Në Shqipëri pushteti më i ndotur është “pushteti” i mediave

Në Shqipëri pushteti më i ndotur është “pushteti” i mediave

Nga Skënder S.KAPITI

Aspak nuk është e vështirë për ta konstatuar dhe për ta zbuluar faktin se shumica e mediave në Shqipëri janë të ndotura nga interesi ,nga korrupsioni,nga amoraliteti politik dhe mercenar i saj.  Ato të cilat duken dhe e mbajnë veten si media kombëtare , “të autoritetshme “e të pavarura ato janë tipike më servile, puthadore ,shërbëtore dhe më mercenare të politikës , janë sahanlëpirese të pushtetit dhe të politikës, të parasë dhe të korrupsionit. Për shtypin e shkruar në Shqipëri për ta vertetuar këtë fakt do të ishte e mjaftueshme vetëm po t’i dëgjosh titujt e shkrimeve të tyre në faqet e para të gazetave të cilat i lexojnë në mëngjes emisionet nepër stacionet televizive.

Ka gazeta , shumica e tyre tërësisht janë ato që reklamojnë atë se çfarë dëshiron pushteti dhe qeverisja e cila rastis që ta ketë pushtetin. Por me ndryshimin e pushtetit po këto media e “ tradhëtojnë” ishpushtetin dhe behen reklamë dhe shërbëtore të pushtetit të ri, pra, nuk e kanë për gjë që pa pikë turpi ndërrojnë padronin.

Ka gazeta ,ato të cilat i mbesin besnike ishpushtetit  prej të cilit kanë përfituar privilegje në kohën e tij , por më shumë shajnë pushtetin e ri vetëm sepse ai nuk ia var pasi i ka mediat e tjera me shumicë të cilat i shërbejnë dhe nuk ka nevojë për të.

Po kështu janë edhe televizionet , media vizive, janë pikërisht edhe më të ndoturat pasi opinionit i servirin vetëm njërën anë të medaljes së realitetit ,atë që ia do dëshirimi i pushtetit dhe i politikës, pra duke manipuluar dhe seleksionuar informacionin.

P.sh. kemi që në të gjithë televizionet prej muajsh shohim për çdo ditë në të gjitha lajmet Erion Velinë ,Kryetarin e Bashkisë së Tiranës me një lopatë në dorë që mbjell ndonjë pemë nëpër Tiranë; shohim kudo ashtu sikurse kemi parë gjithnjë  deri në tre herë në të njëjtin edicion lajmesh që na del kryeministri i Shqipërisë edhe për aktivitete krejtësisht të rëndomta dhe të parëndësishëm. Media servile të cilat na i lexojnë edhe statuset e tyre dhe të personazheve negative, të neveritshëm e të diskredituarish “VIP”-a nëpër face-book.

Mediat kryesore në Shqipëri ashtu si edhe sistemi I drejtësisë janë bërë ortakë me korporatokracinë ekonomiko-korruptive të politikës, pra komponent me oligarkinë politiko-juridike te kriminalizuar e të korruptuar.

Mediat në Shqipëri por edhe në Kosovë janë tërësisht shërbëtore dhe proinstitucionale dhe në vënd që  të kryejnë misionin e tyre të opozitarit dhe të kontrollit mbi politikën dhe me pushtetin realisht janë servile dhe zëdhënëse të tyre. Mediat ashtu si edhe drejtësia kanë marrëdhënie simbiotike me pushtetin, me qeverisjen dhe me politikën dhe si pasojë ato janë të kapura dhe të ndotura nga vullnetarizmi mercenar i tyre për t’i shërbyer pushtetit dhe korrupsionit prej të cilëve ato marrin për këtë shërbim pjesën që u takon për rolin e tyre të manipulatorit të opinionit publik me informacionet dhe me lajmet qeveritare ashtu sikurse dëshiron pushteti dhe pronari i medias.

Mediat në Shqipëri nuk përhapin opinionin qytetar dhe atë se çfarë është shqetësim për publikun ,por ato japin dhe paraqesin e reklamojnë pikëpamjet dhe këndvështrimet e personale të pronarëve të tyre, pra si media biznesesh. Mediat në Shqipëri nuk u japin njerëzve ato për të cilat njërëzve u duhet, por ato i japin publikut atë se çfarë seleksionon dhe dëshiron interesi i mediave, i korporatokracisë ku pjesë e së cilës është edhe biznesi mediatik i këtyre  mediave .

Televizonet në Shqipëri janë mashtrues dhe manipulator të mëdhenj, informojnë pak por edhe atë informim e paraqet keq dhe i cili më shumë edukon shumë keq edhe publikun.

Televizionit i intereson te gjeje kliente reklamash, që të japë lajme që të  tërheqin “abonentë” per të pasur sa më shumë shikues; televizioneve në Shqipëri nuk u intereson me te vertete zgjidhja e problemeve si varferia, papunësia, eksodi , droga e krimi por i interesion vetëm lajmi për ta dhënë vetem si lajm. Shikoni se si gazetat të cilat në faqet e para shkruajnë me tituj “pikantë” për kronikat e zeza të krimeve ordinere, të krimeve të turpshme  brënda familjes, të krimeve të turpshme seksule, të drogave e prostitucionit dhe madje deri në detaje të hollësishme dhe në mënyrë të përsëritshme, shikoni programet kulturore të ekspozimit deri edhe të pjesëvë të turpshme të trupit neper koncerte, balerinat dhe sidomos me fjalorin skandaloz e banal në emisionet e humorit dhe të tjerë, shikoni reklamat dhe telebixhozin .

Gazetat dhe televizionet në Shqipëri synojnë për të informuar sa për të bërë bujë dhe treguar “çudira”, pra thjesht kanë një synim, videopushtetin . Pra pushteti i madiave është i ndotur , madje shumë me i ndotur se sa pushteti politik, qeveritar, komunal dhe ai i drejtësisë. Edhe mediat bëjnë manipulimin me korrupsionin, me krimin, me drejtësinë madje u bëjnë edhe shantazhin rasteve të rënda kriminale sidomos të atyre politike duke i fshehur dhe paraqitur shumë kalimthi ato pasi të paguhen mirë prej autorëve dhe skandalozëve të skandaleve ,duke i seleksionuar dhe paraqitur ato me mjaft finesë ashtu sikurse porosit pronari i medias.

Mediat në Shqipëri luajnë rolin e bëjnë lobing  për krahët politikë , gjë e cila vihet re gjatë fushatave elektorale, ku mediat e paraqesin fushatën elektorale duke paraqitur kasetat dhe incizimet e gatshme që ua japin atyre partitë politike. Mediat në Shqipëri e Kosovë informojnë pra keq dhe shumë pak për ato të cilat duhet të informohet  mirë dhe mjaftueshëm publiku. Ato nuk informojnë  pra mjaftueshëm  dhe sa e si duhet, pasi mjaftueshmëria për televizionet është ajo e cila u shërben interesave  personale të pronarëve  të mediave, interesit të redaksive të tyre, interesave të pushtetit politik dhe të biznesit mediatik. Në mediat në Shqipëri nuk ka vënd për individët, për intelektualizmin e profesionalizmin , nuk ka vënd për grupet e joorganizuara dhe për shoqatat të cilat nuk kanë potenciale financiare për të dale, për t’i paguar mediat dhe për t’i korruptuar ato, nuk ka vënd për realitetin e vërtetë dhe as për patriotizmin, pra, te mediat shqiptare në përgjithësi nuk ka vend ndershmëria, patriotizmi  dhe as realiteti i vërtetë dhe i pakurruptuar.

Mediat e kanë korruptuar edhe moralin.

Pra, shumica e mediave  në Shqipëri nuk informojnë por dezinformojnë ,ose më sakt informojnë dhe edukojnë keq dhe dëmshëm.