Nostalgji dhe “xhelozi” për Adem Lushajn!

Nostalgji dhe “xhelozi” për Adem Lushajn!

Shkruan: Bajrush Morina

Pasi kam përfunduar së lexuari dorëshkrimin e librit publicistikë, “Ecje nëpër kujtime” të Adem Lushajt jam ndjerë nostalgjik dhe “xheloz”. Ja arsyeja? Ecjet e Ademit nëpër kohë e kujtime dhe shtegtimet e tij nëpër bukuritë gjeografike e historike të trojeve shqiptare, më kanë kënaqur zemrën dhe më kanë mallëngjyer shpirtin. Madje, gjatë shtegtimit të tij herë në Plavë e në Guci, herë në Istog e herë në Berat, herë në Shkodër e herë në Deçan, e kam pyetur veten: Pse unë nuk kam qenë bashkudhëtar i Ademit në vend të Zekë Sinanajt apo Zeqir Mehmetajt, për shembull. Ademi i ka miq të ngushtë edhe Zekën edhe Zeqirin, ka mundur mua të ma “bëjë një za” dhe bile në Berat ishim shkuar bashkë ose në Shkodër? Por, unë kam “shtegtuar” me Adem Lushajn, jo vetëm nëpër këto vende, por edhe me shumë se sa ecja nëpër kohë e përfshirë në këtë libër publicistik të Adem Lushajt. Kam patur rastin, nderin e kënaqësinë që ecjet apo shtegtimet e Ademit t’i lexoj në dorëshkrime gjatë punës tonë të përbashkët në gazetën Bota Sot, e më pas edhe në Botapress. Shkrimet e Ademit në fakt i kam lexuar vetëm nga kureshtja që të jem i informuar sepse ato shkrime nuk kishin nevojë as për redakturë e as për lekturë. Niveli profesional e gjuhësor i shkrimeve të Ademit ishte mbi mesataren e shkrimeve që botoheshin në gazetat e lartpërmendura. Krejt çka kisha ndonjë porosi, Ademi më përgjigjej: Po u krye. Po shkoj në vend të ngjarjes! Tash po e marr Xhevat Ibrajn në telefon dhe më tregon më shumë për rastin! U bë Bajrush (Ademi më thoshte shef, por mua nuk më pëlqen ta quaj veten kështu në raport me Ademin), nesër e ke intervistën e gatshme me vëllain e heroit Sali Çekaj, etj etj. Duke lexuar “Ecjet nëpër kujtime” kam njohur dhe shijuar jo vetëm ceremonitë e manifestimeve të rëndësishme kulturore në Kosovë, në Ulqin, Plavë e Guci, Berat e Shkodër, por kam mësuar se në Bjeshkët e Moknës në Istog, ende ruhet rituali i qethjes së deleve, një traditë që unë e kisha përjetuar që në fëmijërinë time të hershme e që sot e kujtoj me nostalgji.

Libri “Ecje nëpër kujtime” i autorit Adem Lushaj është vërtetë një monografi për nga përmbajtja dhe për nga renditja strukturore e stilistike e shkrimeve. Në këtë libër janë të përfshirë pothuajse të gjitha zhanret e shkrimeve të gazetarisë. Ka reportazhe, intervista, komente e analiza për dukuri që janë aktuale edhe sot jo vetëm një hapësirën gjeografike të Deçanit e Dukagjinit, por edhe më gjërë.

Për fund, po ua tregoj edhe arsyen e “xhelozisë” time profesionale ndaj Ademit! Një seri shkrimesh të tilla si të Ademit më sillen e pështillen si dorëshkrime edhe nëpër kompjuterët e llap-topët e mi të punës. Por asnjëherë nuk po më “del kohë” që t’i bëj bashkë, jo vetëm në një libër. Ademi duket se është treguar më i kujdesshëm ndaj vetvetes dhe krijimeve të tija. I ka bërë bashkë, i ka përmbledhur në një libër dhe tash është i qetë si një prind që i rehaton fëmijët e vet e u thotë: Tash udha e mbarë në kohë e hapësirë! Uroj që me Adem Lushajn në ecim edhe në të ardhmen nëpër kujtimet dhe shtegtimet e tija të pa ndaluara!