MOSSHKRIMI SI REVOLTË

MOSSHKRIMI SI REVOLTË

(OSE PSE NUK SHKROVA PËR THAQIN, SREBRENICËN DHE PËR SULMIN NDAJ VJOSËS)

Murteza OSDAUTAJ

Këto ditë më mungonte në përgjithësi motivi për të shkruar. Edhe pse e ndieja një nevojë të brendshme ta vë në letër mendimin tim për shumë gjëra, sikur kisha një ndalesë të brendshme për ta thënë e shprehur atë.

Shumë ngjarje që ndodhen këto dhjetë ditë, për shumë çka, e paraqesin realitetin tonë dhe gjendjen kulturore, psikologjike  dhe mendësinë e njerëzve dhe të këtij populli të cilën mund ta karaktertizoj vetëm si krizë të përgjithshme morale dhe kulturore. Gjendja e pandemisë në anën tjetër e përshpejton dhe e fuqizon shprehjen e simptomave të krizës së brendshme që ka individi dhe krizës së përgjithshmi që ka shoqëria.

Po e nis me radhë:

  1. Unë për organizimet ushtarake në Kosovë kam dëgjuar apo kam qenë pjesë e tyre që nga viti 1991. E mbaj mend shkuarjen e parë të Sali Çekut me grupin e parë dhe e mbaj mend shkuarjen e tij me grupin e dytë në Shqipëri. E mbaj mend ardhjen e armeve të para në vitin 1992 në fshat dhe i mbaj mend aksionet e para të njësive të armatosura kudo në Kosovë. I mbaj mend ardhjet ilegale të Sali Çekut dhe të Rrustem Bruqit gjatë viteve 1992, 1993 dhe 1994, prandaj në lidhje me këtë fushë kam një mbamendje më të gjerë se ndonjë person tjetër që, eventualisht, nuk ka një kujtesë të tillë. Për mua UÇK-ja janë krijuesit e saj, themeltarët e saj, ushtarët e saj të parë dhe të fundit. Për mua që deri në vitin 1997 e 1998 nuk kisha dëgjuar për Ramushin, Thaqin apo Kadriun, këta persona, përveç si udhëheqës të njësive të UÇK-së brenda atyre dy viteve, s’mund të jenë UÇK-ja dhe as shpirti e fryma e saj. Unë e kuptoj dëmin e madh që pozitat e këtyre njerëzve dhe akuzat ndaj tyre ia shkaktojnë vendit por e di se ky dëm është rezultat i kapjes së përgjithshme të shtetit e të gjyqësisë e cila, e dirigjuar mu nga këta mujshorë politikë, nuk kishte as guxim as kurajo që t’i gjykonte krimet e ndodhura në vitet 1999 dhe 2000. Njerëzit duhet ta dinë se kapja e shtetit dhe gjyqësia e paaftë dhe e kapur nga oligarkia politike janë faktorët dhe fajtorët kryesorë për krijimin e dhomave të specializuara prandaj çdo ‘revoltë‘ false, si demonstratë apo si shkrim politik, është e pavend dhe e kotë.

Ftesa që iu bë Hashim Thaqit për në Hagë nuk mund të ishte një ngjarje e jashtëzakonshme. Ne të gjithë e kemi ditur se kjo gjykatë, një ditë do ta akuzojë dikë për krimet e parashtruara në raportin e Dik Martit. Unë nuk e kuptoj këtë popull që kompleksohet nga një moment i tillë kur, për vite, e ka ditur se diçka do të ndodhë dhe e ka ditur se kush është i akuzuari kryesor nga raporti në fjalë. Në anën tjetër, ne u mbytem dhe plasëm duke u ngritur e duke e mbrojtur pastërtinë e UÇK-së duke harruar se, në të vërtetë, të akuzuarit në fjalë po akuzohen për ‘veprat’ të cilat mund t’i kenë kryer pas zhbërjes së UCK-së. Në këtë rast fatkeqësia është ajo se duke u akuzuar njerëzit e ish-UÇK-së, po demonizohet UÇK-ja ndërsa që ‘mbrojtja’ që i bëhet asaj me demonstrata dhe deklarata koti nga shoqata e parti, vetëm sa po e dëmtojnë gjithnjë e më shumë imazhin e saj edhe ashtu të dëmtuar prej kastës së komandantëve të cilët, për njëzet vite, vetëm sa nuk e hëngrën vendin e tyre me korrupsion e qeverisje primitive, të keqe e të mbrapshtë, ndërsa që emrin e UÇK-së e përdorën dhe e përdorin gjithmonë për t’i mbuluar të pabërat dhe b… e tyre.

Unë pra nuk dua ta mbroj askënd  sepse duke e mbrojtur dikë të akuzuar qoftë nga populli, qoftë nga ndonjë‘ gjykatë,  nuk do ta mbroj as UÇK-në me të cilën ata identifikohen apo e përdorin si mbulesë për mbrojtje. Me rëndësi është se pjesëtarët e UÇK-së të cilët i njoh dhe me të cilët, në mënyra dhe momente të ndryshme. kam jetuar e vepruar, asnjëri prej tyre, në asnjë aspekt, nuk ka nevojë të mbrohet për veprimet dhe të bëmat e veta. Ata janë luftëtarë dhe si të tillë kanë luftuar dhe, si të tillë, kanë vazhduar të jetojnë dinjitetshëm prej punës dhe krahëve të tyre.

Ata që akuzohen, edhe nëse s’kanë bërë asgjë por e kanë ditur apo kanë pasur informacion në lidhje me ndonjë ngjarje dhe krim të kryer nga kushdo qoftë por të njëjtin nuk e kanë denoncuar, nuk do ta kenë as mbështetjen as përkrahjen time.

Nëse dikush akuzohet dhe ka bërë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte nuk ka pasur vend as në UÇK dhe s’duhet të ketë vend as në shoqërinë tonë.

Prandaj askush që akuzohet për krime, sidomos kundër njerëzimit, s’do ta këtë kurrë mbështetjen time as njerëzore e as intelektuale. Këtu në asnjë mënyrë nuk e presupozoj fajësinë apo pafajësinë e kujtdo qoftë.

Në lidhje me gjykatën speciale dhe në lidhje me dëmet që ajo do t’ia bënte vendit tonë, kam shkruar që në vitin 2015 para se të krijohej dhe ato mendime nuk dua t’i përsëris këtu.

  1. Këto ditë ishte përvjetori i gjenocidit që forcat serbe e kishin kryer kundër popullatës civile boshnjake në Srebrenicë. Duke qenë krimi më i madh në Evropë pas holokaustit, masakra e Srebrenicës është njollë e zezë në ndërgjegjen e Evropës dhe të kombeve të Bashkuara dhe e tërë civilizimit perëndimor i cili deri me rënien e murit të Berlinit ishte flamurtar i lirisë dhe i të drejtave të njeriut.

Krejt normale nëse do t’i shkruaja dy tri fjalë lidhur me këtë ngjarje të tmerrshme të cilën e kanë kryer, po ai shtet, po ai komb, po ajo ushtri dhe po ata vrasës e kriminelë të cilët kanë vrarë, kanë prerë e dhunuar edhe  civilë të pafajshëm shqiptarë të Kosovës.

Nuk shkrova sepse një mik i imi e kishte kritikuar një politikan kosovar i cili kishte dhënë një deklaratë dhe të cilën ky miku im e kishte pamfletuar dhe keqpërdorur për ta paraqitur si një deklaratë politike-islamiste.

Une ende mendoj se gjenocidi, nga cilido popull që bëhet, nga cilado kulturë që kryhet, nga cilado fe që ushqehet dhe nga cilido sistem politik që udhëhiqet, duhet të dënohet në të gjitha mënyrat dhe në të gjitha nivelet e mundshme sepse për asgjë tjetër, këtë gjë duhet ta bëjmë në emër të humanizmit dhe të të drejtës se zotit që i është dhënë çdo njeriu mbi këtë dhe në formë të të drejtës së tij për jetë dhe liri.

Nuk shkrova as për Srebrenicën se s’do të mund të mos e kundërshtoja mikun tim të mirë për deklaratat e tij thjeshtë politike dhe me qellim të kundërshtimit të një politikani të cilin ai nuk e përkrah dhe nuk e do. Ngjarjet si Srebrenica i tejkalojnë të gjitha suazat e mendimit ditor politik dhe duhet të jenë pjesë e mbamëndjes së përgjithshme në kulturën dhe politiken evropiane.

Unë përgjithmonë jam në krah të viktimave të gjenocidit serb kudo që ka ndodhur. Normale që ndjej dhimbje më shumë dhe të pafund për viktimat e gjenocidit serb në vendin tim dhe për të cilat do të kërkoj drejtësi sa të jem gjallë. Për mua viktimat janë viktima dhe nuk janë kurrë besimtarë të ndonjë feje. Duke i konsideruar kështu, unë, përjetë, do të jem në anën e tyre e të familjeve të tyre kudo që janë dhe kudo që janë vrarë..

 

  1. Ndodhi që në parlamentin e Kosovës një deputet e sulmon me fjalë dhe fizikisht kryetaren e parlamentit, z. Vjosa Osmani. Unë nuk dua të hyj në atë se sa ka të drejtë Vjosa me qëndrimet e saj politike ngase, për shumë kohë, jam ndalur të jep mendime politike të cilat kanë karakter ditor, por si grua e sulmuar, si femër si femëer e fyer dhe si kryparlamentare e Kosovës atë ditë dhe edhe sot, e meritonte dhe e meriton mbrojtjen e gjithsecilit nga ne.

Nuk shkrova për Vjosën  dhe sulmin ndaj saj se kisha një frikë e cila s’do të duhej të ekzistojë dhe të mbizotërojë në të menduarit e një intelektuali. Frika kishte të bënte me atë se nëse do ta mbroja një grua të sulmuar nga një deputet i LDK-së, kjo mund të më shkruhej si një qëndrim anti-LDK gjë që nuk do të doja të ndodhte ngase ende besoj dhe shpresoj në vlerat burimore që kjo parti ka apo se paku kishte deri sa ishte gjallë presidenti Rugova. Ishte kjo frikë që më bëri të mos shkruaj për Vjosën edhe pse kam pas shkruar për ish kryetarin e parlamentit kur e kishte fyer e sharë në mënyrë të papranueshme dhe amorale një deputete.

Në anën tjetër si mund të mos shkruaja për ta mbrojtur një grua të sulmuar nga një burrë që shpërfaq ‘fuqinë‘ e tij mashkullore ndaj një femre. Apo si mund të mos shkruaja ndaj sulmit që dikush më i fortë fizikisht e bën ndaj dikujt që është më i dobët fizikisht.  Apo si të mos shkruaja për të gjithë ata ‘burra’ që nuk e thanë asnjë fjalë, bile mospajtimi’ ndaj mujshisë që një ‘burrë‘ e shfaqi në sallën e parlamentit. Gjithashtu si mund të mos shkruaja për një parlamentare e cila për ta neutralizuar momentin del në gazetë e deklaron se në parlament nuk ka meshkuj e femra por vetëm deputetë duke e miratuar sulmin ngase sipas saj ‘Vjosa është shumë e vullnetshme’ për t’i mbrojtur qëndrimet e Kurtit’ dhe ajo u sulmua jo nga një ‘burrë‘ por nga një ‘deputet’. Thash që nuk merrem me politikën ditore por fakti se jam ende në LDK është nga ajo që kjo parti është parti e qendrës së djathtë sa i përket familjes, vlerave morale dhe etike, traditave pozitive kombëtare, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive themelore dhe është aq e majtë sa për ta mbrojtur mirëqenien e përgjithshme shpirtërore dhe materiale të shoqërisë kosovare.

Duke e parë këtë ‘konservatorizëm’  dhe ‘LDK-izëm’ të shprehur nga disa përfaqësues të kësaj partie në parlament, mund të theksoj se ose ajo që ishte LDK nuk ekziston më, ose një pjesë e deputetëve të saj kanë shkarë nga rruga që do të duhej ta ndiqnin, së paku për ta treguar kulturën e tyre personale ‘perëndimore’ e së dyti për ta treguar përkatësinë e tyre ‘rugoviste’ apo ‘institucionaliste’.

Do të shkruaja për Vjosën jo për qëndrimet e saj politike, jo për ta mbrojtur politikisht apo praktikisht, por do të shkruaja për Vjosën për ta mbrojtur atë si një vajzë të këtij vendi, si një grua të këtij vendi dhe si një nënë të këtij vendi. Do të shkruaja për Vjosën për ta mbrojtur atë siç do ta mbroja motrën time, apo vajzën time, apo nënën time.

 

***

Ja pra përse nuk shkrova për tri ngjarje të cilat nuk ishin të vogla dhe të cilat e shënuan këtë javë që po e kalojmë.

Mendoj se ne po jetojmë në një pandemi të përgjithshme kulturore, identitare dhe kombëtare.