Na të qytetëruarit, që falim prona me kulturë

rm-Në çaj bahçe

Reis Mirdita

Na s’kemi punë me barbarët. Të gjithë janë barbarë me përjashtim tonin. E pra si të qytetëruar të mëdhenj e të lashtë, byle prej para Hënës e Diellit, duhet të sillemi si të tillë ! Po patjetër. Rishqyrtimi i kufirit nga të katër anët, ujë e tokë, duhet të bëhet qytetarisht, pa fjalë aspak ! E dini, grekët janë të egër, që kulturën e morën nga na ; mos të flasim për fqinjët tjerë e aq më pak mund të flasim për popujt jo fqinjë por që kanë të kaluar tejet prapanike, bof, perandori të egra e pushtuese, pa fije kulture. Na si të qytetëruar sot e që nga koha paraademike nuk duhet me u bë gaz i botës ; fale detin, fale malin, fale fushën fale lumin e mos u bën gaz i botës të të quajnë i prapambetur. Për më tepër kur flitet mes nesh se Avrupa që e mori kulturën nga ne, tash mundet lehtë, nëse jo nga qejfi, nga xhelozia ; nuk na pranon në guacën e saj, guacë nga e cila do barbarë kanë filluar të ikin ! Po ikin se s’kuptojnë asgjë, nuk janë si na të dijshëm !

Pushtetarët tanë an’e m’b’anë kah janë, të dalur nga ky popull i butë, paqedashës por që edhe Çmimin Nobël për Paqe nuk po ia japin nga xhelozia, tash e ka ditën të mos koritet për një copë vend. Na civilizuesit e botërave. Na tolerantët e pakrahasueshëm!, Na… Për një cope toke, për një copë deti për ca kub oksigjen! Bof, e falim, nuk koritemi para gëlltitësve të egër e para Eugropës. Na të civilizuarit! Po pra.

Na nuk harrojmë e as guxojmë të harrojmë se i kemi zgjedhur këta që i kemi zgjedhur. Nuk na kanë ngjarë edhe aq shumë neve sepse ata janë të civilizuar për të falur çka mos por jo edhe karrigen ku janë temenaisur. Karrigen edhe grabitjen në xhepa e shkeka të popullit të qytetëruar nuk e lënë të shkoj huq. Pasurimin mbi shpinë tonën e kanë harxh, ashtu në mënyrë të civilizuar.

Por sikur neve që na zënë për thnegla paqësore, të egërsohemi pak e t’ua ndalim hovin, ashtu me paqe, duke shëtitur e brohoritur rrugëve apo kur të na vjen në kuti, dua të them dita e votimit, t’ua shkurtojmë pantallonat e fustanet sikur që ata po na i shkurtojnë trojet. Por kujdes, tash nuk është koha e votimeve, tash është koha kur vetëm ata votojnë, aty në kuvend (me të vogël kuvend kur flitet për kuvendin e tyre që rivendosin kufij). Sot e kemi radhën se ndryshe do të na llogarisin thnegla që e imagjinonin veten shqiponja. Në mos lëvizje tonën, do të ndëshkohemi të shikojmë  në televizion e të lexojmë andej këndej për suksesin e radhës të kuvendarëve të qytetëruar që na i kemi votuar një ditë. Suksesi do të jetë qiellor: pak tokë në të djathtë, pak në majtë; pak andej, pak këndej…, pak nga deti pak nga mali…

Mos lëvizja e jonë do të përfundon me një amin të civilizuar! Do të ngelim vetëm disa barbarë, të nxitur nga barbarët, që do të vazhdojmë kundërshtimin në pafund por mjerisht, pa sukses të shpejtë. Por ani se na jemi të shpejtë e të lehtë vetëm për të falur aty dhe atij që nuk duhet falur!

Përpara Eugropa!

Përpara Hashimi me shokë!

Përpara Isa me shokë!

Përpara ata që ua lëshojmë rrugën!

Neve të tjerëve na ngelën të bëhemi shqiponja ose të rijmë thnegla gjithë duke ëndërruar se jemi shqiponja.