“MOS U BESO DANAJVE/GREKËVE, AS KUR JU BIENË DHURATË”

“MOS U BESO DANAJVE/GREKËVE, AS KUR JU BIENË DHURATË”
-thoshte, Laokonti i ngartë!

Nga Nikolla Camaj

Në vitin 1997 shqiptarët iu gëzuan fitores së Gjukanoviqit mbi Bullatoviqin, dhe e festuan me mijëra fyshekë automatiku të zbrazur në ajër. Ishte në modë aso kohe. Përpos avansimit në sferën e informimim shqip, nuk pati asnjë ndryshim tjetër për të mirë, edhe pse premtimet ishin të mëdha; komuna, gjuha, flamuri…, punësimi, i cili ishte dhe mbeti diku rreth 0,5%. Zgjodhëm të keqen më të vogël, thamë atëherë!

Në vitin 2006 shqiptarët me shumicë përkrahën dhe prëqafuan pavarësimin e Malit të Zi. Premtimet e vjetra u përsëriten. Fituam komunën urbane! Për kërkesën komunë e plotë, u shpërblyem me operacionin policor “Fluturimi i shqiponjës”, torturë të paparë mbi malësorë, rreth 60 vite burg…,  kurse punësimi mbeti te 0.5%. Ndihmuam pavarësimin e Kosovës, thamë, aso kohe.

Sot, shqiptarët përkrahën dhe iu gëzuan, tej mase, anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Bile disa më fort se vet malazezët, konstatim ky në bazë të opinioneve publike. Fituam sigurinë kolektive, po thonë kësaj here… Por, edhe rrezikun kolektiv, po thonë disa të tjerë! Edhe tutje, punësimi vazhdon të jetë nën 1% (pa llogaritur një zevendes-kryepostier dhe dy sekretarë ministrie), edhe pse jemi diku 5% e popullatës së Malit të Zi. Premtimet prap u përsëritën; gjuha, flamuri, decentralizimi, punësimi…, kurse komuna, kësaj radhe pak më konkrete; komunë e plotë, por në pritje, deri më 01 shtatori 2018. Deri atëherë shumëçka mund të ndryshojë!

Kur ishim fëmi, e prindërit vinin nga pazari, prej skamjes, me duer e xhepa bosh, derisa ne pritnim ndonjë dhuratë, na qetësonin duke na thënë se shitësi kishte vdek. Por, as nuk jemi ne fëmi, dhe as komuna nuk është dhuratë… Prandaj, aprovim i ligjit sot, me implementim pas 18 muajësh, i vjen era pak si hile, mashtrim, apo edhe manipulim! Pa le të shohim!