“Muzat e Alpeve” nga Istogu drejtë Shkodrës dhe Tuzit

“Muzat e Alpeve” nga Istogu drejtë Shkodrës dhe Tuzit

Çmimi letrar “TEUTA” ndahet nga Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “TEUTA” në kuadër të manifestimit të përvitshëm letrar ndërkufitar “Muzat e Alpeve”. Laureatë paraprak të këtij çmimi ishin shkrimtarët e mirënjohur shqiptar dhe malazez: Jevrem Berkoviq, Dritëro Agolli,  Ramiz Kelmendi dhe Mirash Martinoviq. Përderisa sivjet, “Teuta” kalon tek  njëri ndër personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, prof. dr. Moikom Zeqo.

Nga: Adem Lushaj

Manifestimi “Muzat e Alpeve 2017”, I Shoqatës Rajonale e Shkrimtarëve “TEUTA” edhe sivjet organizohet në kuadër të „Ditëve të Diasporës“me moton „Edhe ti je pjesë e atdheut“ dhe mbështetet nga Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës, pasuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës si dhe komuna e Istogut. Ky manifestim lëvizës- i cili përbëhet nga disa prej shkrimtarëve më eminent ë trekufirit Kosovë-Mal i Zi-Shqipëri, deri më tani ka përshkuar: Pejën, Kotorrin, Rugovën, Rozhajën, Deçanin, Plavë-Gucinë, Junikun e Bajram Currin dhe sivjet do të vazhdojë  në Istog, në Shkodër si dhe do të përmbyllet në Tuz.

Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve „TEUTA“, e themeluar nga shkrimtarë nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria, në bashkëpunim me drejtorinë për arsim dhe kulturë në Istog, bibliotekën “Marin Barleti“ në Shkodër si dhe Muzeun  Etnografik të Malësisë në Lekaj të Tuzit,  me 4, 5 dhe 6 korrik organizon manifestimin e V-të letrar ndërkufitar „Muzat e Alpeve 2017“.  Ndër aktivitetet e parapara brenda programit janë: Historiku i „TEUTËS“, biografi e shkurtër e laureatëve të Çmimit për Vepër Jetësore “Teuta” si dhe homazh për dy laureatët e ndjerë Dritëro Agolli dhe Ramiz Kelmendi; kumtesa mbi temat: “Krijimtaria studimore e dr. Ibrahim Rugovës”, “Letërsia shqipe dhe roli I saj historik” dhe “Feminizmi, bota dhe kundër bota e tij” si dhe promovim i librave dygjuhësh:  “Svi moji-Të gjithë të mitë”, me autor Zuvdija Hoxhiq (Berisha), “Këngët e përgjërimit-Zavjetne pjesme”, me autor Lulzim Tafaj si dhe “Ardhësit-Këngët e Ali Binakut”, përkthim dhe botim I ri nga Anton Nikë Berisha.

Me këtë rast, Çmimi për Vepër Jetësore “TEUTA” do t’i ndahet njërit prej personaliteteve më të shquara të kulturës shqiptare, prof. dr. Moikom Zeqos I cili me veprën e tij ka krijuar një kozmologji të re poetike, duke thyer kufijtë e perceptimeve dhe  përjetimeve të njeriut të sotëm nëpërmjet një zbulimi të papritur shumëdimensional me  historinë  dhe përjetësinë.

“Moikom Zeqo,  autor i rreth 70-të veprave  poetike të cilat fillojnë maratonën e madhe të  postmodernizmit shqiptar që në vitet 70-të  të shekullit që lamë pas, marrin përsipër nëpërmjet plazmimeve të gjuhës shqipe, përgjegjësinë e dendësimeve, kundërthënieve dhe vazhdimësisë së një realiteti të ri poetik. Erudit I rrallë  I  historisë dhe traditës së qytetërimit shqiptar, akademiku Moikom Zeqo me veprën e tij iu takon pararendësve të brezit të lindur pas luftës së dytë botërore, duke shprehur me një kurorë të re mendimtari dhe njeriu të shqetësuar dykuptimësinë e njeriut të sotëm, pa pasur dro  të na japë përgjigje të pafundme  nëse është ky realitet I  thellësive historike që ka krijuar njeriun, apo është njeriu I pa epur për ëndërrim që krijon realitetin e një bote të përbashkët  dhe universale”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e “Teutës”.