NGA MARSI NË MARS!

Mehmet BISLIMI

NGA MARSI NË MARS!

Sa herë që vjen marsi, gurët rrokullisen e gumëzhijnë për trimat, ata kërkojnë që të vendosen në vendin e vet për të peshuar më mirë, nuk kanë thënë së koti që moti: ” Guri rënd peshon n’vend t’vet!” . mos pretendoni të sfidoni gurët e historisë, se nuk mateni dot me ta!…
Nga marsi në mars, sa shpejt ikën vitet, po bëhen njëzet e tri tani, kur gjuhët e flakëve të luftës, kishin përfshirë Kosovën. Njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin lëshuar shtat, dhe po mateshin me pushtuesin për t’i treguar atij se ky vend ka dalzotësit e vet. Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po bënin historinë, ata po mateshin me ashpërsitë e pushtuesit Serb dhëmbë për dhëmbë. Çlirimtarët tanë, po tregonin gatishmërinë e vet për të paguar çmimin e lartë, pa varësisht kostos së saj- liria mbi të gjitha!

Komandanti ynë Legjendar Adem Jashari, po përdridhte mustaqet, dhe me shikimin e mprehtë po depërtonte rreptë atyre tymnajave dhe flakëve që po përcëllonin atdheun tonë. Ai kishte tre kut mustaqe, me shtatin si lis me rrema. Në shpinë mbante bjeshkët e Qyqavicës si mburojë, në gjoks bjeshkët e Shkëlzenit si pararoje! Ooo, kush ishte si ai, Oso Kukë, Mic Sokol, Jakup Ferr, Sefë Koshare e Kastriot, Ademi, biri i kësaj toke, legjendë e legjendave, kryefjala dhe kallëzuesi i lirisë së atdheut!

Siç e thotë legjenda për Gjergj Elez Alinë dikur, po, edhe Komandanti ynë me Bajlozin u pre në shtat, sa gjaku shkoj rreke! Nëntë herë ishte pre me dushmanin e me nëntë plagë në shtat po qëndronte në këmbë- si Jakup Ferri me trimat e vet.
Ai mbante plisin mbi sy, si strehët e kullave tona prej guri, me mitralozin nën sqetull, rreth fishek si dhëmbë kuçedër- do thoshte Jakova!…  pashëm pash po i binte tokës e qiellit kaltërosh të Kosovës, por si shqiponja që ruan zogjtë e vet. Në lartësitë e qiellit, mund të fluturojnë vetëm shqiponjat shqiptare, që ranë për atdhe nën kushtrimin e Komandantit Legjendar, Adem Jasharit:  “ Për liri, bini o burra!”…

Kur mërrolët lëshoheshin në ballin e Legjendarit, hallakatej moti, dhe zbrazej furishëm së bashku me breshëritë e plumbave të luftëtarëve të lirisë, që derdheshin mbi armikun gjakatarë. Ademi Jashari me trimat e tij, bënë historinë më të re të Kosovës. Ai, dha krejt çka pati për lirinë e atdheut. Komandanti ynë së bashku me trimat e tij, tanimë në gjirin e përjetësisë, i takojnë historisë së popullit tonë. Ata u bënë legjendë e gjallë e një qëndrese të pa imagjinueshme nga shumë strateg të djeshëm, por edhe të sotëm. Ata kaluan, madje edhe pragun e përjetësisë, Adem, të kujtojmë nga marsi në mars- marsi erdhi përsëri!…


Që nga ajo ditë e deri me sot, kaluan mbi dy dekada. Qytetaria e civilizuar, të gjithë atyre që bënë të pamundurën për çlirimin e vendit të vet, si dhe për gjëra tjera humane në shërbim të njerëzimin, i nderon dhe respekton me ndjenjën më të lartë, nga se ata bënë flijimin më sublim për qëllime humane. Qysh nga lashtësitë mitike të mbretërisë së perëndive, kur Prometheu u sakrifikua në emër të humanitetit për njerëzinë, ka mbetur diku një shenjë që quhet gur!, pra ai quhet “Guri i Prometheut!”. Nga ajo kohë e deri sot, në literaturën botërore, ky shembull i mishërimit në mbrojtje të njerëzisë në emër të vetëmohimit, flitet e shkruhet për këtë gur, ku thuhet: ” tek Guri i Prometheut!”… Ky sublimim në filozofi quhet mishërim, mishërim me njerëzoren, diçka e shenjët, diçka e madhërishme, diçka sublime… 
Komandanti ynë Legjendar, para së gjithash, çliroi shpirtin tonë nga kushtëzimi i robërisë, të cilën ai e refuzoi me vendosmëri dhe nuk iu bind iluzionit të fundosur, prandaj triumfi filozofia e tij mbi konceptin për lirinë, guxim, guxim dhe vetëm guxim!

Të kujtojmë dhe të mos meditojmë nëpër histori: që nga lufta e Kosovës me 1389, pra që nga atëherë qëndron një gur, më vonë bënë edhe një mur, ku varrosen rropullitë e Sulltan Muradit të parë! Edhe sot ajo tyrbe në Mazgit të Kastriotit quhet e Tyrbja Sulltan Muradit, ku njerëzit kanë krijuar edhe besëtytni të ndryshme rreth saj, dhe shkojnë atje e gjunjëzohen (para ish kasapit të popullit shqiptar), për të kërkuar shërim!… Më vonë, po ashtu pushtuesit tanë, kanë ngulur, me shumë dinakëri edhe një guri tjetër diku në Gazimestan, ku tuboheshin pushtues e poltron për t’u betuar se do ta djegin Kosovën, kështu u rrokullisëm ne, nga një absurditet në absurditetin tjetrin me konceptin e varësisë shpirtërore!

Popujt e civilizuar, vunë nga një gur diku në shenjë mirënjohje, përderisa pushtuesit, këta gurë i vunë në shenjë hileje për të përvetësuar tokat tona, me gurët që kishin ngulur me duart e tyre të përlyera me gjak, në zemër të tokave shqiptare, deri edhe në prag të Patriarkanës së Pejës, Manastirit të Deçanit, mullirit të vjetër tek Ura e Ibrit etj.

Nëse dikush dje e bëri një mur për Sulltan Muradin, pse ne sot, nuk e vumë nga një Gur për Milush Kopiliqin, qoftë në fushëbetejë, qoftë në vendlindjen e tij, qoftë në Prishtinë apo Tiranë, i cili Sulltanit të madh të Turqisë ia la kokën në Kosovë si hipotekë, në faqet e historisë së përgjakur! Kush është ai që mund të na dëftej, se: Ku mund të gjunjëzohemi ne para gurit dhe emrit të Milush Kopiliqit që t’i përulem deri në gjunjë!…

Në gurtë e varreve të krushqve kam hasur, dhe janë të paprekur me qindra vjet- siç është e paprekur edhe legjenda për vëllavrasjen e dasmorëve tanë, ngase pushtuesi e ruante me fanatizëm “legjendën” mbi vëlla-vrasjet tona, për të na yshtur edhe më, por habit fakti se nuk janë ruajtur as gurët, dhe as legjendat për trimat e asaj kohë, që lanë kockat për lirinë e atdheut. Kush i vrau gurët dhe legjendat dje nëpër shekuj, dhe kush po i vret sot?!… 

Sot, kur trimat tanë legjendën e zbriten nga qielli në tokë, dhe e bënë realitet- të kapshëm dhe të prekshëm, madje e ulën këmbëkryq në luadhin e madh të shqiptarisë, fatkeqësisht edhe sot mungojnë shumë gurë të historisë, si në Kosovë, Shqipëri, Luginë, Çamëri, ah Çamëri!…
Mos harroni: në gjithë Kosovën, pushtuesi Serb, kishte vu gurë, mbi të cilët u bazua edhe “pakoja e Ahtisarit!”, madje sot, po vihen kufijtë e plagëve të Kosovës, nënshkruar me dorën tonë, që të mos sillemi më andej pari, si tek guri i kullës së Isa Boletinit, tek Çakorri e kulla e zhlebit, tek rreth rrotullimi i Urës së Ibrit- parku i “paqes!”… nuk kalon dot as rruga tek Manastiri i Deçanit, as tek Patriarkana e Pejës, as tek Kisha Ortodokse e Millosheviqit, ngritur dhunshëm në mes Prishtine, mu tek Institucionet tona Universitare, nuk guxon të preket as të tre kunjat- trekëmbëshi mbrapa Kuvendit të Republikës, së e ka ngritur nomenklatura e titos, Kosovë rrethuar me kunja, Kosovë, Kosovë!…

Absurditete në kohë:
Dikur në Kuvendin e Kosovës u tha: “ Objektet e vetme, që nuk kanë leje ndërtimi janë; Kisha Ortodokse serbe (që ishte e ngritur), dhe Shtatorja e Lirisë, që nuk e ngritën kurrë!”, ky krahasim u tha publikisht, nuk u tha pa qëllim! Parlamenti i Kosovës (as sot), nuk i dha dy metra truall për Komandantit Legjendar në Prishtinë, sa për t’i vu këmbët ne tokë- si shpjegohet kjo!
Nga ana tjetër; ata që mohuan shtatoren e lirisë dhe Komandantin e saj dje, sot krejt solemnisht shkojnë e përkulen para varrit të Komandanti, dhe betohen në emër të atdheut dhe në emër të Adem Jasharit!, o zoti i madhe, sa e pështirë kjo ironi, Shqipëri o nënë Shqipëri!…

Një gur, një krua, një urë, një mur, një lis…

Një gur ku ka vënë kokën, një krua ku ka pirë ujë, një urë ku ka kaluar lumin, një mur ku është fortifikuar, një lis ku ka bërë një sy gjumë, Komandanti ynë Legjendar Adem Jashari- kjo nderon shqiptarinë, dhe historinë tonë më të re!

Nga marsi në mars, 2021
Mehmet BISLIMI