hambarët me drithëra. Traktorët, televizorët e gjërat e tjera me vlerë plaçkiteshin pangopshëm. Bagëtia e gjorë therej e vritej pamëshirshëm nëpër livadhe, ara e djerrina. Prapa ngelte veç tokë e djegur dhe e shkrumbëzuar.

-Zoti gjeneral, ç’të bëjmë me një bibliotekë të pasur private që e kemi hasur mu në qendër të fshatit? – foli i mbushur frymë nga vrapi rreshteri me trup të imtë e me shami të kuqe lidhur rreth koke, i ngeshëm e fort i vëmendshëm. Plot tri ditë e tri net u mor me to. Gjeti e ç’ nuk gjeti. Libra, nga më të ndryshmit, dokumente, revista, foto e shënime të llojllojshme. Ca i ndante mënjanë, por prapë gjindosej dhe i hidhte në grumbullin e stivosur për djegie. « Të gjitha të digjen, të gjitha … ! » – urdhëroi i mllefosur në kulm. Vetëm kur flaka si gjuhë dhelpre tinëzare, i lëpinte radhazi sikur iu qetësua pakëz shpirti i katranosur.

-Hë, hë, i ziu profesor ç’ paska pas bërë… – mërmëriste mbytas duke i shtrënguar nofullat tërë inat, gjithë këto libra çoroditëse. Po edhe unë ia punova mirë. Fort mirë, bile sa s’bën ndryshe. Dymijë e pesëqindtë  copë i përpiu flaka sa hap e mbyll sytë dhe, kënaqej e kënaqej. Zemra mal i bëhej nga gëzimi. Flaka rritej e rritej hove-hove. Çudi, një libër ende qëndronte i paprekur, nuk po digjej dot, Ishte monografia “Azem Bejtë Galica”. Instinktivisht zgjati dorën dhe e kapi. O Zot, pse e bëri këtë. I dhimbsej apo i duhej diç? As vetë nuk e kishte të qartë por, siç dukej ishte kjo e dyta. Ajo j duhej për dy gjëra: ta kapte më lehtë  autorin e saj që atypari ishte diku, nëpër ato male të frikshme përreth dhe ta gjente varrin e trimit, i cili për vite të tëra e kishte tmerruar kralin e tyre në Beograd.

Pasi pushoi flaka dhe librat u shndërruan në hi e pluhur të bardhë e ndjeu veten të lehtësuar. Mori frymë lirshëm dhe zbrazi dy gota raki rrushi me meze viçi dy javësh fërguar mirë. Pse, mos ishte i pari që vepronte kështu? Jo, as i pari, as i fundit. Kështu kanë vepruar të gjithë pushtuesit e famshëm, bëri me vete. Në fillim i kanë asgjësuar librat e bibliotekat, trurin e kombit, e pastaj fare lehtë i kanë arritur qëllimet shfarosëse. Këtë rrugë do ta ndjek edhe vetë… Por, ah, kjo është farë e çuditshme, farë djalli, ndërroi, sakaq mendjen. Shumë herë kishin provuar, por, kot.

Me librin e përcëlluar e të nxirë zuri të shëtisë rrugicave të ngushta të lagjeve të shkapërderdhura. Mori përpjetë drejt Udhës së Kuqe. Nuk ia ndante sytë balliinës së ilustruar të librit.

Sakaq në të mëngjër, sikur i bënë sytë. U ndal dhe vuri syzet. Një obelisk i veçuar e i rregulluar për merak. Përreth përplot lule të bukura e trëndafila jeshile. Në mes një foto si ajo e librit. Plotësisht e njëjta. Edhe disa herë e krahasoi, por nuk i besohej. Bebëzat e syve iu turbulluan e mendja i sillej vërdallë. Koka i zinte si zgjua bletësh. E thirri edhe ndihmësin. Kur edhe ai ia vërtetoi të njëjtën gjë u zverdh fare. Djersë të ftohta ia mbuluan ballin. E hoqi beretën me fjongo të zezë. Koka tullace u reflektua në obeliskun e lëmuar, duke ia shtuar edhe më tmerrin tronditës. U ul galuc, se nuk e mbanin këmbët. Një kove uji të ftohtë pusi dymbëdhjetë pashësh e solli në vete. Sërish i vanë sytë andej …

– Ha, ha, ha, sikur qeshte Azem Galica,  duke dredhur mustakun si kreshtë mali. Ngadalë he burrë, ngadalë, se ende s’po të nget kush. Si të zuri kaq keq frika? Unë me vite qëndrova nëpër burgjet dhe qelitë tuaja e kurrë nuk u ligështova. As kur krali i juaj më dënonte me vdekje nuk më trembte dot. Përkundrazi, veç forcohesha më shumë e vdekjen nuk e droja fare se e doja lirinë. Atë e çmoja më shumë se jetën. Edhe bijtë e nipat e mi sot po veprojnë ashtu. Toka mëmë më ruajti me fanatizëm në zemrën e plagosur plot dyzet e shtatë vjet. Dhe sërish keni ardhur të më trazoni. Sa keq, ende s’mblodhët mend. Si e keni humbur toruan sikur të isha gjallë. Ah, sa qyqarë që jeni, pakurrizorë fare. Por, s’keni faj ju. E dini se po përpiqeni kot së koti. Dikur edhe vetë do të turpëroheni për këto që po i bëni, por do të bëhet vonë …

– Ma sillni një çekan të madh,- bërtiti me zë hakërrues, saqë të tjerët brofën në këmbë frikshëm. Urdhrin ia zbatuan menjëherë. U mat ta qëllonte fuqishëm, por u ndal. Të gjithë ngelën gojëhapur. E nxori librin nga çanta ushtarake dhe një palë gërshërë të vogla që i përdorte për rregullimin e mustaqeve. Me duart që i dridheshin e preu foton e autorit dhe e futi në xhepin e përparmë.

– Do ta gjej ku është e ku s’është këtë bir bushtre e me këto duar do t’ia marrë shpirtin,- unguroi si bishë e plagosur, duke e shtypur mizorisht librin me çizmen e rëndë në bazamentin e betonuar. Çekani çau ajrin furishëm dhe copërat e mermerta tingëlluan zhurmshëm. As libri s’dukej më. U varros përdhunshëm. I sfilitur fare mezi arriti deri te vetura derëhapur. Veshët i oshtinin si daullja e shpuar. As kur i dha gaz shoferi nuk e ndjeu fare. Tek kur arritën përballë katërmbëdhjetë varrezave të reja u përmend dhe i hapi sytë. Por, sakaq e mbylli me duar se drejt tij u vërsulen ca si hije të përhitura e të përgjakura, duke ulëritur mërishëm:

– Kapeni kriminelin! Ky na sakatosi edhe në Qyqavicë. Po, po, ky vetë. T’ia nxjerrim sytë! Po, po, ky vetë. T’ia nxjerrim sytë!… T’ia presim kokën!… Ta therim në fyt!… T’ia presim duar e këmbë!… Ta djegim të gjallë! … Kapeni … Kapeni …

– Zoti gjeneral shtatë veta na i vranë në shkrepat e Galicës … Edhe katër kanë ngelur të plagosur rëndë … Një tank u rrokullis me dhjetë ushtarë në greminë…Edhe një kamion përplot ushtarë ra në mina…

Makina nxitonte tatëpjetë pa i vënë re gropat e hapura nga granatat e pa u vënë veshin lajmësve nga terreni që klithnin e çirreshin pas tij. Kokën e kishte futur nën xhaketë dhe me duar shtrëngonte tëmthat që po i pëlcisnin. Tek kur arritën para shkollës ndaloi dhe mori frymë pakëz. Dolën edhe oficerë të tjerë. Edhe mjeku me ca barna në dorë vrapoi për t’i dhënë ndihmën e parë. Pas një peniciline e mori veten dhe i çeli sytë. Shikoi për anësh si i çakërdisur. Përballë tij sërish Azem Galica. O Zot, ishte ëndërr apo i bënin sytë? Busti prej bronzi shkëlqente krenarisht mbi piedestal dhe sikur fliste me ironi shpotitëse:          ‘

– Eja, eja, se kudo që të vesh do t’ më gjesh mua. Ky është trualli im, kjo është toka ime e shtrenjtë. Nuk kam ku të shkoj tutje, jo.

E nxori me mundim revolen që ta qëllonte.  Sytë iu turbulluan e dora i dridhej si purteka në ujë. Shumë Azema i dolën përpara…

-O prite, prite Azem Galicën, ore!- ushtuan malet përreth. Nga Suka e Madhe vinte melodia e ëmbël e grykëhollës liridashëse. Ato nanurisnin lirinë. Zanat bukuroshe u mbanin iso. Nipat e Azem Galicës ia ujitnin rrënjët me gjak. Lulëkuqet bulbëronin edhe mbi dëborën e vonë. Zemra e kryetrimit buzëqeshte kudo: në Galicë, në Prekaz, në Oshlan, në Shalë, në Llap e në mbarë Kosovën martire. Ai po shihte lirinë duke hedhur shtat.

Kur i hapi sytë gjenerali pa se ishte në spital, në repartin e neuropsikiatrisë. Mbi kokë i qëndronin shumë mantelbardhë e vetë ishte i mbërthyer fortë për krevati. Secila foto në mur i ngjasonte në Azem Galicën. Dhe, ulërinte me zë duke e futur kokën thellë e më thellë nën çarçafin e bardhë. Kryemjeku drodhi kokën habitshëm. Puna e tij kishte mbaruar. Ishte në shkallën më të lartë të çmendisë.

Kishte kaluar mesi i natës dhe infermieri plak po kotej në kthinën e kujdestarisë kur erdhi një zhurmë mbytëse andej nga fundi i korridorit. Ai brofi trembshëm dhe përgjumshëm nxitoi nëpër dhomat e të sëmurëve. Në atë të parafundit ende pa e hapur derën përmes xhamash vërejti këmbë që lëvareshin në ajër. Gjenerali zemërkatil ia kishte shkurtuar jetën vetes. Çarçafi i bardhë, bërë si litar e i lidhur për neoni, ndrinte në qafën e tij të mavijosur…

Kreshtat e thepisura të Galicës vazhdonin të nxirrnin flakë e zjarr. Liria trokiste fuqishëm në gurët prej stralli, të cilët flakëronin nga gjylet e topit. Një shqipe fluturonte lart duke u përzier me avionët e NATO-s. Luftëtarët e lirisë, si Anteu i pavdekshëm, me këmbët në shkëmbinj bëheshin të paprekshëm. Vetëm atyre u takonte përjetësia!