Mimoza i thotë “PO” Albin Kurtit!

Mimoza i thotë “PO” Albin Kurtit!

Kandidati për kryeministër nga radhët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, në një konferencë për media, ka ftuar koalicionin LDK-AKR-Alternativa për një takim rreth krijimit të Qeverisë së përbashkët. Partia e Mimoza Kusari-Lilas i ka thënë “PO” këtij takimi të thirrur nga partia më e votuar në zgjedhjet e 11 qershorit.

Në një prononcim për “Indeksonline”, ajo thotë se Alternativa është e hapur për një takim të tillë.

“Ne jemi takuar me Vetëvendosjen edhe para zgjedhjeve. E dimë se parimet të cilat duhet të ndërtohet në një program qeverisës janë ato në bazë të cilave mund të ketë apo mos të ketë marrëveshje. E kemi diskutuar që kjo është një prej mundësive ndërsa të vetmen që nuk e diskutojmë është me PDK-në”, ka thënë ajo.

LAA s’bën koalicion me PAN-in

Më tej, Kusari-Lila tregon se për Vetëvendosjen është diskutuar edhe në grup të koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi që të ulet dhe të diskutohet rreth mundësitë së bashkëpunimit të ardhshëm, natyrisht, sipas saj, nëse gjenden hapësira për bashkëpunim.

“Nuk besoj se LDK-ja i thotë ‘PO’ koalicionit me PAN-in. Ndërsa kjo e fundit nuk do t’i ketë numrat për krijimin e Qeverisë. Edhe nëse shkohet në rastin më ekstrem që ata bashkë me partitë e pakicave munden me kriju një shumicë minimale prapë është e paqëndrueshme. Pra, dihet që në veçanti me Listën Serbe që janë me diktat nga Beogradi edhe atëherë nëse donë me qeverisë me urdhra të Vuçiqit atëherë është tjetër muhabet”, ka thënë ajo.

Në fund, Kusari-Lila thotë se është e bindur se ajo dhe Ilir Deda do të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.  “Deri tani kemi marrë vetëm disa vota në 2-3 komuna dhe ende se di numrin. Në rast se shkon me këtë trend çfarë po marrim nëpër komuna”, ka thënë ajo.

Ftesa e Kurtit për qeverisje

Ndryshe, Albin Kurti ka thënë se në këtë koalicioni paszgjedhor derën e hapur e kanë edhe deputetët e koalicionit PDK-AAK-Nisma të cilët nuk duan  të kenë edhe një tjetër qeveri të klanit ‘Pronto’.

“Ne sot ftojmë të gjithë deputetët e koalicionit LDK-AKR dhe atyre AAK e NSIMA që janë të pakënaqur me klanin “Pronto”, që të na bashkohen për përgatitje të një qeverie të re për Kosovën. “Qytetarët kanë votuar për ndryshim. Prandaj e kemi obligim që ta çojmë obligimin dhe vullnetin e tyre përpara”, ka thënë ai.  /Indeksonline/ Alban Muhaxheri/