Një reagim i prerë por dashamirës i poetes Sevëme Fetiqi

Në faqen të Facebook-ut, poetesha Fetiqi ka publikuar sot një reagim më të gjatë por konciz. Filolet më poshtë e transmeton shkrimin e plotë:

L’image contient peut-être : 1 personne, debout, arbre, plein air et natureREAGIM NDAJ SJELLJEVE TË PAPËRGJEGJËSHME TË KRYETARIT TË LSHAKSHGJ PAL SOKOLI SI DHE NDAJ SHKRIMIT INFORMATIV TË PRANVERA GJONIT RRETH MANIFESTIMIT LETRARO-POETIK „AZEM SHKRELI“ NË ENNEPETAL TË GJERMANISË

Shkruan Sevëme Fetiqi

Është traditë e jona shqiptare, kur fton mysafirë t´i presësh dhe t´i përcjellësh mysafirët sa më mirë. Kështu ka ndodhur edhe në manifestimet tona poetiko-letrare dhe kulturore gadi njëmbëdhjetë vjet dhe çdoherë mysafirët tanë nga e tërë Gjermania, por edhe nga shtetet tjera e nga Kosova, kanë qenë të kënaqur dhe të mirëpritur. Shpresoj, se do të jetë edhe më tutje kështu, duke marrë parasysh problemet aktuale dhe tensionet që mbretërojnë në LSHAKSH.
Javën që shkoi në Ennepetal të Gjermanisë u organizua manifestimi tradicional poetiko- letrar “Azem Shkreli“, i cili manifestim organizohet gadi dhjetë vite nga LSHAKSH Gjermani. Dhe, për tërë këto vite në këtë manifestim morën pjesë shumë e shumë krijues nga të gjitha vendet nga mërgata si dhe nga Kosova, ku edhe shumë morën mirënjohje, lëvdata dhe shpërblime.
Kryesia e gjërë dhe anëtarët tjerë të LSHAKSH (Lidhja e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve) në Gjermani, së bashku me familjen e shkrimtarit tonë të mirënjohur Azem Shkreli, kontribuan që organizimet të çfaqen sa më mirë dhe të sjellin vlera.
Mirëpo, dy vitet e fundit ky manifestim sikur po qëndron në shtylla, të cilat janë dobësuar dhe janë duke u shembur, nga fakti se kjo Lidhje përveç këtij manifestimi në Ennepetal, pothuajse asnjë organizim tjetër kulturor nuk ka organizuar për këto vite.
Heshtja ime deri sot, e besoj edhe anëtarëve të tjerë të Kryesisë, ndaj këtyre dobësive, qëndron vetëm ndaj respektit për LSHAKSH, si një institucion; të cilin me shumë kolegë e kolege e themeluam dhe punuam shumë, që të arrijmë vlera, të ruajmë traditat tona shqiptare në mërgatë, ta ruajmë gjuhën tonë të ëmbël dhe identitetin kombëtar si dhe njëkohesisht t´i bashkojmë shumë krijues në një vatër arti, e kur është fjala për manifestimin në fjalë, në veçanti respektit për familjen e shkrimtarit tonë Azem Shkreli, që kontriboi, poashtu moralisht dhe materialisht në realizimin e këtij manifestimi, me qëllim që të dëgjohet fjala e bukur poetike, por edhe që ta kemi gjithmone të gjallë në mes nesh vargun dhe shpirtin poetik të Azemit.
Në të vërtetë para dy vitesh filluan shumë dobësi të theksuara në këtë Lidhje. Anëtarët e ngushtë të Kryesisë filluan të kërkojnë nga Kryetari më shumë transparencë e cila mungonte, kërkuan që të mbahen mbledhjet e Kryesisë, të cilat fare mungonin. Asnjë anëtar i saj nuk i dinte detyrat dhe obligimet para dhe gjate organizimeve, nuk respektohej statuti i LSHAKSH si dhe injorohej nga Kryetari çdo propozim apo këshillë për të mirën e organizimeve dhe mbarëvajtjes së tyre. Të gjitha këto anomali, dobësi dhe anashkalime, ekzistojnë edhe sot me faktin se shumë anëtarë të Kryesisë së ngushtë si psh. dy nënkryetarët kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre, sekretarja, zëdhënësja, arkatari dhe shumë anëtarë tjerë i kanë „ngri“ aktivitetet e tyre me mos pagimin e anëtarsisë (e drejte kjo sipas statutit), derisa në këtë Lidhje, të fillojë të mbretërojë transparenca dhe respektimi i punës dhe mendimit edhe të anëtarëve të saj nga kryetari.
Të gjitha këto poste, vendime, detyra financiare, pranim të anëtarëve të rinj, shpërndarjen e mirënjohjeve, caktimin e jurive për shpërblime etj i kryen vetëm një person në këtë Lidhje e ai është kryetari i LSHAKSHGJ Pal Sokoli.
Faktikisht pyetja është: – A ekziston në të vërtetë kjo lidhje më, a mund të fuksionojë një lidhje e tillë me një person dhe a është e drejtë të ftohen krijuesit, që me pjesëmarrjen e tyre kontribojnë në manifestimet e tilla në emër të kësaj lidhjeje, apo në emër të Pal Sokolit, mbase kjo lidhje në fjalë, është shndërruar në lidhjen e tij private, ku ai, pa u konsultuar me anëtarët e Kryesisë fton kë të don vet , lenë që pjesëmarrësit mysafirë të udhëheqin programin, të dalin në binë dhe të flasin sipas tekeve të tyre, pa pas ndonjë kontroll paraprake, edhepse e dijmë se nuk është gjë e mirë të jesh zot në shtëpinë e huaj. Mysafiri duhet ta ketë vendin e vet dhe nikoqiri vendin e vet.
Ne shpesh i akuzojmë sulltanët, por sillemi si sulltanët kur vijmë në poste. Pasqyra dhe dëshmia më bindëse ishte se në manifestimin e fundit pikërisht në Ennepetal, mungonin te gjithë anëtarët e Kryesisë së ngushtë, përvec Kryetarit, me përjashtim të dy-tri anëtarëve nga Kryesia e gjërë, të cilët jetojnë e veprojnë në afërsi të Ennepetalit.
Ka ndodhur që viteve të kaluara shumë nga ne, kemi udhëtuar edhe nga 600-800 km, pa kurrfare kompenzimi material, që të arrijmë në manifestim dhe t´i presim pjesëmarrësit tjerë, duke u përpjekur për mbarvajtjen e programit, por thjeshtë jemi injoruar për detyrat dhe obligimet, që na kanë takuar, sepse para manifestimeve kurrë nuk është ftuar Kryesia në mbledhje, me qëllim të caktimit të Këshillit Organizativ, i cili do të merrej me caktimin e detyrave rreth organizimit të manifestimeve. „Prerja dhe qepja“ është ba nga Kryetari dhe ne, anëtarët e Kryesisë kemi qenë vetëm mysafirë në shtëpinë tonë, derisa ai ka lejuar, që mysafirët të marrin rolet dhe detyrat tona.
Me këtë reagim të „dhunshëm“ mund të them, (kur s´kisha menduar se do të vjen ky rast, që për një koleg shumëvjecar të shkruaj në këtë mënyrë, edhepse asgjë personale s´kam kundër tij) se dëshiroj të jap një informatë për të gjithë krijuesit, që ngarendin të marrin pjesë në këto manifestime, të janë të informuar, se derisa nuk ka ndryshime në LSHAKSH, kjo Lidhje faktikisht nuk funkcionon, siç do të funkciononte një lidhje e artistëve dhe krijuesve.
Mendimi im është, se heshtja e deritashme e të gjithe anëtarëve dhe shpresa se do të ndryshohet gjendja për të mirë, na ka katandisur deri këtu ku jemi – deri te mos funksionimi i shëndosh i Lidhjes.
Reagimi im ishte edhe shkak i një shkrimi i krijueses Pranvera Gjonit, e cila jeton dhe vepron në Belgjikë. Ajo shkrimin e saj informativ, rreth organizimit të manifestimit tradicional AZEM SHKRELI 2017, e poston në profilin e saj dhe pikërisht shkrimin e përfundon me fjalët fyese: „Mirëutakofshim në manifestime të tilla, ku dëshmohet arti me të gjithë fuqinë e tij larg stonaturave korruptuese dhe sabotazheve të njerëzve të vegjël“. Kjo krijuese ka marrë pjesë shumë herë në konkurse tona letrare në Ennepetal dhe ka marrë edhe çmime, bile unë kam qenë anëtare e Jurisë në vitin 2015, kur iu është nda çmimi i dytë dhe ka gëzuar respekt nga të gjithë miqtë krijues në Gjermani. Dhe, ajo merr guximin këtë herë, që të shkojë aq larg sa edhe i fyen të gjithë anëtarët e ngushtë të Kryesisë së kësaj Lidhjeje duke na quajtur „ të korruptuar“ dhe „njerëz të vegjël“ edhe atë, sepse nga nxitimi, mosdija e saj, apo ndonjë qëllimi tjetër tendencioz, nuk e vëren se kush në këtë Lidhje korrupton dhe tregon jopërgjegjësi ndaj kolegëve si dhe ndaj LSHAKSHGJ në përgjithësi, si institucion kulturor. Ironia do të ishte edhe më e madhe kur kryetari në fjalë është njëri ndër themeluesit e kësaj Lidhjeje.
Me tërë respektin ndaj të gjithë pjesëmarrësve, të cilët me vite marshuan në këtë manifestim letraro-poetik duke kontribuar në shpalosjen dhe ruajtjen e fjalës së bukur artistike, si dhe në veçanti me respekt të thellë ndaj familjes Shkreli, kërkoj falje nga dashamirët dhe krijuesit, nëse dikush është prekur nga ky shkrim. E vërteta është e hidhur, por është e vërtetë. Dhe, të gjithë këto në këte shkrim janë të vërteta, mbase ka edhe shumë për të shkruar, por mbesim me shpresë se kryetari Pal Sokoli, do ta merr këtë reagim, si alibi, jo për t´u revanshuar në çfarëdo mënyre jokorekte, por për t´u vetdijësuar e për të kuptuar, se pa punë dhe angazhim ekipor, kurre s´do të arrijmë që ta jetësojmë më LSHAKSH në Gjermani, siç ka qenë para shumë vitesh, e as të sjellim vlera të mirfillta artistike, si një institucion i denjë letrar dhe kulturor. Përndryshe, shpëtimi nga shuarja e LSHAKSHGJ mbetet në dorëheqjen e tij nga posti i Kryetarit.