Njeriu i mirë dhe qentë e tij

(Metamorfoza nën sundimin e qenieve të errëta) XVIII

Nga Reis Mirdita

Kosovë. Bregu kufitar me shtetin amë. Vitet e pesëdhjeta e këndej. Periudhë kjo e tmerrit komunist ku sajesat, inkriminimet, dhuna dhe ndjekjet e popullatës të rërë në duar të një kulture dekadente dhe të egër ateist-komuniste; me nacionalizëm cinik të quajtur vëllazërim bashkim ku e pësonin në radhë të parë popujt jo sllav por edhe të tjerët që nuk lejonin të mposhten nga ky sistem kryekëput i dëmshëm diktatorial, shtyri njeriun të gjejë mënyra të ndryshme të mbrojtjes se qenies kombëtare, fetare dhe moralin familjar duke mbrojtur kështu integritetin e vet në përgjithësi. Krejt kjo nuk ishte aspak lehtë sepse çdo aktivitet i dyshimtë ndëshkohej me njollosje armiqësore dhe me burg të pajustifikuar apo thjeshtë arsyetohej në mënyrat më banale gjoja të mbrojtjes së sistemit në fjalë.

Në vështirësi për të vepruar në bashkësi, qoftë edhe në grupe të vogla, shqiptarët e shkelur gjer në asht, filluan mbrojtjen individuale me provokime të matura sa për ta nervozuar diktaturën e cila egërsohej dhe niste t’i nxjerrë dhëmbët e xhindeve e me këtë, ajo jepte shenjat e para të frikës dhe shkatërrimit.

Në këtë modë veprimi, në zonën kufitare që përmenda, një i ri të cilin nuk kam pasur mundësi ta takoj personalisht por që kam mbledhur të dhëna nga bashkëbisedues që e njihnin këtë person të quajtur IG (inicialet e sakta por nuk kam arritur të marr pëlqimin për publikim të identitetit të plotë), të dhëna nga të cilat kam ngritur historinë e verifikuar nga shumë burime të kohës gjer sa jetonte dhe pas ndërrimit jetë të këtij fshatari të cilin e konsideroj trim e sidomos njeri i mirë që dha krejt nga koha e tij për të mbrojtur fshatin dhe besa edhe fshatra të regjionit të tërë.

Paragrafët mësipër, më tepër i ngjajnë një monografie, saktë por vazhdimi është i mbushur me të dhëna që i konsideroj si mitologji reale ose më shkurt një e vërtetë e kombinuar me atë që njeriu e quajti mitologji kurse në rastin e veprës sime, vlerësoj se krejt “mitet” e dhëna janë pjesë e jetës reale nga ku erdha në përfundim që krejt të dhënat e tilla t’i quaj “mitologji reale”.

E pra, i riu IG, i frymëzuar nga qenie hyjnore, fitoi virtyte që nuk mund t’i posedonte njeri i pa guxim dhe i cili nuk bluante në shpirtin e vet ndonjë rezistencë ndaj ateizmit dhe pra sistemit të tillë me kode jetësore të pa ideal hyjnor si që janë besimi, liria, mvetësimi…

Ecuria

Ishin këto vitet e pesëdhjeta të pas LDB… Të mëdhenjtë e pushtetit nga Beogradi, Prishtina dhe “komitetlij” nga qytete tjera, vinin gati çdo javë në gjueti, dimër e verë. I mblidhnin me “Thirrje” gjuetarët e anës, u jepnin nga një *mangër dhe i çonin të ndjekin derrat e egër si dhe gjah tjetër e t’ua sjellin në prehër gjuetarëve të ardhur për pikën e qejfit. Shtinin mbi egërsirat kur afroheshin të ndjekura nga njerëzit zagarë dhe nga zagarët e tyre. E rrëzonin egërsirën gjithë duke ndenjur ulur në kërriga të ndrequra enkas, me këmbë speciale që të mos zhyteshin në borë a në dhe të lagur gjatë sezonës së dimrit…

IGës iu dha ideja dhe dhuntia! Ai filloi njëherësh, pa asnjë përgatitje paraprake, t’i mbledh qentë e fshatit, iu jepte bukë për çdo mbrëmje dhe filloi të shëtis me ta. I lidhte njërit nga ta një llambë me bateri kurse një tjetri, një zile kumbuese në qafë dhe endej natën. Sekreti më i madh i kësaj ishte se dy qentë e zgjedhur si udhërrëfyes ishin xhinde por të lindur me pamje normale dhe as prindërit e tyre nuk dinin gjë! Ata natën transformoheshin në qen nga fuqia dhe të dhënit e forcës së mbisundimit të të riut IG. Këta dy persona ishin kallauzë kryesorë të sundimtarëve komunistë. Ata lajmëronin sa herë qendrat e komiteteve në qytetet e afërta dhe përveç gjahut, këta pushtetarë servoheshin edhe me vajza apo nuse të reja të marra që një apo dy ditë më parë nga milicia në biseda informative për armë në familje të tyre.

Këta dy qen IG i rrihte me kamxhik pa mëshirë e për çdo natë. Ai nuk mund t’i mbyste sepse e dinte mirë që shpirti i zi i tyre do të ndërroj vend e me siguri edhe lloj. Kështu së paku i kishte para syve dhe e zvogëlonte në maksimum aktivitetin e tyre të pistë.

Pika e tjetër e fortë e këtij të riu ishte mënyra e ngushtimit të gjuetisë nëpër këto male shqiptare. E reduktoi gjer në zero prezencën e zagarëve të cilët iknin nga zinxhirët dhe i bashkoheshin tufës së tij. Elita e gjahtarëve komunistë, në mungesë të langonjve, tubonin langonjtë e tyre me dy këmbë. U jepnin nga dy mangëra alumini dhe i shtinte duke filluar nga majat e zabeleve, të lehin si qen, ashtu të ndarë në grupe dhe i tmerronin derrat e egër të cilët ia merrnin ikës përroit teposhtë ku rrokulliseshin nga pushkë të gjahtarëve të “famshëm” që i rrëzonin pa shpirt, ashtu për qejf se jo për idare.

IG për këto “marifete” të tijat ishte thirrur disa herë në stacionin policor të fshatit por edhe në Gjakovë e Pejë mirëpo asnjëherë nuk pranoi se bënte këtë tubim të qenve me ndonjë prapavijë. Thoshte se qentë mblidhen vetvetiu pas tij. Ata vet zgjidheshin nga zinxhirët, pa pasur nevojë t’i zgjidh kush njeri e pra u thoshte: ”Si i mbledh unë kur ata këpusin edhe hekurat më të trasha dhe kërcejnë murnajat më të larta dhe i bashkëngjiten grupit”.

Njëri nga personat që më tregonte ngjarje nga jeta e IGës, (ngjarje nga viti 1980) e takon atë përpara xhamisë në qendër të fshatit dhe i lutet t’i bashkon qentë, sa për të pa ashtu, pa ndonjë qëllim tjetër. IG e shikon në sy dhe i thotë:

-Ti nuk je besnik i qenve (pra nuk i donë qentë) dhe posa t’i bashkoj, do të sulmojnë!

Bashkëbiseduesi im më konfirmoi vet dhe pyetej se si me një shikim,  IG q diti që ai nuk i do qentë!

(Vazhdon)

*mangër, monedhë metalike me vlerë të vogël ose e dalë nga përdorimi.