Mjedisi vazhdon të vuaj nga ndotja

Prof. dr. Zeqir Veselaj, ligjërues i mjedisit në UP

Viti 2016 filloi me një valë vërshime lumenjësh, që sollën dy viktima njerëzish e dëme të mëdha materiale, ndërsa që u mbyll me një senzibilizim mediatik dhe shoqëror të shkallës së ndotjes së mjedisit e më konkretisht ajrit sidomos në kryeqytet. Vërshimet nuk i zgjuan institucionet përgjegjëse sa i “trandi” një letër e ish-shefit të zyrës së BE për Kosovën, Samuel Zhbogar lidhur me degradimin mjedisor të vendit. Mjedisi e në veçanti ajri ynë nuk u ndot më tepër pse ambasada amerikane publikon on-line të dhënat e monitorimit të indeksit të cilësisë së ajrit nga një pike monitoruese. Ndotjen e kemi dhe jetojmë me dekada. E monitoron dhe raporton vazhdimisht Agjencia e Mjedisit, komuna e Prishtinës, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, disa kompani të mëdha ndotëse etj.

Të dhëna ka pasur dhe ka mjaft. Problemi është se këto të dhëna asnjëher nuk janë konsideruar seriozisht nga vendim-marrësit. Kur rezultatet e një analize shëndetsore te njeriut shkojnë permanent keq, e kanë një shkak dhe mjeku duhet të reagoj me një terapi ndaj shkaktarëve. Kjo është logjika e thjeshtë e veprimit në rastin e raporteve mbi shkallën e lart të ndotjes, që mjeku (në këtë rast institucionet) duhet të veprojnë për të luftuar shkaqet e ndotjes. Kjo luftë kundër ndotjes nuk bëhet duke hequr kufizimin e sjelljes së veturave të vjetra nga jashtë. Shumë vende për dekadën e ardhshme do e heqin fare dizelin nga përdorimi për shkak të ndotjes.

Ndotja nuk luftohet duke u treguar liberal në zbatimin e ligjit dhe të nënshtuar ndaj ndotësve të mëdhenj si KEK, Ferronikel etj. Këta ndotës kanë kaluar në dorë të kompanive të huaja private, që bazuar në parimet e kapitalizmit janë aty për shtim profiti apo kapitali. Kompanitë sado të mëdha nuk janë padron të fatit dhe të ardhmes sonë. “Asnjë propsperitet nuk duhet lejuar në kurriz të ndotjes” thotë nobelisti Al Gore. Me këtë, nuk mëtohet që qeveria t`i ngulfas bizneset, por vetëm t`i detyroj (jo t`i lus si deri sot) të respektojnë standardet minimale të ligjeve vendore mjedisore e që dorën në zemër që janë konsiderueshëm në harmoni me standardet e BE-s dhe ato ndërkombëtare.

Degradimi i mjedisit nuk ndalet duke lejuar lirshëm operimin e pamëshirshëm të “grabitësve” të rërës dhe zhavorrit në lumenjtë e Kosovës, pavarësisht ndalesës famoze qeveritare të vitit 2012. Kur po ndodhin vërrshimet e përvitshme po e pësojnë qytetarët (madje edhe me jetë), por jo operatorët. Qeveritë e dy niveleve vetëm po konstatojnë dëmet, duke hedhur fajin në njëra-tjetrën por pa kompensuar dot asnjëher. Natyra e bukur e Kosovës po shpërfytyrohet me vrima kanceroze nga gurëthyes të panumërt dhe pakontrolluar fare.

Zbutja e problemeve të mjedisit në Kosovë nuk bëhet me këtë qasje. Në aspektin politik mjedisi  si resor prej pasluftës ka qenë në rubrikën “etj” dhe në bisht të marrëveshjeve politike për koalicione. Mjedisi si resor i parëndësishëm u është “dhuruar” satelitëve minoritar apo listave të ndryshme “ad hoc” që mezi kalonin pragun zgjedhor me një deputet. Në botën moderne, një ministër të cilin nuk e mbështet një parti e fortë e ka vështirë, sidomos kur është në pyetje mjedisi si sektori “problematik” që duhet të konsiderohet nga të gjitha projektet investive në vend dhe shpesh ju del ndesh shumë prej këtyre projekteve. Po t`i lexosh biografitë e ministrave të deritashëm të mjedisit, me fjalën mjedis i lidh vetëm momenti kur janë emëruar ministra mjedisi. E njëjta vlen edhe për zëvendës-ministrat dhe shumicën nga këshilltarët që kanë defiluar në këtë institucion. Pra është e pritshme që me këtë qasje do e kemi këtë situatë të rëndë të mjedisit. Asnjëri nga kryeministrat e deritashëm e asnjë president i vendit nuk ka dënjuar të emëroj një këshilltar të jashtëm për mjedis në vitet kur e kanë parë gjithçka në natyrën e bukur të Kosovës duke u degraduar e shëndeti publik duke u rrënuar. Nuk kanë as këta të sotmit. Ka ky vend shkencëtarë mjaft, por shkencëtarët nuk imponohen, ata ftohen nga institucioni kur ju duhen. Kuvendi i Kosovës ka emëruar e ri-emëruar disa herë një Bord Këshillëdhënës për mjedisin, por të cilit asnjëher nuk iu dha hapësira t`i dëgjohet zëri në kohën e zhvillimeve që do të kenë ndikime të pakthyeshme në mjedis në dekadat që vijnë.

Resurset humane të ministrisë përgjegjëse janë të limituara në aspektin numerik e dorën në zemër edhe atë cilësor. Viteve të fundit fatkeqësisht është evidente një tendencë “mbyllje” e ministrisë ndaj ekspertizës vendore. Bëhen politika, strategji, ligje, dhe duket se zyrtarët kanë gjithë kapacitetet profesionale të nevojshme për të “kursyer” konsulencën nga profesor universitar të lëmive të caktuar e të cilët tashmë s`po ftohen as në diskutimet publike. Shumica e këtyre profesorëve u janë ofruar edhe pa obligime financiare, sepse e konsiderojnë investim në shëndetin e vet, të fëmijve dhe shoqërisë. Kur këto akte po ju dalin në terren në përballim me jetën reale po dalin se nuk janë të zbatueshme. Atëher duhet t`i hyjnë ri-shikimit. Ka ligje që janë ndryshuar madje edhe nga 2-3 herë pa kurrfarë analizash dhe llogaridhënie. Ky rishikim  më pas kërkon “ekspertizë ndërkombëtare” e cila nuk kryhet pa financa të majme për ditët e punës së konsulentëve ndërkombëtar, të cilat më mirë mund të shfrytëzoheshin për projekte konkrete mjedisore. Kjo bën që shumica e donacioneve ndërkombëtare, mjerisht ende po shkojnë në konsulencë teknike dhe ngritje e pafundëm kapacitetesh.

Zyrtarët e inspektorët mjedisor më shumë se duke operuar në terren po i shohim kur postojnë në rrjetet sociale fotografi nga konferenca ndërkombëtare e trajnime (të pafundme), të ekzaltuar për “trajtimin e barabartë të Kosovës”. Ky trajtim i barabartë në ngjarjet mjedisore është fakt që nga 2003. Çfarë dobie sjellin këto pjesëmarrje për mjedisin e ndotur të Kosovës, na mbetet të shihet në të ardhmen.

Në aspekti financiar, buxheti direkt për mjedis nuk ka pësuar rritje, përkundrazi një rënie permanente.  Për mjedisin në vitin 2017, nga buxheti 2 miliardësh i Kosovës, janë më pak se 1 milion të planifikuara për investime kapitale në mjedis. Edhe një OJQ mesatare e ka këtë buxhet vjetor. Po të mos ishte ende prezent komuniteti i donatorëve me infuzionet e tij financiare, situata do ishte edhe më e rëndë.

Shoqëra civile mjedisore, pas një epoke sadopak aktive në pesë vitet e fundit është në gjendje letargjie. Fushata “Ta pastrojmë Kosovën” po mbijeton me zor, por organizatat jo-qeveritare mjedisore sikur janë zhdukur nga qarkullimi. Mungesa e fondeve apo mungesa e ideve nuk është e qartë. Vetëdija qytetare e qytetarit kosovar është ende në fazat juvenile të ngritjes së saj. Qytetari ynë ende po sillet si “pardon” mbi mjedisin ku jeton, me të gjitha “të drejtat” për ta degraduar pa frikën e ligjit. Ky qytetar duhet të jetë koshient se çdo gjë që i bëjmë mjedisit në fakti ia bëjmë vetes dhe një ditë të afërt apo të largët do na kthehet bumerang.

Viti 2016 megjithatë po përmbyllet për herë të parë me një ligj të veçantë që lidhet direkt me ndotjen dhe pasojat e saj. Fjala është për ligjin për Obiliqin…kjo jep shpresë. Por duke e parë këto vite se raportimi mjedisor nuk po e përmirson mjedisin dhe që ligjet nuk po e vendosin rregullin mjedisor në Kosovë, mbetet të shpresohet të shihen rezultatet e para në vitin 2017.

Prof. dr. Zeqir Veselaj, ligjërues i mjedisit në UP