NJË VEPËR SHUMËDIMENSIONALE

Recension:

Dr. Mehmet RUKIQI   

 

 NJË VEPËR SHUMËDIMENSIONALE

(Bedri TAHIRI, Kamer e Murat Loshi, në histori dhe në traditën gojore, Lena, Prishtinë, 2019)

Vepra  monografike “Kamer e Murat Loshi, në histori dhe në traditën gojore”, e shkrimtarit të merituar Bedri Tahiri, është edhe një kontribut i veçantë për artin dhe letërsinë, traditën dhe historinë tonë kombëtare.  Koncepti i veprës është i qëlluar dhe formë kryesore e mendimit logjik. Shpreh vetitë dhe raportet e dukurive reale, materiale dhe shpirtërore. Me konceptin, synohet zbulimi dhe paraqitja e së vërtetës. Kjo është trajtuar edhe në filozofinë antike. Sokrati mendonte se “Pa koncept nuk ka njohuri të sakta as mirësi morale”. Aristoteli pohonte se: “Kërkimet logjike duhet të fillojnë me përcaktimin e konceptit apo të emrit”. Më tej, Hegeli thoshte: “Konceptet janë esenca e dukurive. Kuptohen vetvetiu. Sistemi i koncepteve është sistem i realitetit”[1]. Jepen mendime deri në ditët e sotme për konceptet dhe rezultojnë se “Pa koncepte nuk mund të ketë gjykime, por as gjykime pa koncepte”.

Të gjitha këto elemente janë zbatuar me përpikëri në veprën e 40-të të autorit Bedri Tahiri, me titullin përmbledhës “Kamer e Murat Loshi, në histori dhe në traditën gojore”, ku, me një mjeshtri e aftësi prej artisti bëhet sistemimi i rrethanave të jetës dhe të veprimtarisë së kryeprotagonistëve dhe bashkëluftëtarëve të tyre.

Bedri Tahiri, së pari, përcakton dhe formulon konceptin, përkatësisht, emërtimin e veprës. Vijon me shtjellimin, vlerësimin e gjykimin, nga aspekti përkatës teorik, letrar e traditor, siç është kujtesa popullore. Personazhet, Kameri e Murati, ishin ekzistues. S’kishin nevojë për petkun imagjinar. Në ndërgjegjen e tyre, herët u mboll dhe u rrënjos ideali i atdhedashurisë dhe i gatishmërisë, i vetëmohimit dhe i flijimit, për çlirim dhe mbrojtje nga okupatorët.

Autori, për  jetën dhe veprimtarinë  e tyre, në mungesë të dokumenteve arkivore, i drejtohet kujtesës popullore. Kujtesa është proces psikik. Merret me të mbajturit mend të përvojës, të informacioneve, ngjarjeve e figurave. Aktivizon rinjohjen e riprodhimin e përjetimeve”.[2]

Kujtesa, për Kamer e Murat Loshin i takon llojit “blic” të kujtesës. Manifestohet në mbajtjen mend dhe në riprodhimin e saktë të atyre hollësive, personaliteteve e ngjarjeve, që kanë rëndësi vitale për një individ të caktuar, për grupin, etninë apo kombin, si kujtesa për Kamer e Murat Loshin. Përgjigjet, në pyetjet eventuale për Kamer e Murat Loshin, jetën dhe veprimtarinë e tyre luftarake, nuk varen nga të menduarit e tepërt. Janë, pothuajse, në maje të gjuhës, si “vetëtima apo blici”. [3]

Vepra e Bedri Tahirit, në kuptimin konceptual dhe teorik-letrar, është monografi e mirëfilltë historiko-letrare, e pajisur me aparaturën e duhur shkencore.  Lexuesve u ofrohet një ndihmesë e madhe njohëse dhe nxitëse për hulumtimin e thellimin e mëtejmë në këtë lëmë të shkencës, të kulturës dhe të artit. Është një studim i gjerë dhe i hollësishëm. Trajton një çështje të veçantë, të paraqitjes së rrumbullakësuar, të një problemi a syzheu. Paraqitet më anë të një vepre, në mënyrë të  hollësishme, analitike, të gjerë, të përmbaruar dhe të plotë.

Kamer dhe Murat Loshi ishin kushërinj të parë. Sejdiu, babai i Kamerit dhe Sadriu, babai i Muratit, ishin vëllezër. Kameri u dallua për burrëri, trimëri e fjalëpakë, ndërsa Murati, përveç këtyre, edhe për zgjuarsinë dhe mençurinë prej eruditi, siç thotë autori. Edhe të tjerë, nga kjo lagje, përmenden për virtyte të larta, luftëra e guxim të paluhatshëm, nëpër periudha të ndryshme kohore-historike.

Elfije dhe Ajkune Loshi, bijat e Sylë Loshit, me sëpata, luftojnë kundër një grupi të ushtarëve serbë, që ua morën të vëllain,  Selimin, për ta pushkatuar. Ajkuna, me disa të rëna sëpate, e mbytë të parën. Elfia merr pushkën e të mbyturit dhe i qëllon për vdekje edhe dy kriminelë. Të tjerët marrin ikën…

Bedri Tahiri, fillimisht, ofron të dhëna për Drenicën, me rëndësi të përgjithshme historike e gjeografike. Jep një pasqyrim për Padalishtën dhe Loshët, që sajojnë një kapitull të veçantë të veprës. Ata ishin drejtues, pari e pleqnarë të fshatit, të Drenicës e më gjerë. Përmenden: Hajzeri, Dauti, Murati  e Mujë Loshi. Loshët kanë prejardhje nga fshati Carrabreg i rrethinës së Deçanit. Janë të fisit Gash. Kushërinj fisi kanë në Batushë të Gjakovës, në Bellopojë të Istogut etj. Në Kosovë, njihen dymbëdhjetë fise: Bytyçi, Gashi, Helshani, Hoti, Kastrati, Kelmendi, Krasniqi, Kuçi, Morina, Shala e Thaçi.

Gashi është fisi më i përhapur në trevat shqiptare. Fisi Gash, në Drenicë, shtrihet në 34 fshatra: Në Açarevë, Arllat, Brabaniq, Çikatovë, Dubofc, Klinë e Epërme, Klinë e Nërmjeme, Klinë e Poshtme, Klladërnicë, Komaran, Kopiliq i Epërm, Kopiliq i Poshtëm, Koprivë, Kostërc, Kryshefc, Kuçicë, Llaushë, Lubovec, Llapushnik, Makërmal, Marinë, Nekofc, Padalishtë, Petreshticë, Qubrel, Radishevë, Rezallë, Runik, Suhogërrllë, Shtuticë, Tërstenik, Vërbofc e Vitak.

Për fisin Gash, sipas këngës popullore, të krijuar nga Dervish Goxhuli, Azem Galica paska thënë:

Trimave hakun mos me jau ngranë,

Luboveci gjithmonë janë kanë.

Gjithë janë kanë e kanë luftue,

Plumi huq kurrë s’ju ka shkue.

Gjithsaherë kur jam ngushtue,

Djemtë e Gashit m’kanë nimue.

 

Profesor Eqrem Çabej, mendonte se: “Fiset shqiptare janë histori e pashkruar e popullit shqiptar, me zanafillë nga ilirët, si njomëza të fundit të një druri vigan, të lidhura me një të parë të fisit”[4].  Në krahinën e Tropojës, në verilindje të Shqipërisë, fiset janë më të theksuara. Gashi, me sipërfaqe, është i dyti pas Krasniqes. Është i përhapur thuajse në gjitha trevat shqiptare, sidomos në Shqipërinë e Veriut në përgjithësi, në Kosovë e në Mal të Zi. Vlerësohet për burrëri e mençuri, për virtyte më të larta njerëzore e morale. “Në trungun gjenealogjik, në krahinën e Tropojës, degëzohen fiset: Gashi, Krasniqi, Nikaj, Mërturi, Berisha, Shipshani, Bytyçi, Hoti, Shala, Kelmendi e Vuthaj”[5].

Edhe nga  studiues të huaj, mendohet se: “Rajoni i fisit Gash ndodhet në Qarkun e Tropojës, që nga ana lindore e qytetit Bajram Curri e deri në Gjakovë. Shtrihet në luginën e Llugajt dhe në atë të Lumit Bushtrica. Kufizohet me Krasniqen, Bytyçin dhe Qafën e Luzhës. Vendbanimet e Gashit, më të njohura në këtë krahinë, janë: Tropoja, Mejdani dhe Luzha”[6]. Mujë Loshi, krijuesi dhe bartësi më  i njohur në Drenicë, i krijimtarisë gojore thoshte: “Janë shtatë fise kryesore: Berisha, Gashi, Hoti, Kastrati, Kelmendi, Shala e Thaçi. Të tjerat janë rrëshemat e bletës”. Bedri  Tahiri jep një vlerësim të veçantë për odën dhe mençurinë e burrave, në përgjithësi, e të Loshëve, në veçanti.

Bedri Tahiri, personalitet dhe ngjarjet historike i radhitë sipas vendit dhe rrethanave, në përputhje kronologjike. Përkujton udhëkryqet e historisë, sidomos prej vitit 1912, kur shqiptarët ishin në gjendje shumë të vështirë. U hodhën në luftë guerile e frontale, kundër osmanëve dhe fqinjëve, okupatorë të rinj, serbo-malazez. Kampi famëkeq “Balta e Runikut” ishte shembulli i vetëm i zullumit pa kanar, ndoshta edhe në Evropë. Por, edhe lufta me sakica e bijave të Loshëve, ishte shembull unikat i mbrojtjes së ekzistencës.

Beteja e Belicës është epiqendra e kësaj vepre, shumëdimesnionale e Bedri Tahirit  “Kamer e Murat Loshi, në histori dhe në traditën gojore”. Këta dy trima të pa epur, më 4 mars 1924, së bashku edhe me Zenel e Zeqir Loshin, vëllezër të tyre, Tush Selmanin  e Izbicës, Mic Tahirin e Kllodernicës e Fazli Çabrën e Çabrës, të gjithë pjesëtarë të Lëvizjes Çlirimtare Kaçake të Kosovës, pozicionohen në një  “sh’pi pej gardhi” apo kasolle, në fshatin Belicë. Rrethohen nga xhandarmëria e disa stacioneve, pjesëtarë të ushtrisë dhe banda çetnike, me armatim më modern të kohës.

Fillon një luftë e jashtëzakonshme, ku kasollja e mbuluar me kashtë dhe mure prej gardhi, qëllohet me top. Fazli Çabra, që provoi ta çajë rrethimin, vritet  i pari. Plumba e granata mbi kasollen godasin si breshëri i përcjell me rrufe. Kamer Loshi plagoset rëndë. Si komandant i çetës, i urdhëron luftëtarët që të largohen e vet të qëndrojë deri në frymën e fundit. Momenti i ndarjes prej Kamerit, për bashkëluftëtarët ishte me i rëndi. I dhuruan vetëm përqafime e lot dhe një sasi municioni. Ishte ky akt i një drame në tragjike:

“Thrret Kameri, o Murat,

Hajde vëlla afromu ngat.

Merre vëlla këtë sahat,

E bajshë me shnet e ymer  të gatë

Merri vëlla edhe këta qostek,

Kamer Loshi sot po i hjek,

Me dorë teme po ti jep vet,

Kamer Loshi ma n’gjyks si qet,

Merre vlla edhe kit kuti,

Duhan, Kameri ma  s’ka me  pi”.

 

Sipas autorit Bedri Tahiri, “Kamer Loshi u bë sinonim i qëndresës sonë nëpër shekuj”.

Bedriu posedon me aftësi parësore krijuese, letrare dhe hulumtuese e trajtime shkencore; me gjuhën dhe gjetjen e lehtë të fjalëve dhe ndërtimin e fjalive, me shprehje të rrjedhshme e të kuptueshme. Zbaton një metodologji cilësore, krijuese, analitike e sintetike. Aftësia e tij u paraprinë edhe i përmbyll proceset e veprimtarisë letrare. Besimi i tij për suksese të sigurta, bazohet në argumentime të rëndësishme. Dinjiteti i Bedriut përbënë tërësinë e virtyteve dhe vlerave morale. Gjuha e  tij është në nivel të standardit, si gjuhë e të folurit dhe e  të shkruarit të drejtë. Ideali i tij është ndjenjë e dëshirës më të lartë dhe e vullnetit të pathyeshëm.

Inteligjenca e Bedri Tahirit përshkohet nga konkretizimi i mençurisë dhe i praktikës, si aftësi e të kuptuarit të botës, të sjelljeve adekuate dhe, në fund, krijimtaria e tij, në përgjithësi, dhe “Kamer e Murat Loshi, në histori dhe në traditën gojore”, në veçanti, është rezultat i angazhimit të mendimit krijimtar të vlerave materiale, shoqërore e shpirtërore të rëndësishme për zhvillimin e gjithanshëm.

 

         Prishtinë, prill 2019                 

[1]  Ekrem Murtezai, Fjalor i filozofisë, Toena, Tiranë, 2007, f. 210.

[2] Pajazit Nushi, Leksikoni i psikologjisë, vëllimi I, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2014, f.440.

[3]  Pajazit Nushi, Po aty, f.440- 442.

[4] Prof. Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, vëllimi V, Prishtinë, 1978, f.351.

[5]  Ibrahim Kadri Malaj, Tropoja në breza, “Dardania”, Tiranë, 2003, f.5.

[6] Robert Elsie, Fiset shqiptare, Artini, Prishtinë, 2017, f. 251.