Na ishte njëherë Plazhi i Madh i Durrësit

Na ishte njëherë Plazhi i Madh i Durrësit

Nga Skënder S.KAPITI

(Ky shkrim është shkruar në Qershor 2016, dhe pas 3 vitesh termeti i 26 Qershorit 2019 “vertetoi” katrahurën rrënimtare që ka bërë pushteti qendror dhe ai vendor me lejet abuzive e kriminale  ndërtimore me pasoja shkatërrimtare  dhe të humbjeve të jetëve njerëzore)

Plazhi i Durrësit ka qenë Plazhi MË I MADH, më i mirë, më i bukuri dhe më i frekuentuari në Shqipëri por edhe ndër më të mirët në Ballkan. Plazhi ka pasur një brez të gjërë rëre prej rreth 150 -200 m dhe gjatësi  prej rreth 5km. Rëra e tij si dhe përqindja e lartë e kripës dhe e jodit të ujit të detit janë të një cilësie të lartë që kanë  efekte kurative kundër një sërë sëmundjesh, rheamatizmale kryesisht, të shpinës, të tiroideve, mushkrive etj., në sajë të një kombinacioni të përkryer të tre komponenteve ujë-rërë-ajër. Fakti tjetër që e bënte të veçantë Plazhin e Durrësit si një ndër Plazhet më unikale dhe të veçantë në Botë ndoshta, eshte fakti se nga buza e ujit që fillon me brezin e rërës shtrihet një gjërësi ujore e ceket gjatë gjithë vijës bregdetare të tij prej150 metrash  gjë që mundëson ngrohjen e shpejtë të ujit si dhe një vënd ideal që garantonte sigurinë për fëmijët dhe për ata të cilët nuk dinë notin pa pasur nevojë për grupe shpëtimi e roje plazhi.

 Pra, plazhi, për Durrësin dhe jo vetëm për të ishte një dhuratë e madhe për qytetin, për banorët e tij si dhe një pasuri e papërsëritshme kombëtare dhe vënd ideal  për pushuesit dhe turistët, ishte si një pishinë e madhe dhe  e mrekullueshme natyrore dhe si një burim punësimi e biznesi turistik për qytetin bregdetar të Durrësit.

Ja pse plazhi i Durrësit gjithnjë e më shumë po braktiset dhe gjithnjë e më tepër nuk po frekuentohet më masivisht as nga pushuesit vëndas, as nga vetë durrsakët madje si edhe nga pushuesit tradicionalë tashmë prej 25 vitesh të tij, të atyre mijra e mijra pushuesve nga Kosova dhe Maqedonia.

 

Po braktiset pasi këtë mrekulli të natyrës e prishi dora e njeriut, papërgjegjshmëria rrënimtare e pushteteve që e keqqeverisën Shqipërinë dhe sidomos pushteti dhe drejtimi nga pushteti e qeverisja vendore amatoreske, e korruptuar dhe aventuriere e Qytetit të Durrësit, sa që tashmë dëmi është bërë deri në atë shkallë aq  sa  nuk mund të riparohet më, përveç asaj për të ruajtur atë pak gjë çfarë i ka mbetur këtij plazhi, poqese ndokush do të interesohet për këtë gjë, për ta ruajtur dhe shpëtuar atë se çfarë ka mbetur dhe i ka shpëtuar këtij krimi të rëndë mjedisor dhe turistik e urbanistik  dhe të dëmshëm kombëtar i kryer në këto 25 vite tranzicion jo vetëm Pazhit të Durrësit por kudo  mrekullive turistiko-natyrore, historiko-kulturore dhe të trashëgimise kombëtare në përgjithësi.

Rrënimi i këtij plazhi është aq katastrofik sa që nuk do ta kishte realizuar as ndonjë studio e posaçme projektuese e zbatuese inxhinjerike armike e mrekullisë së natyrës dhe e turizmit kaq keq sa kështu siç është bërë, ku brezi i rërës është ngushtuar nga 200 në rreth 50-60 metra dhe sipërfaqet e tjera të plazhit janë asfaltuar e betonizuar aq shumë sa edhe pallatet e banimit nuk kanë gjelbrim jo se jo, po as vënd për parkimin e mjeteve të banorëve të Plazhit e jo më për autoveturat dhe autobuzët e pushuesve.

Plazhi i Durrësit mund të themi se është shkatërruar, por edhe ajo çfarë i ka mbetur akoma përditë e më shumë po degradon në sajë të neglizhencës pothuajse totale të përkujdesjes dhe të vëmëdjes së qeverisë, Pushtetit vendor, të Prefekturës dhe të Bashkisë Durrës, sa që të krijohet përshtypja sikur qëllimisht është shkatërruar dhe po degradon ky Plazh dhe tërë qyteti i Durrësit, pasi çuditërisht për çdo vit dhe  pikërisht në kohën e sezonit të plazhit fillojnë e rifillojnë punime me demek për rregullimine të infrastukturës po që në fakt kanë krijur përshtjellim dhe shkaktuar  përkeqësim ekoma më rëndë të situatës dhe madje edhe stres social te banorët dhe te pushuesit.

Plazhi është prishur aq keq sa nuk plotëson më as kushtet e një zone urbane  madje, pasi  banesat e ndërtesat e tij gjithnjë e më shumë braktisen prej banorëve dhe në dritaret e tyre lexon njoftimin “SHITET”.

 

Në sytë e çdo pushuesi, të një vizitori apo edhe të ndonjë kalimtari të rastësishëm që kalon në Plazhin e Durrësit të bie në sy një papastërti plehrash e mbeturinash grumbuj-grumbuj që nga buza e ujit, përgjatë gjithë plazhit e deri nëpër të gjitha rrugët e sokakët që të çojnë deri te shkallët e banesave dhe të ndërtesave.

Tani është bërë e modës sfilata e disa qytetarëvë “modernë”që shetisin e bëjnë plazhin me qentë familjarë të tyre të cilët frikesojnë e trëmbin fëmijët dhe pushuesit si dhe jashtëqisin, shurrojnë dhe  jargojnë duke e ndotur rërën dhe ujin. Por më e keqja akoma janë qentë dhe grumbujt e qenve rrugaçë të zhuganosur të cilët enden e shtrihen lirshëm në plazh e madje zaptojnë jo vetëm rërën por edhe pushojnë në krevetat e çadrave të pushuesve. Jo vetëm ditën por edhe natën lukunia uluritëse e qenve  nuk i lënë pushuesit të flenë të qetë.

Kudo shihet një tregëtim ambulator me karroca e me gomarë. Ka shumë lypës e fallxhore. Edhe tregu i fruta perimeve ndërtuar mbi kanalin e ujrave të zeza  zbuluar një pjesë e madhe e tij pranë këtij tregu të mbyt era fekale, treg që nuk përmbush asnjë kriter  higjeno-sanitar.

Asnjëherë në këto 25 vite nuk është bërë disinfektimi i plazhit dhe i rërës së tij si dhe as marrja e ndonjë ndërhyrjë për të luftuar mushkonjat, pleshtat dhe minjtë. Po ashtu Plazhi i mbetur  i Durrësit është i vetmi plazh në botë që nuk ka banjo publike dhe njerëzit nevojat i kryejnë në det. Pra kudo pushuesi është i kërcënuar dhe i rrezikuar nga sëmundjet dhe infeksionet. Asnjë lloj infrastrukture turistike dhe as urbane nuk mund të gjesh në Plazhin e Durrësit, duke filluar me asnjë shesh apo park gjelbërimi, asnjë parkim për automjete autoveturash dhe autobuzësh ku të parkohen ato, por vijnë autobuzët nga Kosova dhe i lëshojnë pushuesit kosovarë sikur të ishin klandestinë nëpër skutat dhe rrugicat plot pluhur dhe të shkreta të Plazhit. Të gjithë banorët e plazhit, pronarët e hoteleve dhe të lokaleve e të  bizneseve ankohen për mungesën e theksuar e të tejzgjatur të ujit të pishëm madje në mjaft zona uji i pishëm mungon prej një muaji e gjysëm, pra që prej kohës kur ka filluar sezoni turistik. 

Plazhi i Durrësit ashtu sikurse i gjithë qyteti i Durrësit janë preja fitimprurëse e mafisë së ndëtimit , ku gjithçka është betonizuar dhe ndërtuar pa kritere urbane e sizmike sa që një tërmet mund të shkaktojë pasoja katastrofike njerëzore si në Plazh ashtu edhe në qutetin e Durrësit. Tre kryebashkiakët Miri Hoti, Lefter Koka dhe sidomos Vangjush Dako janë realisht “apokalitikët” njerëzor që e kanë rrënuar qytetin e Durrësit.

Ajo që “funksionon”mirë janë puna e tatimorëve “vigjilentë” për të gjobitur e ndëshkuar bizneset sezonale 2 mujore sidomos të atyre personave nga Kosova dhe Maqedonia që i kanë marrë përkohësisht lokalet me qera, me gjoba për kasat fiskale si dhe gjobat dhe detyrimet e rënda p.sh edhe për ajrimin, për parkimin, gjelbrimin dhe për pastërtinë kur në Plazh nuk ka as gjelbrim, as parking dhe as pastërti, dhe madje për dy muaj aktivitet i paguajnë taksat për to për të gjith vitin.

Një ditë në Shtatorin e vitit të kaluar një qytetar nga Kosova pasi e mbylli aktivitetin më tha:shyqyr që mbaroi sezoni dhe shpëtova e nuk më ndodhi ndonji taksirat i madh me këta tatimorët, me këta të elektrikut, të shëndetsisë, të kufirit etj. të Durrësit dhe nga këto taskforcat gjithçfare  ku ta di unë të Tiranës që nuk kishin të ngopur edhe pse isha me të gjitha letrat në rregull dhe sipas ligjit, dhe kurre ma nuk do të vij.

Për plazhin e Durrësit nuk interesohet pushteti dhe pushtetarët vendorë dhe qeveritarë pasi vetë ata kanë paranë dhe mundësinë që të shkojnë në plazhet e Spanjës apo të Turqisë thonë banorët dhe qytetarët durrsakë. Po kështu nuk i bie ndërmen as pushtetarëve të Kosovës thonë pushuesit nga Kosova për t’u interesuar të paktën se ku pushojnë dhe si ja kalojnë pushuesit nga Kosova në Plazhin e Durrësit ku zakonisht për çdo vit kalojnë pushimet mbi 400 mijë qytetarë nga Kosova dhe Maqedonia këtu në Durrës pasi ata vetë shkojnë në plazhet luksoze dhe të shtrenjta në Jug të Shqipërisë por edhe në Turqi e Dubaj.

Ky eshte një realitet që e përjetojnë ata që banojnë në plazh si dhe ata që vijnë për të kaluar pushimet këtu që janë kryesisht shqiptarë nga Kosova, por që nuk është i dëshirueshëm për t’u dëgjuar dhe për t’u  pranuar ky realitet nga ata që janë përgjegjësit dhe shkaktarët e kësaj gjendjeje.

Dhe është detyrë dhe përgjegjsi qytetare ankimi dhe rezistenca kundër këtij realiteti në mënyrë që të përmirësohet ai, pasi çdo  heshtje është fshehje për sëmundjet që i vuan shoqëria.

Njerëzit vuajnë dhe sakrifikojnë për atdheun dhe kombin kur atdheu dhe shoqëria kanë nevojë për to, por nuk ka kuptim pse të stresohesh dhe të mos pushosh qetë dhe mirë, edhe kur shkon me pushime  duke harxhuar e shpenzuar  paranë tënde.

Pushimi është për çlodhje dhe për të hequr streset e përditshme, të punës p.sh dhe për relaksim dhe nuk ka nevojë për strese shtesë që vijnë nga mosgjetja e kushteve të tilla në vëndet ky qytetari shkon dhe paguan paranë e tij për të kaluar ditët e pushimit.Prandaj nuk po frekuentohet më si dikur Plazhi i Durrësit gjë e cila shkon në dëm të bizneseve të banorëve të Plazhit,investuar në biznesin e turizmit si dhe pse jo që mund të çojë edhe në falimentimin  e tyre, pasi pushuesit kanë alternativa dhe vënde të tjera ku mund të shkojnë për pushime.

Durrës Qershor 2016