Mos shkruani vetëm për klikime, përmbajuni kodit të etikës dhe tregohuni profesional !

Shkruan: Armir Q Maloku

Më duket se keni harruar që respekti për të vërtetën, respekti për dinjitetin njerëzor dhe informimi i saktë i publikut, janë detyrat më të rëndësishme që i keni.

Hulumtimin dhe vërtetimin e saktësisë së lajmeve e keni zëvendësuar me raporte të pakonfirmuara, thashetheme dhe supozime. Por, kjo nuk ju mjafton, kuptimin i lajmeve e shëmtoni me fotografi dhe tituj të falsifikuar, në vend se Informatat të kontrollohen për saktësinë e tyre dhe të epen ashtu siç janë, pra të vërteta.

Nuk jeni aspak të përgjegjshëm për lajmet e publikuara apo akuzat që dalin si të pavërteta, këto të fundit duhet të korrigjohen menjëherë nga media që e ka publikuar e sidomos ato të llojit personal. Është në kundërshtim me kodin etik në qoftë se në mënyra të papërshtatshme me fjalë apo me fotografi të sulmohet nderi i njerëzve. Jeni tejet paragjykues dhe nuk e respektoni prezumimin e pafajësisë.

Mirëpo, me rëndësi është të ketë klikime, të jeni të lexuar dhe të dëgjuar, prandaj, nuk keni as brenga se fëmijët, mund të shohin pamje të dhunës, brutalitetit dhe vuajtjeve etj…, edhe pse e keni për detyrë ti mbroni ata nga këto.

Shpesh herë i tejkaloni kufijtë, duke përdorur metoda të padrejta gjatë prokurimit të të dhënave personale, lajmeve, informacione apo imazheve.

E vë në pyetje kredibilitetin e shumë prej jush nga aktivitetet ose përfitimet që i keni. Ju, duhet tu shmangeni përpjekjeve të tilla dhe të siguroni një ndarje të qartë në mes të teksteve editoriale dhe botimeve që kanë qëllime komerciale. Pranimi i përfitimeve të çdo lloji që mund të ndikoj në lirinë e gazetarit apo redaktorit, është e papajtueshme me reputacionin, pavarësinë dhe detyrën që keni dhe kjo është e pandershme dhe joprofesionale.

Prandaj nuk është e çuditshme që njerëzit i marrin si të vërteta, lajmet e Kukunews-it dhe Pampress-it, sepse të gjithë jeni bërë qesharak!