NEXHMIJE PAGARUSHA

NEXHMIJE PAGARUSHA

BILBILI I KOSOVËS, NDERI I KOMBIT DHE KRENARIA E TIJ E LIGJSHME, NJË DHUNTI E RRALLË, NJË MADHËSHTI NË PËRJETËSI, NJË EMBLEMË ILIRE NË TOKËN BUJARE TË GJAKUT, NJË ËNGJËLL: BEKUAR PREJ ZOTIT!

Falenderoj Zotin që i takoj këtij populli me një kulturë të lashtë, të madhe e të mirë. (Nexhmije Pagarusha)

Shkruan: Xhemail Peci

Nexhmije Pagarusha hyri në sfondin e këngës shqipe e të kulturës shqiptare, si e zbritur nga qielli, prej atje ku u kthye sërish: mes thellësive dhe lartësive të sferave që u takojnë vetëm shpirtrave të mëdhenj.

Ardhja e saj në këtë jetë në muajin maj dhe, ikja e saj e papritur sa  dhe e dhembshme nga kjo jetë në muajin shkurt, vetvetiu të kujton thënien e njohur se arti është i gjatë e jeta është e shkurtër.

Nexhmije Pagarusha është një jetë e tërë e shkrirë në këngë. Ajo i dha zë këngës shqipe, ajo i dha flatra muzikës shqiptare, ajo i dha shpresë publikut shqiptar, të cilin e deshti aq dhumë dhe i cili u bë bashkuhdhëtar i saj i përjetshëm.

Zemërthirrjet si dhe zemërklithjet e saj që dilnin nga thellësia e qenies së saj, sa nga stendat e muzeut krahanor po aq edhe nga shtresat e shumta të një shpirti finsik sa dhe të bardhë, u bënë zëra shprese e rreze drite për një ardhmëri në liri, dëshmi e gjallë se poezia dhe kënga e mbajnë gjallë shpirtin e një kombi.

Zëri i saj magjik, ato vokale të papërsëristhme, ato drithma e ato timbre zëri që rrëmbenin aq fort me jehonën e tyre, ngjanin aq shumë me gurgullimat e krojeve e me rrjedhat e ujëvarave të dheut, që e lindi dhe e rriti.

Ajo diti aq bukur të artikulonte përmes zërit të saj, këngët e shumta popullore ku i këndoi jetës dhe dashurisë, por pikërisht nëpërmjet këtyre këngëve, sa nën petkun e metaforës po aq edhe të simbolikës, ajo u bëri thirrje si trimave ashtu edhe trimëreshave, ta gëzonin vatrën e re, atdheun e tyre të përbashkët, të cilën e deshti, e për të cilin këndoi e gjakoi aq shumë, dhe të cilin e lartësoi dhe e përjetësoi shumë.

Nexhmije Pagarusha rridhte nga një familje arsimdashëse sa dhe atdhetare, gjë që ndikoi shumë që ajo të bëhej prijatare e të ndihej vazhdimisht krenare për rrugëtimin e saj si këngëtare, e cila do të trasonte rrugë e do të hapte shtigje të reja të artit muzikor shqiptar.

Nexhmije Pagarusha u bë mishërim i këngës së mirëfilltë shqiptare, i muzikës popullore por edhe asaj artistike. Ajo ishte sa këngëtare po aq edhe një shtojzovalle në salla e në auditore, në skena të shumta kombëtare e ndërkombëatre. Sa këngëtare, ajo ishte njëlloj edhe një artiste e lindur.

Me atë rimtin elegant të lëvizjes e me atë taktin e rrallë të vallëzimit, me veshjen tradicionale shqiptare e me koloritin e mirëfilltë të artit burimor shqiptar, me buzëqeshjen e saj të trëndafiltë e me atë flakërim ari që rrezatonte nga e gjithë qenia e saj prej këngëtareje të madhe, ajo e bëri për vetë masën.

Ajo e deshti publikun dhe publiku e adhuroi atë, ajo e mbajti dhe e mbrojti të pastër këngën e mirëfilltë shqiptare, dhe nuk lejoi ndërhyrje tek tabani popullor. Edhe në këtë pikë, ajo mbeti po aq origjinale sikurse edhe në interpretimin e saj brilant.

Me magjinë e zërit të saj të papërsëritshëm, me bukurinë e zërit të saj përplot hire, me hijeshinë e veshjes së saj kombëtare, me bukurinë e këngës shqipe, ajo u bë ikonë e përjetshme e këngës shqipe.

Modestia e Nexhmije Pagarushës ishte vetë madhështia e saj.

Dhuntia e saj ishte vetë përjetësia e saj.

Nexhmije Pagarusha ishte një dhunti e lindur e këngës shqipe. Pamja e saj sa e hirshme ishte po aq edhe e vetvetishme në rrezatimin e rrallë që i kishte falur natyra. Ajo rrezatonte dritë dhe dashuri, fisnikëri dhe bujari, thellësi zemre dhe bardhësi shpirti, çiltërsi e modesti, madhështi e përjetësi.

Duke e ngritur lart këngën shqipe ajo e ngriti lart edhe kulturën shqiptare. Me një pasion dhe me përkushtim proverbial, ajo u ngrit lartësive të  pafundshme të artit muzikor shqiptar.

Në një kohë kur Kosova nuk njihej aq shumë, në një kohë kur Prishtina ishte kryqendër, ajo bëri që vendlindja e saj Pagarusha të bëhej njëkohësisht edhe një epiqendër referimi nëpërmjet së cilës, ajo do ta bënte Kosovën më të njohur jashtë kufijve të saj.

Nexhmije Pagarusha e deshti me gjithë zemër këngën shqipe, me gjithë shpirt ajo e deshti kulturën shqiptare dhe artin shqiptar, të cilave iu shërbeu tërë jetën e saj.

Kënga ishte fryma e saj, ishte flaka e gjallë e frymëzimit të zaj, të cilën ajo ua la trashëgim brezave.

Ajo u përkul përpara publikut me tërë ndjenjën e saj të modestisë dhe me tërë atë përmasën e saj të madhështisë, prandaj edhe publiku iu ngrit në këmbë dhe e duartrokiti gjithmonë, i qëndroi besnik gjithmonë dhe e adhuroi gjithmonë.

Ashtu sikurse simotra e saj Vaçe Zela, e cila këndoi në Shqipëri e u adhurua aq shumë në Kosovë e kudo që shkoi dhe këndoi, në një kohë kur kufirit ndërshqiptar ishte i thurur me një gardh prej hekuri e me tela prej gjembash, edhe Nexhmije Pagarusha këndoi në Kosovë dhe u adhurua edhe jashtë Kosove, në Shqipëri e kudo që doli me flatrat e fjalës shqipe – në zërin e saj përplot hire, përplot magji, përplot melodi, përplot, bardhësi, përplot fisnikëri, dashuri, bujari, madhështi e përjetësi.

Që të dyja së bashku, Vaçe Zela dhe Nexhmije Pagarusha përbëjnë mishërimin më të bukur të shpirtit artistik shqiptar.

Edhe Nexhmije Pagarusha kishte një dhunti të rrallë-magjinë e zërit, sepse askund më shumë se sa tek zëri nuk është pasqyra e një shpirti. Pa dyshim, se vetëm një shpirt i madh e përmasash të papërsëritshme mund të kishte një zë si Nexhmije Pagarusha.

Zëri i saj i kristaltë ishte aq i kristaltë sa të gjitha kristalet e Galerive të Trepçës.

Një zë i veçantë e një margaritarë i rrallë, sepse vetëm një shpirti kaq të madh dhe kaq të bardhë, Zoti ia ka falë një zë të tillë. E zëri i zemrës gjithmonë flet ngapak, madje dhe kur nuk është më, kur ikën nga kjo jetë. Kur kthehet andej prej nga ka ardhur: në qiell, mes engjëjsh. Në parajsë, mes luleve, përderisa bilbilat dhe kanarinat do të këndojnë gjithmonë meloditë e një ylli të përjetshëm të muzikës së dlirë, të muzikës më të kulluar e më të mirëfilltë shqiptare.

Tek “Baresha” është e do të jetë gjithmonë: Mbretëresha e Këngës Shqiptare.

Nexhmije Pagarusha është shumë më shumë se kaq. Ajo është një përjetësi, dhe se vetë emri i saj i madh Nexhmije është një konstelacion yjesh, është një paralaksë yjesh në muzikën popullore dhe artistike shqiptare, është një emër me fije pavdekësie.

Bilbili i Kosovës është shumë më shumë se kaq. Ajo është shumë më shumë se një epitet, sepse në historinë e kombit të vet, ka vetëm një personalitet tjetër të cilit i është falur po kjo dashuri dhe po ky adhurim, deri në amshim.

Me këtë epitet, një komb që ka gjakuar aq shumë lirinë dhe që e ka dashur dhe krijuar aq shumë edhe artin, ka pagëzuar një poet nga më të papërsëritshmin në letrat shqipe, Naim Frashërin: Bilbilin e gjuhës shqipe, duke i kënduar atij me patos: Bilbil i vendeve të mia, more Naim Shqipëria!

Po ky komb, kaq i lashtë dhe kaq martir në rrugëtimin e tij të gjatë drejt lirisë, e ka ruajtuar dhe ia ka falur po të njëjtit epitet, ikonës së këngës shqipe: Nexhmije Pagarushës, duke e quajtuar atë: Bilbili i Kosovës.

Duke e pagëzuar kështu, duke e dashur kështu, dhe duke e adhuruar kështu, ky komb ka shprehur dashurinë dhe mirënjohjen e tij më të thellë për një këngëtare dhe një artiste të gjallë, e cila e ka ngritur artin muzikor të këtij kombi në piadestalin të cilin ai dhe ajo e meritojnë njëlloj.

Duke e pagëzuar kështu, duke e dashur kështu, dhe duke e adhuruar kështu, sinqerisht dhe përjetësisht, ky komb ka shprehur sa nderimin po aq edhe shpresën dhe besimin e patundur, se ashtu siç e kishte mundur Greqia e pushtuar pushtuesin e pagdhendur, njëlloj do ta mundte edhe Kosova.

Nexhmije Pagarusha jo vetëm që këndoi por përmes këngës së saj të mrekullueshme e përplot shkëlqim të rrallë, e trashëgoi ëndrrën e të gjitha brezave dhe gjeneratave se kënga e një kombi nuk mund të vritet kurrë, ashtu siç nuk mund të vritet as liria e tij.

Prandaj zëri i saj, herë ishte eshkë e herë strall, herë melodi e gjallë e përherë magji e rrallë, herë himn i papërsëritshëm e herë zë shprese, herë lirikë e herë epikë, por ai zë mbeti gjithmonë bekim i bardhë që na fali Zoti, zë të cilin Nexhmije Pagarusha na e dhuroi me gjithë zemër e me gjithë shpirt.

Nuk ka dyshim se ajo është një institucion në vete, një filharmoni dhe një akademi në vete.

Nexhmije Pagarusha është një madhështi në përjetësi.

Si i tillë, ky emër që rrahë sot në çdo zemër që e deshti dhe e do këngën e saj të madhe sa dhe të papërsëritshme, që e adhuroi dhe do ta adhurojë atë edhe sot e edhe mot, do të shkëlqejë gjithmonë me po të njëjtën madhështi dhe me po të njëjtën bardhësi, në mermerin më monumental të kulturës kombëtare iliro-shqiptare.

Është thënë me të drejtë se tek ka kënduar përpara vëllezërve dhe motrave të një gjuhe dhe të një gjaku, pra tek ka kënduar mes Arbëreshëve të Italisë, zëri i saj është bashkuar me shpirtin e Jeronim De Radës, të Françesk Anton Santorit e me të Zef Serembes.

Njëlloj, edhe për këngëtaren e papersëritshme mund të thuhet ajo që është thënë për poetin e papërsëristhsëm, Lasgush Poardecin, se “ka përcëlluar drejt shqipes, zjarrin drithërues të ilirishtes”.

Sot, në këtë ditë dhembjeje dhe pikëllimi, por edhe në këtë ditë krenarie të ligjshme për këtë emër që rri si një emblemë ilire në tokën bujare të gjakut, ajo bashkohet me shpirtat e mëdhenj të kulturës shqiptare, me shpirtrat që kishin vetëm një mision dhe vetëm një vizion: çlirimin dhe përparimin e këtij kombi të shumëvuajtur ndër shekuj.

Në këtë ditë dhembjeje dhe pikëllimi të thellë, Nexhmije Pagarusha bashkohet me shpirtat e mëdhenj të simotrave të saj: Marije Kraja, Luçie Miloti, Vaçe Zela, e saj e sa të tjera.

Ajo kthehet tek simotrat e saj, tek Elikona ilire e tek Etleva dardane.

Ajo kthehet përjetësisht në botën e sferave të larta, prej nga e kishte dhe zërin e saj.

Një bilbil i këngës shqipe kthehet në folenë e përjetshme.

Një kanarinë ia falë zërin e saj vetë parajsës.

Një engjëll kthehet mes engjëjve:

Përjetësisht!

Dhembja shndërohet në krenari, ndonëse ajo sa qiellit i duhet njëlloj edhe tokës.

“Baresha” mbetet si një testament pavdekësie në tokë, përderisa Mbretëresha e Këngës Shqipe, përkatësisht shpirti i saj i bardhë e i madh, ngjitet drejt lartësive qiellore, në përmasa përjetësie.

Në mënyrë të veçantë, Nexhmije Pagarusha u përkul përpara një kombi të tërë. Prandaj edhe sot një komb i tërë përkulet para saj, përpara këngës së saj, përpara jetës dhe veprës së saj.

Prishtina, kryeqendra e saj e dashur ka dëgjuar këngët e saj, në shenjë nderimi dhe respekti. Në kafenetë dhe në rrugët e saj, ka jehuar sërish zëri i zemrës së saj.

Pagarusha, vendlindja e saj e paharruar dhe epiqendra që na e fali atë, ka ndezur qirinj, duke shprehur kështu sa dhembjen po aq edhe mirënjohjen e vet të thellë për bijën e saj të madhe.

Ta paçim hua për jetë të jetëve, Nexhmije!

Sepse trashëgim na le krojet e kristalta të zërit tënd të papërsëritshëm, sepse me hiret dhe me magjinë e zërit tënd, me artin e zërit tënd i dhe shpirt fjalës shqipe dhe këngës shqipe.

Sepse me harmoninë dhe me mrekullinë e atyre tingujve tu të ëmbël, me ato ritmet engjëllore i dhe krahë shpirtit tonë, duke e ngritur muzikën në shkallën më të përkryer të lutjes së përjetshme: mes Zotit dhe shpirtit njerëzor.

Prandaj, një komb i tërë, sot të thotë:

Lamtumirë Nexhmije!

Tek përshpërit me zemër të thyer, vargjet e kryepoetëve të tij, Nexhmije:

Ato të Jeronim De Radës:

Ka duvak qiellin me yje!

Ato të Bilbilit të Gjuhës Shqipe, Bilbil i Kosovës:

Lum, si ti shpirt i pamort, lum si ti zemër hyjnore!

Sepse me këngën tënde, u ngrite si një yll dhe mbete një përmendore.

Sepse, me këngën tënde të madhe frymëzove penën e madhe të Ramiz Kelmendit, pikërisht në shkrimin aq emblematik kushtuar Juve, të shkruante një testament për të gjitha breznitë orëmira:

“Populli që nderon njerëzit e vet të mëdhenj, njerëzit e vet të rrallë, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, para së gjithash e mbi të gjitha -nderon veten. Një popull që u ngre përmendore figurave dhe personaliteteve të veta më të nderuara, ai popull, para së gjithash e mbi të gjitha, i ngre përmendore kulturës së vet, qytetërimit të vet, historisë së vet. I ngre përmendore vetvetes”.

Një komb i tërë të nderon sot, e në mollëzat e faqeve rrjedhin pikat e lotit:

LAMTUMIRË NEXHMIJE!

LAMTUMIRË:

ËNGJËLL, BEKUAR PREJ VETË ZOTI!