Nga ëndrra në realitet!

Shkruan: Florim Zeqa                     29.01.2019

Nga ëndrra në realitet!

Shkrimin po e fillojë me një rrëfim ëndrre të pazakontë në qytetin e lindjes, të pasuar nga një realitet i hidhur në vendin ku i kalova 24 vitet e jetës time prej mërgimtari.

Akti i parë

Ashtu siq isha duke ecur në sheshin e “Qarshisë së Gjatë” në Pejë, përpara më del një njeri i gjatë, i bukur dhe pedant i veshur me kostume ngjyrë të kaltër. Fillimisht më përshendeti, pastaj filloj të prezentohet; “Unë jam një biznesmen i pasur, jam në kërkim të njerëzve të mirë, atdhetarëve e mendjendriturve që i duan të mirën vendit të tyre, e për të cilët e kam vënë në dispozicion e gjithë pasurinë që kam!

Duke tentuar të flas me të, papritmas u zhduk njeriu misterioz!

Akti i dytë

Në të njëjtin vend, pra në “Qarshinë e Gjatë” në Pejë, derisa isha duke biseduar me një mik timin, me një veprimtar të shquar të mërgatës shqiptare, përseri përpara nesh u shfaq njeriu misterioz, por kësaj radhe me një çasje krejt tjetër.

“Unë i ndihmoj vetëm ata që i përkasin dhe besojnë fesë time,…Zoti i don dhe i ndihmon vetëm ata që i përkasin besimit tim fetar,…ndërsa ata që nuk i përkasin fesë tonë nuk janë të adhuruarit e Zotit”!

Na e kthejë shpinën dhe kur filloj të zhduket para syve tonë, unë i bërtita me sa zë që kisha; “Kthehu këndej o ti njeri i mirë, pak ka rëndësi feja të cilës  i përkasim, rëndësi dhe vlerë ka kombi ynë, origjina jonë pallazgo-ilire, besimet fetare, janë imponim i dhunshëm i pushtuesve,…ndihma jote o ti njeri i pasur nuk na bënë nder ne të varfërve me shpirtë të pastër”!

Këtu përfundon akti dytë i ëndrrës befasuese.

Realiteti më i hidhur se ëndrra

Ishte pranverë e vitit 1998, kur flakët e luftës kishin mbërthyer disa pjesë të Kosovës, familja ime bënin jetë prej refugjati, duke i ndjekur flakët e luftës nga një vend në tjetrin,…ndërsa unë bëja përpjekjet titanike për t’i sjellur në Itali.

Mirëpo, përpara qëllimit tim fisnik, befasisht u shfaq një pengesë e paparashikuar. Edhe pse me ndërmjetësim dhe garanci të forta nga firma ku punoja, tri banesa i humba shkaku i përkatësisë fetare. Pas humbjes së banesës së tretë, që ishte ideale për familjen time, pronares së firmës i thashë këto fjalë; “bëjë ç’të duash vet pa prezencën time”.

E zhgënjyer edhe ajo në bashkvendasit e saj, pronarja e firmes e kishte përdorur një strategji tjetër sigurimin e banesës, duke i thënë pronarit të shtëpisë, se banesa i duhet për një familje nga Kroacia!

Ndërsa unë këtë fakt arrita ta kuptoj vetëm pas 6 muajve të qëndrimit tim me familje në atë banesë, ku në një rast kortezie, erdhi pronari i banesës për disa fatura,…derisa bisedonim për situatën në Kosovë, ai në një moment m’u drejtua me fjalët; “Si po e njeh ti nga Kroacia kaq mirë situatën në Kosovë”!?

Në kërkim të (pa)fajësisë për konseguencat e përjetuara

Kush janë fajtorët e përcaktimit tim fetar, origjina ime apo pushtimet e gjata!?

Fajtorë për këtë nuk janë prindërit dhe as gjyshërit e mi pse unë jam musliman, fajtorë nuk jam as unë që nuk e prejudikoj fenë muslimane, sikurse që nuk e ndjej vetën fatorë pse nuk munda të konvertohem brenda ditës në një fe tjetër!

Edhe përkundër konseguencave të sipërpërmendura në shtetin italian shkaku i përkatësisë fetare, asnjëherë nuk më ka shkuar mendja të ndërrojë fe apo të urrejë besimtarët katolik në shtetin italian.

Për shkak se, tek unë parim bazë është dashuria e jo urrejtja, komunikimi e jo mbyllja, toleranca e jo diskriminimi njerëzorë.

Si rezultat i parimeve të shëndosha, 10 vite më vonë, si përfaqësues i të huajëve në shkollat e 8 komunave të pjesës veriore të Italisë (në “LA RETE interistituzionale”), me ligjeratat e mia para nxënsësve italianë, arrita të thejë mitin serb “mbi luftërat fetare në ballkan”, e në veçanti të kinse “luftës fetare” në Kosovë.

Kësaj historie të gjatë do t’i kthehem me një libër autorial, për shkak se, jo një shkrim, dy apo më shumë, nuk do mund e përmbledhin odiseadën e gjatë të përjetimeve të mia në shtetin italian.

Historia e tri feve shqiptare

Historikisht shqiptarët i kanë pasur dhe kanë tri fe kryesore: Katolike, Ortodokse dhe Muslimane. Asnjëra nga fetë e sipërpërmenduar nuk erdhën si dëshirë e shqiptarëve, por si imponim i pushtuesve shekullorë, të cilët i përdorën fetë për zhbërjen e identitetit tonë kombëtar.

Pushtuesit i përdorën format më çnjerëzore për ta zhdukur ç’do element që lidhej më kulturën dhe traditën tonë mijëravjeçare, duke e paraqitur veten si “Zot” të trojeve tona.

Pushtuesit shekullorë përmes fesë u munduan t’i përçajnë shqiptarët dhe identitetin e tyre ta paraqesin si romak, turk e sllav, varësisht prej fesë që i takonin.

Përçarësit e sotëm, më shumë janë intelektualë të dështuar se sa klerikë fetarë

Liria nga zgjedha e pushtuesit serb në njërën anë dhe zhgënjimi i madh në politikanët vendorë, ka bërë që shqiptarët të zhvendosen lehtësisht nga besimet e tyre tradicionale.

Investimet e shumta nga jasht për instalimin e sekteve të reja fetare, kanë çuar më shumë në kundërthënjet brenda të njëjtit besim fetar se sa të përçarjeve ndërfetare në përgjithësi.

Të pa nevojshme dhe të pa arsyeshme janë publikimet me ngjyrime partiake të disa intelektualëve në rrjetet sociale, duke e paraqitur si të rrezikuar njërin sekt fetar në Kosovë.

Kështu ndodh, kur intelektualët nuk po e kryen punën që u takon, kur politikanët dështojnë në qeverisjen e vendit dhe kur klerikët dalin jashtë fushës së religjionit.

Shqiptarët asnjëherë gjatë historisë mijëvjeçare nuk kanë pasur konflikte ndërfetare, andaj e kanë të kotë armiqt që të shkaktojnë konflikt ndërfetar në mes shqiptarëve në ditët e sotme.

Për shkak se fërkimet e lehta ndërfetare janë të papërfillshme në raport me rrënjët e thella të një gjaku e të një ashti të shqiptarëve. Atdheu për shqiptarët është mbi ideologjitë fetare dhe partiake.

Ndalja e fërkimeve ndërfetare mbetët në dorën e intelektualëve të mirëfilltë, politikanëve dhe klerikëve atdhetarë, që t’ju bëjnë thirrje të sinqerta popullatës për unitet kombëtar para atij fetar.

Ideologjitë shkojnë e vijnë, kombi është përjetshëm.