Nëse E.Rama ka të drejtë në diçka, ajo është kur ai “fyen ” mediat në Shqipëri…

Nëse E.Rama ka të drejtë  në diçka, ajo është  kur ai “fyen ” mediat në Shqipëri

Nga Skëndër Sadri KAPITI

MEDIAT JANË DHE BËHEN MËKATARE TË MËDHA KUR ATO SHITEN TE POLITIKA,TE PUSHTETI , TE INTERESI, TE KORRUPSIONI, TE PARAJA DHE TE TRADHËTIA.

Politika, pushteti, administrata, shoqëria civile, mediat dhe drejtësia janë njëlloj dhe një, në Shqipëri dhe në Kosovë, janë njëlloj si pushteti dhe kundrapushteti, janë njëlloj me to dhe të kapura prej tyre edhe drejtesia, edhe mediat , edhe  shoqëria civile që synojnë  të kapin pushtet apo pjesë të tij; të cilat bashkëpunojnë vetëm për  përfitime dhe për interesa personale

Më shumë në këtë shkrim unë shpreh opinionin tim për mediat, i cili është edhe motivi që më shtyn edhe njëherë tjetër që të ndalem në lidhje me karakterin e mercenarizmit  politik dhe materialist të shumicës së mediave shqiptare.

Këtu unë nuk do ndalem që të analizoj qeverisjen e Edi Ramës, sukseset apo dështimet, premtimet:  mbajtjen apo mosmbajtjen e tyre, dhe as sjelljen e tij edhe me mediat , dhe as në kritikat e mediave ndaj tij etj.  Por do ndalem vetëm në atë për të cilën ai ka “fyer” në ndonjë rast  shumicën e mediave në Shqipëri.

“Në këtë aspekt unë them se ai ka të drejtë”.

Kur politikanët me karrierë të gjatë politike, publike dhe pushteti akuzojnë apo i “fyejnë” e   “shajnë”  mediat , ata edhe duhen besuar. Kjo sepse ata më mirë se kushdo tjetër i njohin shumë mirë marifetet e servilizmit, të amoraliteteve, të manipulimit dhe të shpifjeve prej tyre me reklama dhe informacione të manipuluara, të stisura  e deri edhe me shpifje dhe lajme të rreme.

Mediat në Shqipëri, shumica e tyre janë mercenare në kuptimin e plotë të fjalës.

Kjo për faktin se nuk është e veshtirë për të konstatuar karakterin thellësisht politik të tyre, shërbimit që ato i bëjnë asaj politike e cila me pushtetin e saj i korrupton  dhe i blen ato.

Nuk është e vështirë për të konstatuar  te shumica e mediave  në Shqipëri karakterin prostitutiv mediatik të tyre, ndërrimin e partnerit politik, “tradhëtinë”  dhe rrëshqitjen  e tyre për në prehrin e të “të fortëve”  sidomos  të atij që fiton dhe merr pushtetin , dhe në prehrin e atyre që kanë paranë.

Ato media të cilave pushteti nuk u ofron favore dhe kur pushteti nuk u ofron akrabasë  materialiste mediatike poste e detyra në administratë , favore nga paraja publike në tendera e në investime , pra ato media të cilat i skualifikon pushteti ,pasi pushteti  nuk është në gjëndje që t’i blejë të gjitha televizionet, gazetat dhe pronarët e gazetarët e tyre, atëhere këto media bëhen opozitare nga” halli” dhe nga “pakënaqësia “ për interesat e tyre dhe nuk bëhen opozitare  për  në shërbim  të interesave të   publikut, të kombit dhe të qytetarëve. Madje edhe mediat proqeveritare fillojnë të bëhen opozitare kur shqisa intuitive e tyre kap dhe nuhat  rrezikun dhe fillimin e lëkundjeve të politikës që ka  pushtetin të cilit ato i shërbejnë dhe fillojnë të devijojnë kahje drejt opozitës.

Nuk ka, përveçse shumë rrallë media të pavarura në Shqipëri por edhe në Kosovë.

Mediat shqiptare në tërësinë e tyre nuk janë opozitare dhe as nuk i shërbejnë të vertetës , të drejtës dhe as qytetarëve , por u shërbejnë interesave private të pronarit dhe stafit gazetaresk rreth tij, dhe si të tilla ato shërbejnë , veprojnë e sillen  si mercenarë manipulativ informativ të pushtetit, për përfitime prej tij  si dhe  prej parasë pa marë parasysh se nga vjen ajo.

Mediat në Shqipëri janë edhe të tilla shumë mediokre sa që u kanë vënë bllokadë dhe embargo edhe individëve dhe personaliteteve dinjitozë, me intelekt, me personalitet e  me profil të lartë intelektual, profesional, ndershmërie e patriotizmi , kjo për faktin se mediat në Shqipëri kanë  si karaktere alternativat kundër këtyre pasi që  shumë nga mediat  shqiptare  shëmbullojnë  dhe janë  si shëmbëlltyrë e politikës dhe e politikaneve shqiptarë: injorantë, xhelozë, egoistë, të korruptuar, servilë,  interesaxhinj  të parasë dhe të përfitimeve personale, të çinteresuar për interesin kombëtar etj.

Kryeministri shqiptar duke ua njohur  mirë këtë karakter shumicës së mediave në Shqipëri ai  kur kritikon, akuzon e deri edhe kur i “shan” ato , ai thotë ato që janë të vërteta  për  to. Ato janë të vërteta përderisa mediat shqiptare janë politike qoftë edhe ato të cilat i kanë shërbyer edhe atij e pushtetit të tij, e që ndoshta tani kanë filluar të ”guxojnë”  për të ndryshuar drejtimin kur shohin dhe mendojne se tashmë mund të fillojë rënia e pushtetit të tij .

Përderisa mediat në Shqipëri janë politike,  dhe si të tilla ato i shërbejnë politikës dhe urdhërave e korrupsinit politik  prej të cilava ato kanë pjesën e majme të përfitimit prej tyre, atëhere padyshim dhe detyrimisht mediat në Shqipëri janë si vetë politika shqiptare: servile, mashtruese, gënjeshtare, manipuluese, të kriminalizuara e të korruptuara, pra të pista dhe të ndotura.Mediat në Shqipëri , shumica prej tyre janë aq të pafytyra dhe të pabesa sa që nuk e kanë për turp për të bërë çdo lloj tradhëtie e pabesie  ndaj pavarësisë, ndaj opozitarizmit që ato kanë si mision, ndaj të vërtetave dhe ndaj interesave publike , sa që  pabesinë dhe tradhëtinë e bëjnë menjëherë ,në rastin më të parë kur ndryshojnë rrethanat politike dhe ato materialiste.

Rama për disa media e gazetarë ka të drejtë përderisa ato për vetem interes të tyre nuk a kanë për gjë për të bërë edhe skandale  e turpe kombëtare, duke marrë  edhe paranë e huaj  për t’u shërbyer interesave të huaja në Shqipëri siç ishte edhe deklarimi nga mediat dhe politika greke e cila nxori zbuluar skandalin e financimit prej fondeve sekrete greke të mediave, tevizioneve , gazetarëve dhe opinionistëve shqiptarë për të bërë mbrojtjen e interesave greke në Shqipëri në dëm të madh të interesave kombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve .