Nuk i kanë hidhërua ende!

(Satirë)

Nuk i kanë hidhërua ende!

Në vitet e nëntëdhjeta, kur pushtuesi serb po bënte lloj- lloj torturash e sjelljesh  çnjerëzore në Kosovë, duke e përçmuar popullatën shqiptare në mënyrat më të ulëta të mundshme…

Një milic serb, tek po e godiste një qytetarë shqiptarë në mes të rrugës e në pikë të ditës, aty pari po kalonte një qytetarë tjetër i cili po i thotë:

–        Nxirre atë të shkretë nga brezi o vëlla, dhe zbrazja milicit serb në dërrasë të gjoksit, së të sakatoj duke të goditur!

–        Qe besa mirë e ke ti, por nuk më ka hidhërua ende- ia ktheu ai!

–        Si nuk të ka hidhërua, a nuk e sheh që të sosi duke të goditur!

–        Po, ky po më godet, por ende nuk më ka hidhërua sa me e nxjerrë atë- ia ktheu ai!…

Si duket edhe këta të PDK-ës, AAK-ës dhe Shoqatat e Veteranëve, ende nuk i ka hidhërua Gjykata Speciale, ani pse i ka burgosur gati të gjithë krerët e këtyre subjekteve, njëherësh ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këto subjekte politike e shoqata, po presin sa t’i dënoj Gjykata Speciale djemtë tanë, dhe tek pastaj do të hidhërohen e do ta ngritin zërin, madje edhe në rrugë me ndonjë protestë 10 a 15 minutë-she, diku në ndonjë shesh me nja 10 a 15 burra!…

Njëri nga anëtarët e PDK-ës, në shenjë revolte tha:

Që besa kishim protestua që sa s’ta merr mendja, por na e prishi ky Dardani mor burrë, po ngutet e po del i pari, dhe ne pastaj s’po kemi së çka të themi e ku me ia ngjitë… po prit sa të hidhërohemi edhe pak se ende nuk na kanë hidhërua sa duhet!…

Shtator, 2021
Ngucakeqi