Nga politika e dështuar, nuk mund të ketë arsim cilësor në Kosovë

Mr.Adem LushajMr. Adem Lushaj, drejtor i “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur”, njëherit mësimdhënës i Matematikës që nga 1987

Kemi zëra nga individ dhe institucione të ndryshme arsimore të Republikës së Kosovës, që mësimdhënësit ti nënshtrohet ndonjë testimi të profesional, pse jo edhe pedagogjik dhe metodik. Por, kemi edhe zëra që shprehën kundër këtij testimi, siç ka reaguar edhe SBASHK-u. Mirëpo, nëse analizojmë mirë gjendjen në arsim, rezultatet e mësimdhënies dhe mësimnxënies, politikën që udhëheq arsimin kosovar, mendimi ynë është se të dy palët kanë të drejtë, si ata që kërkojnë testim të mësimdhënësve, ashtu edhe ata që kundërshtojnë këtë.

E para, nuk është e lehtë të kërkohet nga mësimdhënësit me përvojë mbi 30 vjet, ti nënshtrohen një testimi të tillë, edhe pse është shumë normale që pos përvojës së fituar, Ata të kenë të harruara edhe gjërat profesionale, edhe pse (besoj) që MASHT nuk ka për qëllim të testoj njohurit sa për ti zënë ngushtë mësimdhënësit dhe largim nga puna. Është edhe më e pa pranueshme, që të krahasohen mësimdhënësit të cilët janë më meritoret për mbajtjen gjallë të arsimit shqip gjatë viteve të 90-ta, të cilët në vazhdimësi kanë treguar rezultate të mira në përgatitjen e gjeneratave të shumta. Është e rëndë të krahasohen mësimdhënësit meritor, me kuadrot “politike” të cilat vetëm disponojnë me diploma universitare (publike dhe private), të dhëna nga dëgjueshmëria politike apo “komandantët e zjarrtë”.

Shqetësimet dhe kundërshtimet e përfaqësuesve të SBASHK-ut (edhe pse nuk jemi pjesë e këtij organizimi sindikal), duhet marr me seriozitetin më të madh, ngase arsyetimet e tyre kanë bazë dhe duhet respektuar. Shumë më e efektshme do ishte që mësimdhënësit universitar, të mos bien nën ndikimet e formacioneve politike, por të kërkojnë angazhim, dije dhe rezultate, të studentëve para se tu epet statusi i të diplomuarit të njërit nga Universitetet apo Kolegjet e Kosovës, besa edhe të vendeve jashtë Kosove.

E dyta, me këtë nivel të arsimit që kemi, (kur dihet se dalin mësimdhënësit që nuk meritojnë të jenë pjesë e asnjë institucioni arsimor, lërë më të dalin para nxënësve për ti mësuar ata), nuk mund të vazhdohet kështu, ndaj është mirë që sa më herët të kemi një filtrim të atyre që s’do kanë mundësi (nuk meritojnë) të punojnë me nxënës. Duke bërë përjashtime, kemi mësimdhënës të dal nga “politika e fëlliqur” (pa dallim subjekti politik dhe jo politik), të cilët nuk njohin as gjërat më elementare profesionale, lërë më ato pedagogjike dhe metodike, e të njëjtit janë pjesë e strukturave udhëheqëse në fushën e arsimit, sikurse që kanë ditarët mësimor nëpër duart e tyre. Këta mësimdhënës analfabet të dal nga politika, nuk mund të nxjerrin kuadro që i duhen vendit, që i duhen të ardhmes së Kosovës.

Edhe pse me një përvojë afër 30 vjeçare në procesin arsimor, mendoj që duhet të organizohet një testim i mirëfilltë, por me dallime te kuadrot e vjetra, duke marrë për bazë vlerat profesionale në të kaluarën dhe kontributin liridashës dhe arsimdashës të viteve të okupimit. Personalisht, pranoj që pa asnjë kusht ti nënshtrohem çfarëdo testimi në Lëndën time mësimore (Matematikë), si në aspektin profesional, pedagogjik, ashtu edhe në metodologjinë e mësimdhënies. Këtë gjë e bëjmë, jo pse mendoj që kam përgatitjen e duhur  profesionale, (këtë gjë e vlerësojnë gjeneratat), por që tu hapim rrugë reformave të shëndosha në arsim, tu hapim rrugë luftimeve për çrrënjosje të analfabetizmit politik, dhe rrugëtimin tonë drejtë ardhmërisë së shëndosh të arsimit, si shtylla kryesore të një shoqërie. Njëjtë shprehën edhe shumë e shumë kuadro të profesioneve të ndryshme, të cilët kanë përvojë të gjatë në arsim, )por assesi të krahasohen apo të “futen në të njëjtin thesë), me kuadrot politik dhe analfabetët me diploma. Përfundimisht, me një politikë të dështuar, nuk mund të ketë arsim cilësor, ndaj kreu i së keqes në arsim është politika kosovare, qoftë e nivelit qendror apo lokal.