NË GALICË PËRKUJTOHET EPOPEJA E “ARBËRISË SË VOGËL”

Përvjetorë lavdie

Bedri TAHIRI

NË GALICË PËRKUJTOHET EPOPEJA E “ARBËRISË SË VOGËL”

Korriku- muaj i Galicës

Po të kishte horoskop edhe për vendbanime, korriku do t’i përgjigjej Galicës. Këtë e them me plot gojën, ngase kam argumente: Në korrik 1907 ra heroikisht Bejtë Galica; në korrik 1921 Shota vret naçallnikun në Mitrovicë; më 15 korrik 1924 u zhvillua Epopeja e Arbërisë së Vogël; më 25 korrik dha shpirt Azem Galica; më 10 korrik vdiq Shotë Galica dhe 17 korrik 1998 ra dëshmori i UÇK-së Adem R. Ademi!

Dhe, më 15 korrik 2017, në 93 vjetorin e Epopesë së Arbërisë së Vogël, gjegjësisht në 90 vetorin e vdekjes së Shotë Galicës, pasardhësit e Rilindasve tanë mendjendritur e zemërzhiritur nga të gjitha trojet shqiptare, të organizuar rreth Shoqatës “FOLEJA KOMBËTARE SHQIPTARE”, të cilën e drejton veprimtarja e njohur, znj. Elida Jorgoni ia mësynë Galicës. Galicasit, i madh e i vogël, dhe dashamirë të flakët të atdhetarizmës nga Drenica e mbarë Kosova u grumbulluan si dikur moti në Logun e Kuvendit për t’i pritur zemërhapur…

Respekt i veçantë për Shotë Thaçin 84 vjeçare, mbesën e Shotë Galicës dhe të vëllain e  saj, Beqir Gashin si dhe familjarët tjerë të heroinës!

Fjalë përshëndetëse

Të nderuar të pranishëm!

Sot gjendeni në truallin ku, më 15 korrik 1924, u zhvillua beteja e fundit e Azem  Galicës, e cila në histori njihet me emrin Epopeja e Arbërisë së Vogël. Ardhja Juaj është një nder i veçantë për ne dhe për heronjtë, sepse nuk thuhet kot: Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë!

Azem Galica, i biri i Bejtë Galicës, një udhëheqës i shquar i kryengritësve antiosmanë që ra në luftë kundër Shemsi Pashës, në malet e Deviçit, më 1907, bashkë me Nusen e Maleve, Shotë Galicën, dhe me bashkëluftëtarët e tij besnikë, për 12 vjet rresht nuk i lëshuan armët nga dora. Ata zhvilluan mbi gjashtëdhjetë beteja fitimtare kundër pesë pushtuesve të kohës:

– Kundër Turqve të Rinj (1908- 1912),

– Kundër Serbisë së Parë (1912- 1915),

– Kundër austrohungarëzve (1915- 1918),

– Kundër bullgarëve (1915-1918) dhe

– Kundër Mbretërisë SKS (1918- 1924, 1926).

Luftërat e Azem Bejtë  Galicës kishin karakter mbarëkombëtar. Ai ishte i lidhur ngushtë me Hasan Prishtinën dhe me Komitetin e Shkodrës. Kështu, më 1918, forcat e tij çlirimtare arritën ta çlirojnë nga austrohungarezët Drenicën, Istogun dhe Pejën.

Se Azem Bejtë Galica punonte me PROGRAM tregon edhe fakti: Në Kryengritjen e madhe të vitit 1919, e cila nisi në Drenicë dhe mbaroi në Llapushë, ai kishte arritur të mobilizonte 12 mijë luftëtarë nga të gjitha krahinat shqiptare. Nisur nga kjo, Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës, njëzëri e kishte caktuar Azem Galicën kryekomandant të të gjitha çetave çlirimtare shqiptare.

Qeveria serbe, në pamundësi për ta shuar Lëvizjen çlirimtare shqiptare, detyrohet të hyjë në bisedime me prijësit e saj.

Në vitin 1923 krijohet Zona e Lirë e Drenicës e njohur si ARBËRIA E VOGËR. Krytrimi Azem Galica ngriti Kullën, të tretën me radhë, dhe përfundimisht vendoset në vendlindjen e tij, në Galicë. Kjo bërthamë e parë shtetërore, në fillim përfshinte të gjitha fshatrat e komunës së Prekazit e më vonë vetëm tri: Galicë, Lubovec e Mikushnicë.

Kjo Kullë dhe kjo Zonë e Lirë, patën efekte të mëdha në popull, njerëzit morën zemër të qëndrojnë në trojet e veta stërgjyshore.

Në Beograd reagimet ishin të ashpra. Më 11. X. 1923, deputeti i Kosovës, Jovan Magovçeviqi, i inatosur tha: “Zotërinj, unë i kam dy vota; një si deputet i rregullt i Kuvendit Popullor dhe një si deputet i jashtëm i shtetit të Azem Galicës”.

Krajli serb nuk qetësohej dot pa e shkatërruar Arbërinë e Vogël të Azem e Shotë Galicës. Kështu, më 15 korrik 1924, ditën e martë, ditën e tretë të Bajramit të Vogël, forca të mëdha ushtarake serbe, mbi 1200 veta, nga garnizoni i Shkupit, në krye me Zhupanin, i rrethojnë të tri katundet: Galicën, Lubovecin dhe Mikushnicën. Ata me vete kishin marrë edhe shtatë topa të mëdhenj, të cilët i vendosin në kodrat përreth.

Beteja qe e përgjakshme dhe zgjati gjithë ditën. Kryetrimi me ata pak luftëtarë që ishin këtu, shumica ishin në shtëpitë e veta, qëndruan heroikisht dhe arritën të shpërthejnë të tre rrathet. Atë ditë, nga të dy palët, pati shumë të vrarë: 90 serbë e 83 shqiptarë (shumica gra, pleq e fëmijë, të gjithë i kemi të skalitur në lapidarin poshtë).

Azem Galica, i plagosur rëndë, jetoi deri më 25 korrik 1924. Trupi i tij u varros në varrin më të thellë në botë (75 m), në shpellën “Çuku që kërcet” të Përçevës. Aty qëndroi plot 47 vjet. Më 1971, atdhetari Abdyl Krasniqi nga Drenoci, i nxori eshtrat e këtij trimi dhe, me dëshirën e vajzës së vetme të trimit, Azemines, ata u varrosën mu këtu, në truallin e vet.

Sot, siç po e shihni edhe vetë, kapedani pushon në Galicën e tij të dashur. Këtu e ka Kullën, i ka bashkëluftëtarët, i ka familjarët. Ama,  ai disi është i shqetësuar, sepse po i mungon Shota..Varri i saj i zbrazët  këtu në Galicë është kenataf i llojit të vet, për të cilin grekët e vjetër do të bënin çmos!!! Bashkimi i tyre nënkupton bashkimin tonë shpirtëror e kombëtar!

Dheu që fliste me gjuhën e perëndive…

Dhe, evokime, përjetime, përmallime, çmallje, emocione…

Nga Çamëria e nga Presheva, nga Shkodra e nga Gostvari, nga Mirdita e nga Durrësi…

Përshëndetje edhe nga Dr. Mehmet Rukiqi e Behram Hoti…

Një grusht dhe nga varri i Shotës në Fushë-Krujë i vënë mbi varrin bosh të Shotë Galicës në Galicë fliste me gjuhën e vet dhe thoshte shumë…

Edhe një grusht dhe nga varri i Azem Galicës që u nis drejt Fush-Krujës kishte simbolikën e vet…

Një përurim ndryshe

Në Kullën-Kala të Azem Galicës (edhe pse ende jofunksionale) u përurua një poemë që për herë të parë doli dritën si libër i veçantë. Është fjala për poemën “Nën qiellin e mrrolur të Kosovës”, kushtuar Azem e Shotë Galicës, të cilën e shkroi krijuesi i njohur Perikli Jorgoni, pikërisht më 1971, kur Azem Galica fluturoi nga shpella dhe erdhi këtu në Galicë. Dorëshkrimin e poemës ma dha dhe ma besoi për botim, bashkëshortja e autorit, e palodhshmja Elida Jorgoni…

Ky përurim, mbase ndyshe nga të tjerët, u organizuar nga Klubi letrar “Latif Berisha” i Vushtrrisë, dhe, kryetarja e tij, poetja Ermirë Jusufi, në emër të klubit, me Mirënjohje (Pas vdekjes) nderon autorin e poemës, Perikli Jorgonin…

Si redaktor i librit, kopjen e parë ia dhurova mbesës së Shotë Galicës, motrës sonë të dashur, Shotë Thaçi nga Fushë- Kruja, bashkë me një dhuratë, një hartë të Kosovës punuar me kristal, të Xhemail Pecit.

Për në fund, si ëmbëlsirë e lamë këngën për kryetrimat drenicas, interpetuar nga rapsodët e Shoqërisë Kulturore “Drenica” të Skënderajt, zëbilbilat Bajram Jakupi dhe Haki e Naim Buzhala…

Galicë, 15 korrik 2017