Një ditë kënaqësie

Bedri TAHIRI

Një ditë kënaqësie

Sot,më 24 Mars 2017, qe kënaqësi për mua. Si përherë, edhe kësaj radhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Skënderajt, udhëhequr nga i palodhuri Hajriz Koci, më ka nderuar, duke më caktuar kryetar Jurie për vlerësimin e punimeve të nxënësve të shkollave fillore në konkursin tashmë tradicional e me karakter të zgjeruar ndër komunal “Avancimet kulturore, prof. Ajet Beqiri”. Me dy anëtarët tjerë kolegë: Vlorë Vojvoda dhe Bahri Sejdiun, ngadalë e me vëmendje i lexuam e rilexuam mbi 172 punime (poezi dhe ese) të atyre penave të njoma, që vinin nga shkolla të ndryshme të Kosovës e që, me aq sa kishin mundur e ditur, i kishin kënduar atdheut, lirisë, nënës, mësuesit, librit, në veçanti heronjve të luftës së fundit çlirimtare, duke u përqëndruar tek emri emblematik i këtij manifestimi, tek Ajet Beqiri.

Profesori dëshmor, Ajet Beqiri, ishte njeri me autoritet dhe me ndikim të veçantë. Kur fliste ai, të gjithë mbanin vesh dhe pajtoheshin. Në çantën e tij bashkëjetonin libri e arma, dija dhe trimëria Duke i parë meritat dhe punën e suksesshme që bënte Ajeti, krerët e luftës sonë çlirimtare e caktojnë Komandant për moral në Batalionin III të Brigadës 112 “Arben Haliti”, detyrë që besnikërisht e kreu derisa ra në Altarin e pavdekësisë.

Dhe, sot, më shumë së kurrë, kemi obligim moral e kombëtar që ta nderojmë dhe ta lartësojmë veprën e madhe të UÇK-së, formacionit më të lavdishëm që ka krijuar populli shqiptar në historinë e tij, ta nderojmë gjakun e dëshmorëve që na solli ditën e bardhë. Në të kundërtën, amaneti tyre mbetet peng dhe paskëtaj, vaj halli për ne, na mallkon historia, na mallkojnë brezat e ardhmërisë!

*  *  *

Duartrokitjet e panderprera dhe fytyrat e buzëqeshuara të këtyre njomëzakëve gjatë ndarjes së çmimeve në Shtëpinë e Kluturës «Hasan Prishtina» na bënin të ndjeheshim të lehtësuar se paskëshim përzgjedhur (asgjë nuk është e përkryer) të merituarat. Një falënderim të veçantë meritojnë mësimdhënësit e tyre, kolegë tanë të profesionit, për punën e pakursyer që bëjnë më nxënësit krijues. Ata, sikur e kanë kuptuar mirë gjuhëtarin tonë të pakapërcyeshëm, të madhin Eqrem Çabej kur thoshte: «Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision».

Unë, sot, përveç përjetova edhe një katarsis tjetër. Isha në Gjimnazin “Hamëz Jashari” në Skënderaj, ku para 43 vitesh kreva mësimet e mesme. Aty takova shumë klolegë, madje edhe shokë të gjeneratës, dhe bëmë ca foto me të pavdekshmin Hamëz Jashari,i cili atëbotë na e mbante gjallë jetën kulturore në shkollë dhe në komunë…


Me anëtarët e jurisë: Vlorë Vojvoda e Bahri Sejdiu


Pranë bustit të Hamëz Jasharit në oborrin e Gjimnazit në Skënderaj


Me kolegët profesorë të këtij gjimnazi: Ramiz Spahiu e Nezir Bejta