Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë injoron inovatorin Smajl Mulaj!

Shkruan: Florim Zeqa                     27.12.2018

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë injoron inovatorin Smajl Mulaj!

Themelimi i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë sikurse edhe shumë ministri tjera, është shpikje e pushtetarëve për të rehatuar militantët partiak, sekserët politikë dhe familjarët e tyre.

Për të sqaruar edhe më tutje situatën, kjo ministri është shpikur jo për të ndihmuar resurset zhvillimore në vend, as për të ndihmuar studentët në rritjen e kapaciteteve intelektuale e shkencore dhe as qytetarët e vendit në ngritjen profesionale dhe avancimin e zbulimeve të tyre shkencore, por për rehatimin e Besim Beqajt dhe sekserëve tjerë të PDK-së pas kapjes së posteve ministrore nga partitë e vogla në koalicionin qeverisës megaloman PAN.

Jemi dëshmitarë, që muajve, javëve dhe ditëve të fundit Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, përkatësisht ministri Besim Beqaj ka lansuar projektin për themelimin e qendrave të inovacionit dhe ndërmarrësisë në universitetet publike (partiake) të qyteteve tona.

Në këtë vazhdë, kohë më parë ministri Besim Beqaj gjatë vizitës në Universitetin Publik të Pejës ‘’Haxhi Zeka’’, ka deklaruar se “Peja në vitin 2019 do të bëhet me Qendër të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë,…kjo Qendër do të shërbejë për lidhjen e dijes e shkencës me ekonominë dhe do t’iu shërbejë profesorëve, studentëve dhe të rinjëve që kanë nevojë për aftësim profesional”.

 

Grantet Qeveritare ndahen për gjithçka e për çdo gjë, por jo edhe për shkencëtarët e kalibrit botërorë

 

Se vërtetë fjalët e mëdha dhe premtimet megalomane të pushtetarëve janë vetëm mashtrime dhe maskarada mashtruese sa për të justifikuar milionat që zhvatin nga buxheti i shtetit, kinse në emër investimeve në shërbim të dijes e shkencës e tregon rasti i shkencëtarit (elektricistit) Smajl Mulaj nga Peja të cilit i refuzohet e drejta në përfitimin e Grantit Qeveritar!

Ministria e Inovacionit dhe Ndermarrësisë nuk e përkrahë inovatorin Smajl Mulaj nga Peja, edhe pse shpikja e tij (Inhalatori) është e çertifikuar dhe testuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si dhe nga mjekët vendor, e vetmja e këtij lloji në Evropë!

Grantet Qeveritare ndahen për gjithëçka e për çdo gjë, por jo edhe për shkencëtarët e kalibrit botërorë!

Po ndodhë pikërisht kështu, për faktin se në shtetin tonë avancohen delinkuentët, hajdutët e matrapazët e të gjitha llojeve e ngjyrave.

Në secilin shtet të botës, për shpikjen e tij, inovatori Smajl Mulaj, përveq ndihmës së pakursyer, do të avancohej dhe stimulohej nga shteti për përhapjen e shpikjes së tij edhe jasht kufijve shtetërorë.

 

Kush është Smajl Mulaj!?

 

Smajl Mulaj është nga fshati Lozhan afër Pejës, i punësuar si elektricist i kualifikuar në QKMF (Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare ) në Pejë që nga viti 1999,  ku edhe ndodhet aktualisht.

Në QKMF, si mirëmbajtës i të gjitha paisjeve elektrike, gjatë riparimeve të paisjeve inhaluese, ai kishte vërejtur dobësitë e tyre dhe nga aty i kishte lindur ideja që të punoj një paisje më të avancuar për një sherbim më efikas për pacientët.

Aparati “Inhalator 3+1 Profesional” është vënë në punë në Spitalin e Pejës dhe mjekët thonë se nuk kanë pasur asnjë problem që nga fillimi i punës së këtij aparati, i cili po vlerësohet më shumë rëndësi për pacientët dhe qytetarët.

Pas realizimit me sukses të pajisjes inhaluese, Smajli menjëherë i fillon  procedurat e patentimit të Inhalatorit të tij.

Edhe pse procedurat e patentimit e kishin një kosto të lartë dhe zgjatën rreth dy vite, vendosmëria dhe përkushtimi e bënën të vetën.

Kështu, më 02.11.2015 inovatorit Smajl Mulaj i është njohur shpikja nga Agjensia për Pronësi Industriale dhe me 05.11.2015 i është lëshuar Çertifikata për Patentë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Smajli pas marrjes së patentës për shpikjen e Re, i bëri hiq më pak se 5 kërkesa kryetarit të komunës së Pejës, Gazment Muhaxheri për mbulimin e shpenzimeve për mbrojtjen ndërkombëtare të patentës. Por në vend të përgjigjes, kërkesat e tij injorohen në tërësi nga kryetari komunal!

I zhgënjyer në kryetarin e Pejës, inovatori Smajl Mulaj i drejtohet  Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, gjegjësisht Departamentit për Shkencë dhe Teknologji me kërkesat për mbështetje në projektin e tij, por për fatin e keq injorohet dhe nga pushtetarët e nivelit qëndror.

Pas formimit të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Smajli shpresat i kishte drejtuar tek ministria e “Re”. Nga takimi me ministrin Besim Beqaj sikur iu kishin shtuar akoma më shumë shpresat për arritjen e qëllimit, për faktin se ministri kishte dëgjuar në media dhe kishte njohuri të mjaftushme për shpikjen e tij, me ç’rast merrë nga ai përgëzime për suksesin e arritur me shpikjen e Inhalatorit.

Smajli i entuziazmuar nga “përgëzimet” e ministrit Beqaj, më të shpallur konkursin për “Grante Qeveritare”, aplikon pranë Ministrisë së Inovacionit.

Mirëpo edhe kësaj radhe nuk i buzëqeshi fati!