Nuk udhëhiqet shteti pa legjitimitet!

Shkruan: Florim Zeqa                     15.11.2020

Nuk udhëhiqet shteti pa legjitimitet!

Për këto 20 vite, më ka rënë të dëgjojë deklarime dhe premtime të ndryshme nga politikanët kosovarë, por asnjëherë nuk e kam dëgjuar as dhe një zotim të vetëm, që « nëse nuk i përmbushi premtimet e dhëna elektorale para jush, do të tërhiqem nga drejtimi i partisë apo nga drejtimi i shtetit, si akt moral para qytetarëve dhe si ndëshkim ndaj vetes për mosrealizimin e premtimeve »!

Partitë politike duhet të ndjekin shëmbullin e skuadrave të futbollit

Një skuadër futbolli, e cila nuk arrinë rezultate të kënaqshme, ndodhë që ta ndërroj timonierin (trajnerin) deri në tre-katër herë brenda një kampionati,  ndërsa një gjë e tillë nuk ndodhë me partitë politike.

Edhe përkundër faktit që një parti e jona politike për 10 vjet rresht nuk e shënon asnjë fitore në zgjedhjet nacionale, vazhdon ta mbajë të njëjtin kryetar!

Kjo ka të bëjë për partitë e mëdha konkurente në garën zgjedhore, e jo për partitë e vogla që aspirojnë ngritjen lartë. Deri më tani, në tërë gjeografinë politike kombëtare, ka ndodhur vetëm një herë reflektimi i liderit partiak për humbje në zgjedhjet nacionale.

Po ndodhë pikërisht kështu, për faktin se humbësit po kthehen në fitues të zgjedhjeve, ndërsa fituesit po largohen nga drejtimi i shtetit!

Është krejt normale humbja në një palë zgjedhje e një lideri partiak, humbja e dytë duhet të shërbejë për ndërgjegjësim dhe reflektim, e treta nuk guxon të përseritet!

Si pasojë e kësaj, elektorati i dëshpruar, në pamundësi për ta ndërruar « trajnerin » në ekipin (partinë) e zemres, largohen nga ekipi (partia) dhe kalojnë në tjetrën. Por e keqja nuk përfundon më kaq, shkaku i kësaj klsase të papërgjegjshme politike, qytetarët e këtij vendi, me shpresa të humbura, me shpirtë të thyer dhe zemër të plagosur po e braktisin tërësisht vendlindjen e tyre-Kosovën, për të ikur drejt vendeve të panjohura në kërkim të një jete më të mirë!

Kështu, atdheu ynë i dashur Kosova, përveq aspektit gjeografik, gjegjësisht të tkurrjes në territor nga fqinjët e saj, nga keq-qeverisja dhe denigrimi social që po ju shkaktojnë politikanët shqiptarë, po tkurret edhe në aspektin demografik, me largimin e popullatës nga trojet e tyre stërgjyshore.

Dorëheqja e Sali Berishës, shëmbull i një burrështetasi të përgegjshëm

Dorëheqja nga posti i kryetarit, si akt moral për humbjen e partisë në zgjedhje është prezente në të gjitha vendet e zhvilluara dhe demokratike, por jo edhe në Kosovë.

Pas humbjes së thellë në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013. Lideri historik i Partisë Demokratike (të Shqipërisë), Sali Berisha është i pari liderë në hapësirat mbarë shqiptare që e kishte pranuar përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve, duke e ndjerë veten si përgjegjësi vetëm i humbjes, duke dhënë dorëheqjen të parevokueshme nga posti i kryetarit të PD-së, të cilën e mbante prej 22 vitesh.

Dorëheqja e liderit demokrat, Sali Berishës, përveqse pjekuri politike dhe akt i lartë moral, është shembulli më i mirë, i cili duhet ndjekur nga liderët e partive tona politike.

Dorëheqja e Sali Berishës ishte diçka madhështore, e përshkruar me ndjenja të fuqishme nga mbështetësit e PD-së, ishte ngjarja që do të mbetet përherë në kujtesën shqiptarëve, për ta kujtuar Sali Berishën si një lider i madh dhe mbi të gjitha njeri i dinjitetshëm dhe përgjegjshëm, i cili fatin e tij personal e ndanë me qytetarët e vendit të tij.

Vetëm tek ne në Kosovë ndodhë, që partia të udhëhiqet për 10 vjet nga humbësi serik i zgjedhjeve dhe shteti të udhëhiqet nga humbësit e zgjedhjeve! Kjo flet për mungesën e nivelit demokratik dhe moral të politikanëve tonë!

Dëmet që klasa aktuale politike i ka shkaktuar Kosovës, janë të mëdha dhe të pallogaritshme, të dëmshme për sovranitetin dhe integritetin e shtetit, por akoma më të dhimbshme për thyerjen e shpresave të qytetarëve për jetë në atdheun e tyre.

Nuk rritet partia me dhunimin e fjalës së lirë dhe improvizime zgjedhore, si dhe nuk udhëhiqet shteti pa legjitimitet qytetar.