Në lëndinat e letërsisë për fëmijë

Kulturë

 Kadri Tarelli shkruan:

Në lëndinat e letërsisë për fëmijë

                 (Libër i shkruar nga Xhevahir Cirongu)

Fëmijët e vegjël tani do të ken në dorë një libër të ri dhe do të kënaqen me rrëfenja e përralla të bukura të shkruar me aq dashuri e përkujdesje nga shkrimtari i njohur Xhevahir Cirongu. Pas shumë shkrimeve të publikuar në shtypin e shkruar dhe në faqet e internetit, Xhevahiri guxon e provon të futet në livadhin dhe lëndinat e letërsisë për fëmijë, duke sjellë e mbjellë edhe disa lule të tjera plot gjyra dhe erëmirë.

Të shkruash për fëmijët, në pamje të parë duket e lehtë, po nuk është kështu, përkundrazi shumë e vështirë, kështu kanë thënë më parë ustallarët e kësaj gjinie të letërsisë. Vetëm kur ulesh, provon dhe hedh në letër fjalitë e para, kupton se sa e vështirë është të hysh në botën e fëmijëve, të gjesh fjalët e duhura që ata t’i përjetojnë ngjarjet dhe të mbushësh mendjen dhe shpirtin e tyre, me ndjesi e guxim, ëndërra e fantazi, mençuri e trimëri, durim e maturi, për shokun e mikun, nderim e miqësi. Po kaq e vështirë është të bësh, që të pranojnë e të mësojnë nga gabimet, të dënojnë sjelljet e shëmtuara e teprimet, duke ngjallur përbuzje e neveri për të ligun, të keqin dhe armikun, gënjeshtarin e tinëzarin, hajdutin, kusarin dhe tradhëtarin.

Të hysh në botën e fëmijëve kërkon së pari, t’i duash ata me shpirt e zemër, në të kundërtën as mos e merr mundimin të mendosh për ta, e më pak të shkruash. Së dyti, mbase më e vështira, duhet të bëhesh edhe një herë i vogël, me mendësitë, dëshirat, çapkënllëqet dhe fantazinë e moshës. Në këtë libër të vogël, edhe Xhevahiri provon të jetë edhe një herë i vogël, ndaj me shumë durim i merr për dore “shokët e vegjël” dhe i shëtit nëpër vendet, malet e kodrinat, pyjet, pemët e korijet, lumenjtë, përrenjtë e burimet. Ai nuk lodhet duke vrapuar e mbledhur fruta e lule, më pas freskon fytyrën dhe ulet të shuajë etjen duke e vë buzet në pasqyrën e burimit të ftohtë e të kulluar.

Shkrimtari është dhe bëhet i besueshëm sepse lëviz pikërisht aty ku ka kaluar edhe vetë, këput lule dhe gjethe, dëgjon gurgullimën e ujit  që rrjedh, fëshfërimën e drurëve e të shkurreve, bashkë me ta edhe këngën e zogjëve, takon kafshë, shpendë, zvarranikë e plot gjallesa, që i njeh mirë, “bisedon” me ta duke ia ditur edhe gjuhën e tyre.

Në kët libër të bukur gjejmë edhe njohuri e fjalë të panjohura për fëmijët që jetojnë  në qytete, ku lidhjet me natyrën janë më të kufizuara e më të pakta. Shkrimtari me delikatesë na kujton fjalë të harruara edhe nga të rriturit. Po sjell disa vogëlima të bukura sa për kujtesë: eshka, gurri i starllit, masati, çibuku, vegla që i përdorin sot vetëm barinjtë që kullosin bagëtinë nëpër bjeshkë e kodrina, ose pleqtë që nuk u ndahet shpirti nga bukuritë dhe shija e veprimeve të rinisë. Po kështu me mjaft kulturë biollogjike, na rrëfen pjesë nga jeta e gjallesave, si gjarpëri nën gur, foletë e pëllumbave të egër nëpër zgavrat e gurëve, jeta e vetmuar e nepërkës së shullërit, helmi i fortë i akrepit bisht’harkuar etj, etj.

I mbetet lexuesit të vogël që të bëjë vlerësimin e këtij libri, megjithse unë jam i bindur se do t’u pëlqejë e s’do ta lëshoni nga dora dhe do ta bisedoni mes shkokësh, mbase edhe mësuesin dhe me prindërit.

Po kshtu i takon edhe familjarëve, vëllezërve dhe motrave në shtëpi, që të japin vlerësimin dhe gjykimin, për dobinë edukative të rrëfenjave, të cilat i bëjnë fëmijët më të mirë, më të ditur, më punëtorë, më të zotë, më të sjellshëm dhe qytetarë të mirë.

 

Kadri Tarelli

Durrës, më 13. 06. 2016.