Nikoliqi i ngriu buzëqeshjen Thaqit!

Shkruan: Florim Zeqa                         28.01.2017

Nikoliqi i ngriu buzëqeshjen Thaqit!

Përafërsisht 9 vite më parë, në Kosovë nga politikanët kosovar bëhej garë e fuqishme rreth ditës së shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë. Edhe pse të gjithë e “dinin” nuk e thonin dot datën, vetëm e vetëm për të mos ua “prishur  konspiracionin” ndërkombëtarëve!

Si në ditët e sotme, ashtu edhe atëherë Hashim Thaçi ishte ndër më të zëshmit duke thënë “unë e di ditën, unë e di ditën,…”,të tjerët ngarendin pas tij, përderisa i përmbajtur dhe më pragmatik dukej akademik Nexhat Daci, i cili atëbotë thoshte; “Nuk ka rendësi dita, e rendësishme është përmbajtja  e pavarësisë së shtetit tonë”.

Më në fund erdhi edhe 17 shkurti i 2008-s që na solli pavarësinë e modelit “Sui generis” në një “pako” të mbyllur, me simbole antikombëtare dhe më kualitetin më të dobët të një shteti sovran.

Politikanët kosovar e pranuan “Pakon e Ahtisarit” si kompromis të dhimbshëm për pavarësimin e vendit, duke u zotuar gjithnjë për mosbërjen e kompromiseve tjera të dëmshme për shtetin e Kosovës.

Mbase “rezistenca” ndaj kompromiseve të reja zgjati deri me fillimin e bisedimeve të pabarabarta dhe pa kushte me Serbinë në Bruksel në vitin 2011, nga të cilat që në start të atyre bisedimeve Kosova e pranoj kompromisin e parë të dhimbshëm, Fusnotën* në vend të Republikës!

Në fillim, negociatorët kosovar për fusnotën thonin se është një “fluskë sapuni”, e cila më pas filloj të nurtësohej me barrikada të llojeve e modeleve të ndryshme mbi urën e lumit Ibër, së fundmi u ngri në beton dhe hekur, duke u bërë murës ndarës mes serbëve dhe shqiptarëve.

“Fluska të sapunit” mbetën fjalët e negociatorëve kosovar, që në vend të forcimit të shtetësisë, e dëmtuan atë me ndarjen e sovranitetit të shtetit dhe tkurrjen territoriale të vendit përmes dy marrëveshjeve fatkeqe në Bruksel (me 19 prill 2013 dhe 25 gusht 2015).

Pas çdo kompromisi të dhimbshëm në bisedimet e Brukselit, ish kryeministri Thaçi, tani president aktual i vendit kthehej në Kosovë i buzqeshur sikur të ishte fitimtar apsolut i bisedimeve.

Mirëpo ashtu nuk i doli edhe në takimin e fundit në përballje me presidentin serb Nikoliq. Kësaj radhe kthimi i Thaçit nga Brukseli nuk ishte impresionues, ishte trishtues, nën një gjendje të rënduar psiqike, i traumatizuar dhe i frikësuar si asnjëherë më parë apo thënë ndryshe, Nikoliqi i ngriu buzëqeshjen Thaçit në përballjen e parë!

Kështu Hashim Thaçi, për herë të parë nga fillimi i bisedimeve, Thaçi detyrohet të kërkojë ndihmën e spektrit politik shqiptar, të cilët asnjëherë nuk i ra ndërmend t’i konsulltoj para shkuarjes në Bruksel.

Nga takimi me Nikoliqin, siq duket Thaçi e ka kuptuar përfundimisht dështimin e tij në bisedimet e Brukselit. Pa dashur të paragjykoj apo spekuloj, me 24 janar në Bruksel ka ndodhë diçka tepër e rëndë për shtetin e Kosovës.

Me siguri Thaçi e Mustafa e kanë kuptuar mirë “gjuhën” e Nikoliqit, andaj edhe nëse nuk e din kësaj radhe ditën, i dinë mirë pasojat e veprimeve të radhës së Serbisë.

Për dështimin skandaloz të Kosovës në bisedimet e Brukselit, fajtori dihet, por mbetët tepër e dhimbshme, se si para këtij dështimi Hashim Thaçi e pranoj turpërimin dhe nënçmimin që i bëri Serbia dhe Brukseli duke e detyruar të përulet para varrezave dhe pllakatave serbe (Grackë të Lipjanit, Gorozhdec të Pejës dhe Hoqë të madhe ) në të cilat shkruanj në gjuhën serbe po citoj; “Zhertve shiptarskog  terrora” (viktima të terrorit shqiptar).

Nëse i ka mbetë pak ndërgjejgje kombëtare në trupin e tij, atëherë presidenti Thaçi bënë mirë që t’iu rrëfehet qytetarëve të vendit se me çka e joshën serbët dhe ndërkombëtarët që të shkelë aq lehtësisht mbi gjakun e dëshmorëve, apo ka gjëra të tjera akoma më të dhimbshme që rëndojnë mbi ndërgjegjën et tij!

Me këto veprime Hashim Thaçi e barazoi luftën çlirimtare me gjenocidin serb, e barazoi kriminelin me viktimën, e mbi të gjitha i amnistoj të gjitha krimet serbe në Kosovë dhe hapi rrugën e ndëshkimit të çlirimtarëve nga gjykatat ndërkombëtare.

Deri në këtë pikë e sollën ish udhëheqësin politik të luftës, njeriun që në hierarkinë politike u ngrit duke u thirrur në familjen simbol të sakrificës njerëzore, familjes Jashari dhe qindra e mijëra dëshmorëve të lirisë në njërën anë, ndërsa në tjetrën nën urdhërin e “mëntorëve” të tij, duke shpifur e propaganduar kundër presidentit historik Ibrahim Rugova.

Mbahu i fortë president e mos u lig. Vlerësimeve të Adem Demaçit se jeni politikani më i mirë prej të këqinjëve, do i shtoja edhe konstatim tim; jeni më i guximshmi dhe më i shkathti në mesin e injorantëve politikë.