Ndjesia dhe porosia, si dy segmente paralele që përvijojnë në vargje

Ndjesia dhe porosia, si dy segmente paralele që përvijojnë në vargje

 (Nëpër poezitë e Adem F. Gashit, të përmbledhura në vëllimin për fëmijë “Mëso ta pikturosh buzëqeshjen”, Shtëpia botuese “Shkrola Print”, Prishtinë 2018)

Nga GANI BAJRAMI

Sapo ka dalë nga shtypi vëllimi me poezi për fëmijë “Mëso ta pikturosh buzëqeshjen”, i autorit Adem F. Gashi, në botim të Shtëpisë botuese “Shkrola Print” të Prishtinës me redaktor autorin e këtij shkrimi dhe recensuese Meritë Berisha.

Pas vëllimit të parë me poezi për fëmijë “Kuvendim me kukulla”, autori Adem F. Gashi para lexuesve vjen me vëllimin e tij të dytë me poezi për fëmijë “Mëso ta pikturosh buzëqeshjen”. Nga vetë titulli shihet se autori ka porosi sublime, që në vete ngërthen mirësi, harmoni, dashuri, miqësi, pozitivizëm, optimizëm, pra prirje për të shikuar para së gjithash anët e mira, të ecjes përpara pa u trembur nga presionet e ndryshme.

Poezitë për fëmijë të autorit Adem F. Gashi, të përmbledhura në këtë vëllim, sikurse edhe në të parin, kanë tema e motive të ndryshme, që lidhen me botën e fëmijëve, me kureshtjet dhe interesimet e tyre për çështje dhe dukuri të caktuara. Edhe në poezitë e këtij vëllimi poetik lexuesit do të gjejnë botën e fëmijëve, ëndrrat e tyre, shpirtin dhe zemrën e tyre të pastër, por edhe imagjinatën e tyre, të cilat shpeshherë pasqyrohen si rrëfim ose bashkëbisedim i fëmijëve ndërmjet tyre,  apo i fëmijëve me prindër, si dhe nipërve e mbesave me gjyshër.

Të gjitha poezitë e këtij vëllimi kanë të përbashkët jetën e  përditshme fëmijërore. Pra në këtë vëllim poezish gjejmë jetën e përditshme të fëmijëve, dashurinë e tyre për prindërit, për nënën e për babanë, për gjyshin e gjyshen, për motrën a për vëllanë, dashurinë dhe respektin për mësuesit e mësueset, dashurinë ndaj shokëve dhe shoqeve të shkollës, dashurinë për kafshët, kujdesin për pastërtinë etj. Aty gjejmë poezi për shkollën e librin, respektin ndaj më të moshuarve,për vendlindjen e për atdheun, për festën e ditëlindjes e të Vitit të Ri, për festat kombëtare, për lojërat e ndryshme, për gëzimet e çiltëritë fëmijërore, po aty-këtu edhe për vërejtjet e fëmijëve.

Krahasuar me vëllimin e parë, spektri tematik i këtij vëllimi të autorit Adem F. Gashi del paksa më i varfër, ngase dominohet nga tema e motive të konsumuara shumë herë deri më tash nga autorë të ndryshëm, sidomos cikli i poezive që vijnë në formën e fabulave. Kur është fjala për këtë lloj të poezisë duhet theksuar se këto poezi me tematikë nga bota e kafshëve, duken të këndshme, sepse në to ka zhdërvjelltësi kreative dhe personifikim të figurave, tendencë kjo për të nxjerr në pah cilësitë e mira e të këqija të personazheve dhe për të dhënë edhe mesazhe.

Karakteristikë dalluese te poezitë e Adem F. Gashit është fakti se ato kanë rrëfim e porosi, pra kanë mesazhe, këshilla, udhëzime të vlefshme, nëpërmjet të të cilave autori angazhohet që me vargjet e tij tek fëmijët të krijojë shijen estetike, dashurinë për të bukurën, për njerëzoren, por edhe të ngjallë gjykimin për vese jo të mira, për sjelle të këqija dhe veprime të shëmtuara. Prandaj, nuk është e tepërt të thuhet se në vëllimin me poezi për fëmijë, “Mëso ta pikturosh buzëqeshjen”, ka diçka që më shumë mund të cilësohet si shpirtërore sesa si artistike. Është, pra, ndjesia dhe mesazhi, si dy segmente paralele që përvijojnë në vargjet e autorit të këtij vëllimi poezish.

Një karakteristikë tjetër është se autori është munduar të krijojë poezi të lehta e të rrjedhshme, me përmbajtje edukative dhe etike, ndonjëherë edhe me përmbajtje argëtuese. Ka aty këshilla për edukim dhe udhëzime për mësim për fëmijët, por edhe hare e argëtim. Autori i mëson fëmijët të duan të bukurën, natyrën, vendin, lirinë, mirësinë, librin… Thënë shkurt, në këto poezi spikat e bukura dhe e dobishmja, porosia e shëndoshë edukative, veti e cilësi, të cilat duhen ngulitur si përbërës të karakterit dhe personalitetit të fëmijës.

Në shumë poezi të këtij vëllimi ka disa vargje që vijnë si porosi e drejtpërdrejtë për lexuesin si: Duaje traditën kombëtare, besë e nder përherë përqafo,  të  mos tretemi e asimilohemi,  por edhe si vargje që tërheqin vërejtjen: Kosovën të mos e harrojnë, kurrë mos luani me zjarr,  kujtoje atdheun e të parëve, gjuhën e nënës mos e harro etj. Ka edhe vargje që tregojnë për pasojat e luftës së fundit, nga e cila shumë fëmijë mbeten jetimë: Linda në kohë të vështirë/ Nuk gëzova fëmijëri/ Lufta prindërit m’i mori/ I shoh vetëm në fotografi.

Dashuria për atdheun, trimëria, tradita, historia, virtyti defilojnë nëpër poezitë e këtij vëllimi. Ka poezi në të cilat i këndohet vendlindjes, atdheut, heroizmit të dëshmorëve. Meqë autori bën jetën e mërgimtarit në Kanada, tema e mërgimit dhe ajo e atdhedashurisë janë të pashmangshme, sepse jeta në mërgim shton mallin për atdheun, vendlindjen dhe njerëzit e saj.

Bie fjala, nëna mërgimtare porosi të përhershme u jep fëmijëve të vet që Kosovën të mos e harrojnë: Kosova është vendlindja ime/ Atje kam lënë shumë kujtime/ Malli i vendlindjes më ndjek/ I thotë e ëma bijës së vet. Bukur tingëllon edhe porosia se është fjala ajo që i përçanë dhe ajo që i afron njerëzit: Fëmijë kureshtarë pyesin/ Po me fjalë a behën ura?/ Kjo është një urti e vjetër/ Fjala bashkon gra e burra.

Sikurse te një pjesë e madhe e krijuesve letrarë për fëmijë edhe te autori Adem F. Gashi një pjesë e konsiderueshme e poezive lidhen me florën dhe faunën, prandaj aty gjejmë vargje për lulet e kopshtet, për luleshtrydhet e arrat, për fluturën, bletën, shpendët shtegtarë, pulën, rosën,  macen, qenin, lepurin, dhelprën, tigrin e luanin.

Fëmijët i duan shumë lulet dhe vrapojnë pas tyre, por, pos aromës së këndshme dhe bukurisë që ato kanë, lulet autori i vë edhe në funksion të patriotizmit: Me lule bëhen kurorë/ Vihen në përmendore/Nderohen dëshmorë/Në festa e përvjetorë.

Ky vëllim me poezi për fëmijë, është shkruar me një gjuhë të thjeshtë e të drejtpërdrejtë, me fjalë të kuptueshme, duke përshkruar emocione dhe ndjenja të rëndësishme për t’u mësuar fëmijëve gjërat e rëndësishme dhe thelbësore të jetës. Në rastet më të shpeshta vargjet janë me një rimë të mirë, që vëllimin e bëjnë më tërheqës për lexim nga grupmoshat e ndryshme të fëmijëve.