Në Shqipëri e Kosovë ligji dhe morali janë maska të antiligjit dhe kundramoralit

Në Shqipëri e Kosovë  ligji dhe morali janë  maska të antiligjit dhe kundramoralit

Nga Skënder Sadri KAPITI 

Moral do të thotë pagabueshmëri, do të thotë  drejtësi,  vërtetësi, liri, humanitet e njerzillëk, mirësi dhe  dobishmëri. Moraliteti e dallon njerezoren e pajisur me arsye  nga shtazëria. Nga morali burojnë edhe ligjshmëria dhe ligjet njerezore. Si morali ashtu edhe drejtësia vijnë nga Zoti për ta ruajtur moralitetin njerëzor. Edhe shteti është i projektuar nga Zoti për t’i mbrojtur dhe për t’u shërbyer antarëve të tij. Shtet i mirë është ai shtet që ka ligje të mira , por sidomos shteti është i mirë kur në atë shtet zbatohen ligjet, d.m.th që shteti duhet të jetë shtet etik dhe ligjor. Shqipëria është një shtet i cili si problematikë kryesore ka drejtësinë dhe moralitetin .Në Shqipëri sundon antiligji ose ligji i korruptuar dhe kunderamoraliteti ashtu sikurse fatkeqësisht i njëjti realitet është edhe në Kosovë. Them se sundon ligji i korruptuar por edhe i kriminalizuar sepse ligji dhe drejtësia janë pronat e më të fuqishmëve; se ligjin e bën dhe  të drejtën  e japin krimi, korrupsioni, ryshfeti , paraja dhe  politika  e drejtësia e kriminalizuar dhe e korruptuar. Shqipërinë e sundon edhe antimoraliteti ose kundramoraliteti pasi “de fakto” janë  edhe ligjësuar si “normalitete” morale edhe  hajdutëria, vjedhja, mashtrimi, gënjeshtra, hipokrizia, pandershmëria e tradhëtia. Si pasoje e këtij realiteti edhe demokracia në Shqipëri e Kosovë është një maskë e cila mbulon dhe fsheh antidemokracinë.Domokracia në Shqipëri nuk ka as kuptimin e demokracisë ideale, pra të asaj se  se si duhet të jetë ajo , por demokracia shqiptare realisht zbatohet si një antidemokraci sepse ajo nuk ka as liri të vërtetë, dhe as drejtësi e ligjshmëri, por demokracia në Shqipëri edhe ajo është një demokraci spekulative dhe e korruptuar e cila vetëm në popull nuk gjëndet , dhe as nuk i shërben e as nuk punon për popullin,përderisa sistemin dhe shtetin në Shqipëri i sundon dhe i qeveris antiligji dhe kunderamorali politik dhe ai juridik. Politika dhe drejtësia në Shqipëri e kanë infektuar rëndë me antiligjshmërinë, me korrupsionin  dhe me amoralitetin e saj edhe shoqërinë shqiptare. Kjo pasi politika dhe drejtësia shqiptare me edukatën e vet të ulët , të kriminalizuar dhe të korruptuar e kanë infektuar edhe shoqërinë. Prej politikës dhe politikanëve  shqiptarë, prej pushtetarëve dhe prej gjyqtarëve e prokurorëve shqiptarë, prej keqfunksionimit të shtetit dhe të administratës shtetërore, Shqipëria dhe shqiptarët mbeten te fundit në Europë në rrugën e zhvillimit dhe të emancipimit civil, të atij ligjor, të atij demokratik dhe të integrimit. Duhet patjetër që ligji dhe morali të instalohen, ta  sundojnë e ta qeverisin sistemin, por njëkohesisht edhe shoqërinë civile dhe individët e shoqërisë shqiptare. Pra duhet një VETTING gjithpërfshirës.