Dy poezi –

NEBI DRAGOTI

DRAGOTI

Dragoti më është kopësht me lule:
me trëndafila, zymbyla e karafila,
ku rriten djem e vasha me pekule,
Dragoti më është kopësht me lule.

Dragoti i Dumresë, vendlindja ime,
gjithë ëndrra më joshi në fëmiri.
Me fisin tim edhe të tjera fise
mbushur është ky fshat me dlirësi.

Aty së pari dielli më dha rreze
dhe hëna magji, bukuri poezie
e rini gazmore e jetë pa derte,
Dumreja ime, vendlindja ime.

-Ky Nebi Dragoti na u bë poet,
-e thotë vendlindja, Dumreja ime,
-tani rron dhe shkruan në qytet;
notar i mirë në liqene lirike…

SHQETËSIM POETI

Ah, mbeta hipur në çati
duke zënë ca pika , ca gjerba,
që s’më lënë në qetësi,
se usta më kërkoka jeta.

Merrne si t’ju dojë mendja:
në daç merrne për metaforë,
se këto pika, këto gjerba
më lagin dhe kanë kohë…

Dhe, më mbaka gjallë shpresa,
shpresa pasuri më e madhe…
Të zë ca pika, ca gjerba
s’ qënka punë e kollajshme.

Gati jam me zemrën time
të zë ca pika, ca gjerba
jo për ata që rrojnë nëpër vila,
por për ata që më dhemb zemra.

Të mos pikojë jo asnjë çati,
asnjë i skamur mos të laget
dhe mos të qajë asnjë fëmi,
dhe asnjë prind mos të qahet…

Nuk më lënkan në qetësi,
nuk më lënka as shpresa:
pra, ngela hipur mbi çati
të zë ca pika, ca gjerba…