Njeriu që s’do me pa!

Nga Reis Mirdita

Jo vetëm që s’do me pa por as nuk donë të dëgjoj. Dëgjon po i këndet se i duket vetja që po rrinë në diell e rrezitet në Malibu, Miami ose Palma kur princat e tij zhagmiten me fjalë. Princa me diploma të befasishme që po ia hanë njeriut (mos të them popullit se po bëj mëkat të pamerituar) dheun ndër këmbë. Dhe njeriu nën diell, thotë nuk merrem unë me politikë e tërë ditën flet për të sikur të dashuruarit e freskët për njëri tjetrin.

Njeriu nën diell ose nën ëndrrën “bëne Zot!” kënaqet, nervozohet, lavdëron, shanë… princlertë e vet që nuk u mbyllet goja duke akuzuar “shoi-shojn” për tradhti në dobi të Serbisë, Euleshit, U(a)NMIK-ut e dreqit të shituar; hajdutë të 3%, të Vendlindjes, të lloj-lloj ndihmave…

Njeriu shikon po nuk sheh! Ah jo, jo, nuk do me prishë ëndrrën dhe rrezitjen dimër e verë! Nuk i bëhen vonë se princat e tij të kohës janë pasanikë e gazetarë brenda nate. Ca prej tyre dinë me sha në tetë gjuhë por s’ka gjë që nuk janë në gjendje me i thënë dy fjalë të përpikta as në “amtarishte”. Më kryesorja është se e lëshojnë gjuhën nëpër fjalë aromatike. Dhe njeriu i ynë flen dhe nuk i pengojnë aspak këta “princa” që fund e krye pa asnjë dallim kanë marrë votën e njeriut gjumash i cili në jermi ndoshta, u ça dhe e futi votën në kuti. Detyrë qytetare për të zgjedhur moskushin, moskushat, lart e poshtë.

O, njeri, edhe ti më dukesh si princat e tu! Nëse nuk je, zgjohu dhe vepro kur t’a kesh n’kutì! Votoj së paku ata që nuk vjedhin e nuk të fyejnë?

Zgjohu njeri!

Por JO, mos e prish gjumin, janë duke i nxjerrë vet të bëmat e tyre në lendinë,! Ti vetëm mos harro ditën e votimit dhe aman, mos vrapo pas mangërave por voto si NJERI i plotkumptimtë!