Motermira Vjosë, tërhiqu nga rruga e gabuar!

Shkruan: Florim Zeqa                     21.01.2021

Motermira Vjosë, tërhiqu nga rruga e gabuar!

Në këtë cikël të jashtëzakonshëm zgjedhor, shëmbullin më të mirë të mbrojtjes së parimeve politike dhe ideologjisë partiake e ka dhënë Partia Social Demokrate (PSD), duke mos ju bashkangjitur asnjë liste zgjedhore, të bindur se zgjedhjet e 14 shkurtit nuk do të sjellin ndryshime, por vetëm riciklime politike.

Kur hapi i parë bëhet  gabim, rrëshqitjet nuk kanë të ndalur

Drejtuesit e këtij subjekti politik në mungesë të përgatitjes së duhur, abstenuan nga procesi zgjedhor dhe vendosen t’i qëndrojnë besnik konceptit të tyre politik, duke mos u bërë pjesë e asnjë liste zgjedhore. Ky është një veprim më i mençur dhe më pragmatik i një subjekti të vogël që synon rritën e ngadaltë por të sigurtë.

Drejtuesit e PSD-së, si subjekt me infrastrukturë të rregullt organizative dhe bazë ligjore për garë zgjedhore, i kishin të gjitha mundësitë të bashkoheshin në koalicion me partitë si mootra, por nuk e bën një gjë të tillë.

Për dallim nga PSD-ja, « NISMA VJOSA » nuk e pat durimin të bëjë hapat e parë dhe fillestar të regjistrimit dhe konsolidimit si subjekt politik, por turr e vrapë në LVV, pa i llogaritur pasojat në elektoratin rugovian.

Nuk ka asnjë të keqe nga aderimet e zakonta, por aderimet e figurave të larta politike shkaktojnë tronditje dhe çarje të thella në elektoratet e partive politike.

Me veprimin e pamatur dhe tepër të ngutshëm, « zonja dardane » e shkaktoi çarjen më të thellë në LDK pas kuvendit të 2006-s. Si pasojë e aventurave të pakontrolluara politike të zonjes Vjosa Osmani, sot elektorati LDK-së në mërgatë është më i ndarë dhe më i përçarë si asnjëherë më parë.

Një shëmbull personal i kundërshtimeve parimore

Të gjithë jemi të vetëdijshëm për nevojën imediate të ndryshimeve në LDK, për të cilat i kam shkruar me qindra shkrime dhe i kam bërë me dhjetëra thirrje për ndryshim dhe largim të mënjëhershëm të liderit aktual, Isa Mustafa.

Kur jemi në këtë segment, me modesti po e shpalosi për herë të parë një argument sa të rëndësishëm, po aq domethënës para lexuesve të mi besnik.

Në fund të dhjetorit 2015, isha përpilues i vetëm i tekstit (por jo edhe inicues) i peticionit nga mërgata e jonë, për largimin e Isa Mustafës nga drejtimi i partisë; « PETICION PËR LARGIMIN E KRYETARIT AKTUAL, ISA MUSTAFA NGA KREU I LDK-SË », i publikuar në shumicën e medieve të shkruara dhe elektronike.

Linku: (https://www.openpetition.de/petition/online/peticion-per-largimin-e-kryetarit-aktual-isa-mustafa-nga-kreu-i-ldk-se).

Kundërshtimet e mia për hyrjen paradoksale të disa figurave të LDK-së në listën zgjedhore të LVV-së nuk janë personale, por parimore dhe kanë për qëllim zbardhjen e së vërtetës lakuriqe të pozicionimit të gabuar të zonjes Vjosa Osmani dhe përcjellësve të saj.

Edhe në këtë rast nuk kam ndenjur duarkryq. Në pamundësi të kontaktimit të drejtëpërdrejtë me zonjen Vjosa Osmani, i kam shkruar bashkëshortit të saj, me ç’rast i kam parashtruar shqetësimet dhe kërkesat e mia të arsyeshme, duke i bërë të qarta projeksionet e veprimeve të mëtutjeshme për reformimin e LDK-së nga brenda, qoftë edhe përmes një fraksioni të ri, por duke anashkaluar opsionin e bashkimit me një subjekt tjetër politik në zgjedhje.

Vota në adresë të gabuar, nuk i ndihmon të aderuarit

Vota për zonjat dhe zotrinjët e nderuar dardan në listën e LVV-së është votë në adresën e gabuar, pasi ajo nuk do të jetë votë për ndryshim, por votë për ngritjen e LVV-së, nuk do të jetë votë për fuqizimin e « Listës Vjosa », por votë për ngritjen dhe fuqizimin e Albin Kurtit, e aq më pak, nuk do të jetë votë për filozofinë politike rugoviane, por votë për konceptin e kundërt politik të qeverisjes së vendit.

Kjo nuk e nënkupton urrejtjen dhe as kundërshtinë time ndaj Albin Kurtit, përkundrazi, ai e gëzon respektin tim për konsistencën e veprimeve në arritjen e qëllimeve politike, sikurse që e gëzon secili lider tjetër në vend që mbron ideologjinë dhe konceptet e tij partiake.

Lutja ime e fundit për motërmirën Vjosë është kjo, largohu nga procesi zgjedhor, ndihmo Kosovën në rrugën evro-perëndimore dhe ndihmo ndryshimet në LDK.

Jam thellësisht i bindur që jeni penduar për veprimet e gabuara, prandaj mos hezito, kërkimfalja është guxim, është vlerë dhe vyrtyt i njerëzve të mëdhenjë.

Vetëm të vendosurit dhe qendrestarët u bëjnë ballë sfidave të kohës

Ndoshta nuk di sa ju, por unë di më shumë sesa ju për LDK-në.

Nuk jam i pasur siq jeni ju, por jam më i lumtur sesa ju.

Nuk jam i varur siq jeni ju, por jam i lirë dhe i vendosur në idealin tim.

Ndjehem plotësisht  i lirë, për shkak se nuk jam i varur nga egoja për pushtet.

Motermira Vjosë, shume vite më parë dhe përpara jush kam pasur oferta dhe mundësi të bëhem pjesë e listave tjera zgjedhore, por i qëndrova besnik idealit tim të shenjtë, në rrugën e filozofisë politike rugoviane.

Kur unë jam rreshtuar dhe kam kontribuar në LDK-në rugoviane, ju motermira Vjosë keni qenë në moshen fëmijërore (9-10 vjeqe) dhe as që keni ditur ç’është politika dhe as filozofia politike rugoviane.

Prandaj, motermira Vjosë, reflekto dhe respekto kontributin e themeltarëve dhe veprimtarëve të hershëm të LDK-së rugoviane, e për më tepër se kaq, dëgjo dhe prano me dashamirësi këshillat e tyre vëllazërore.

Kur unë jam distancuar nga lideri aktual i LDK-së, ju keni qenë mbeshtetësja më e fuqishme dhe avokatja me e zëshme në Gjykatën Kushtetuese, duke e mbrojtur zgjedhjen e paligjshme të Isa Mustafës kryetarë i Kuvendit të Kosovës (në kohën e VLAN-it).

Fati e deshi që për një grusht vota nuk u bëre kryeministre, por me votat e LDK-së u zgjodhe kryeparlamentare dhe sot je u.d. e presidentit të vendit.

Për pozicionimin e gabuar pas prishjes së koalicionit qeverisës faji nuk është i LDK-së, por i yti që u ndave e vetme nga bashkëpartiakët që aq shumë të deshtën dhe të respektuan.

Të gjithë e kujtojmë momentin kur u nominove në funksionet e larta partiake (nënkryetare e partisë) dhe kandidate për kryemistre nga LDK-ja. Në vend të kundërshtimit e perqafove ngrohtësisht dhe më tërë forcën Isa Mustafën, sikur ai t’ishte idoli yt shpirtërorë.

Motermira Vjosë, kundërshtimet e mia ndaj Isa Mustafës nuk kanë qenë dhe nuk janë personale, sikurse që nuk janë ndaj jush, por janë parimore, nuk janë për ambicie pushteti, por për mbrojtje të filozofisë politike rugoviane.

Motermira Vjosë, guxo dhe tërhiqu nga rruga e gabuar. Më mirë tërhiqu tani nga lista e LVV-së dhe procesi zgjedhor sesa pas tij, ndero veten dhe filozofinë politike rugoviane!

Nuk janë të mëdhenjë ata që ngriten në majat e pushtetit, por ata që i qëndrojnë besnik idealit të tyre politik.