NJË PËRMBYLLJE E SUKSESSHME E VITIT KRIJUES PËR “GJIMNAZISTIN”

Bedri TAHIRI

NJË PËRMBYLLJE E SUKSESSHME E VITIT KRIJUES PËR “GJIMNAZISTIN”

Sot, në një atmosferë festive: me këngë, recitime, fjalime, përshëndetje e me valle, grupi letrar “GJIMNAZISTI”, në ambietet e Gjimnazit “Eqrem Çabej” në Vushtrri, para një auditori të përzgjedhur, kryesisht krijues e artdashës, e në përcjellje edhe të RTK-së, përmbylli vitin 2017 të krijimtarisë letrare, me përurimin madhështor të librit të tij të dytë “Vrulle rinore 2”.

VRULLET QË S’KANË TË NDALUR

Të nderuar krijues të rinj gjimnazistë dhe ju artdashës!

Të respektuar kolegë e mysafirë!

Nxënësit e Gjimnazit “Eqrem Çabej” të Vushtrrisë, gjithmonë kanë qenë, besoj, edhe do të jenë ardhmëria e qytetit të Hasan Prishtinës dhe edhe më larg. Kuptohet, së pari në mësime, ku e mbajnë kryet e vendit në nivel republikan, e paskëtaj edhe në aktivitetet e lira…

Në veçanti, Gjimnazi ynë shquhet si një kopsht me lule erëmira, nektari i të cilave ka mbushur qiellin letrar, duke dhënë fryte të nivelit të lartë artistik të gjithanshme. Nga bankat e tij kanë dalë emra që sot shkëlqejnë në majat e sukseseve në shkallë kombëtare. Nga gjiri i kësaj vatre edukativo-arsimore kanë dalë edhe emra të mëdhenj shkencëtarësh e krijuesish që sot kanë zënë vend në antologjitë mbarëkombëtare.

Mirëpo, sivjet, nxënësit tanë krijues, të tubuar rreth grupit letrar “GJIMNAZISTI”, pos aktiviteteve të shumta kulturore në shkollë dhe jashtë saj, vunë dy gurë të përbashkët në murin e kalasë së madhe, të quajtur Letërsi! Kështu, thuajse brenda një gjysmëviti këta autorë që i kemi përballë na dhuruan dy libra me titullin simbolik: “Vrulle rinore” dhe “Vrulle rinore 2”, me mundësi vazhdimi…

Vrullet rinore janë si valëza deti të trazuar, të cilat shfrenueshëm kalërojnë mbi krahet e suferinës dhe rrahin fuqishëm brigjet shkëmbore derisa të qetësohen nga ai tërbimi tundues. Kështu, edhe në vëllimin “Vrulle rinore 2” kemi shpërthime e brufullime nga më të ndryshmet, por që të gjitha së bashku përbëjnë një mozaik të shkëlqyer të një fryme lirike që reflektojnë pozitivizëm dhe optimizëm për ardhmërinë.

Libri që sot kemi përpara, ashtu sikurse i pari, është konceptuar në dy pjesë thuajse simetrike: poezi dhe prozë.

Këto pena të reja nuk njohin kufizime e nuk i durojnë dot klishetë e rregullat e ngurta të teorikëve fanatikë. Ato janë të lira mu si bletët që nektarin e zgjedhin vetë për ta bërë mjaltin. Dhe, kështu, krijimet e tyre janë të larmishme si në pikëpamje tematike ashtu edhe në atë strukturore e përmbajtjesore. Në to gjejmë mendime për jetën, për dashurinë, për librin, për diturinë, për ëndrrat, për historinë, për dëshmorët, për ardhmërinë e për UÇK-në, për sfidat e për hallet e përditshmërisë, për prindërit,  për mësuesin etj.

Fantazia e tyre është mahnitëse. Ndjenjat e tyre shpërfaqen ashtu lirshëm e guximshëm për dukuritë paradoksale dhe paudhësitë që bien ndesh me parimet etike të një shoqërie të shëndoshë me synime përparimtare.

Heroi lirik i poezive të këtyre njomëzakëve del i pastër si loti, pa lajka e pa paragjykime dhe është në gjendje të kacafytet me çdo gjë që ia zë rrugën në realizimin e ëndrrave të tij. Në përgjithësi ai është zemërmirë, i ndjeshëm dhe i gatshëm për çdo sakrificë, më shumë për të mirën e përgjithshme se sa për atë vetjake. Ai është i brumosur me altruizëm e idealin vetëflijues dhe krenar çan  përpara shtigjeve të ardhmërisë.

Vështruar në tërësi, poezitë e këtij libri, i përmbushin kriterit e një niveli mbimesatar. Ka edhe krijime të bukura e të realizuara artistikisht që do tua kenë lakmi edhe penat më të arrira, por ka edhe të atilla që përligjin nivelin e moshës së tyre rinore…

Sidoqoftë, libri “Vrulle rinore 2”, i dyti i grupit letrar “Gjimnazisti”, paraqet një margaritar letrar të llojit të vet, që dëshmon bindshëm se nxënësit e Gjimnazit “Eqrem Çabej” të Vushtrrisë, krahas mësimeve dhe arritjeve të tjera sportive, figurative, muzikore, hulumtuese e shkencore, po bëjnë hapa të sigurtë edhe në terrenin e vështirë të letërsisë, duke gjetur çelësin për të hapur portën e madhe të  kësaj Mbretërie, ku ka vend vetëm për të pavdekshmit.

Në të përfunduar, pa u thelluar më tepër në zbërthimin e detajeve të librit, meqë edhe ashtu, poezia, nuk shpjegohet, por përjetohet, krijuesve të rinj u dëshirojmë suksese të mëtejme në të gjithë lëmenjtë e jetës, veçan në atë të krijimtarisë letrare!

Duke përkujtuar Floberin që thoshte: Lexo që të jetosh, edhe unë po ju uroj: Lexim të këndshëm!

Vushtrri, më 19 dhjetor 2017