Lumturia e shtrigave, ves jo ndjenjë

Metamorfoza nën pushtetin e qenieve të errëta (VII)

Lumturia e shtrigave, ves jo ndjenjë

-VII-

Nga Reis Mirdita

Shtrigat janë qenie të sëmura shpirtërisht dhe nuk përkojnë me realitetin. Ato janë të lumtura por jo nga ndjenja të mirëfillta që e kaplojnë kohë pas kohe njeriun e rëndomtë, të zakonshëm. Shtrigat edhe pse në përqindjen e tyre më të madhe janë njerëz, ato janë në fazë të pandërprerë të ndryshimit mendor drejt keqbërjes duke fryrë në të njëjtën kohë me një ndjenjë fitimtare por pa dinjitet. Kështu, shija e fitores mbi njerëz e gjallesa iu është bërë veti, ves, dhe kjo bashkë me lumturinë, i përcjellë tërë kohën nëpër ndyrësitë e tyre. Në gjithë këtë, ka një numër shumë i vogël (sipas shënimeve të mia janë 4%) që jetojnë në dyshim dhe vërejnë ndryshimet shpirtërore drejt të keqes kështu që shtrydhen në unin e dobësuar, nisin të kërkojnë forca shtesë jo për ndihmë por për të fituar akoma më tepër mundësi shtrigore ose në rastet më pozitive, nëse mund të quhen të tilla, iu kthehen fallxhorëve dhe sihirbësëve gjithë duke kundërshtuar të kontaktojnë njerëz të fesë ose të mjekësisë. Ndihmën e tyre e pranojnë kur kanë dhimbje fizike të pashtershme dhe kur disi iu bëhet e qartë nga ana e shtrigave superiore se “po i vjen ora”. Ky është edhe dallimi kryesor në mes shtrigave dhe njerëzve të përbirë nga sihiri i cili i çon drejtë greminës psikologjike por këta fillojnë shpejtë t’i bien vetes pas, nganjëherë me sukses, nganjëherë me vështirësi më të gjata kohore për dalje nga kthetrat e sihirit… Kur jemi këtu, duhet të kihet shumë kujdes mos t’i përziejmë njerëzit normalë pa mëkate shtrigërie por që janë të sëmurë apo me të meta të ndryshme sepse këto janë gjëra të padëshirueshme mirëpo, më se normale në jetën mbi këtë dhe.

Mos të largohem shumë nga tema e filluar, i kthehem çështjes së shtrigave dhe me këtë, do të flas për rastin ndoshta të njohur për ndonjë lexues, ku një grua e bukur u zu në rrjetën e merimangës, rrjet ky i ngritur nga xhindet që iu erdhën në ndihmë dy shtrigave femërore të dhëna pas njëra tjetrës krejt duke jetuar me burrë të vetin.

Ngjarja

Dy shtrigat që njiheshin që para martesës, vazhduan edhe më vonë takimet e tyre me njëra tjetrën. Ato edhe dashuroheshin por kjo nuk ishte që i mbante në miqësi; ishte tërheqja seksuale me shumë perversitete që i lidhte fuqishëm. Burrat e dinin këtë por ishin edhe ata të lidhur me shërbim të tyre të lart e besnikë të krajlit dhe nuk bënin zë nga frika se i prishin punë vetes. Mëtej, nuk jetonin keq sepse dy shtrigat ishin të nivelit të lartë ngase qëndronin nën udhëheqjen e xhindeve e kështu kishin mundësi të mëdha ndaj njerëzve, shtrigave, dhe botës tjetër të gjallë që i rrethonte. Kështu dy burrat të cilët u lidhën shokë pas grave, furnizoheshin nga to me nuse të reja e vasha nga më të bukurat. Natyrisht se çdo femër nuk binte pre e shtrigave por numri nuk ishte edhe i parëndësishëm! Dy gratë shtriga vepronin pa mëshirë vetëm se t’ua mbyllin mundësitë burrave me çka fitonin liri të madhe kohore për t’iu qasur orgjive të tyre duke i shti në lojë të gjitha femrat që ua çonin më parë bashkëshortëve e ata shpesh për të përfituar myzhde nga eprorët e tyre në qytetin breg liqenit, ua dhuronin kohë pas kohe edhe atyre për shfryrje epshesh.

Një ditë pazari Xhanja me vëlla u nisën drejt qytetit ashtu në këmbë (jemi rreth të viteve 1920); ishin ekonomikisht të dobët, me dy dhi në shtëpi e pa qerre, pa kalë, thjeshtë pa kafshë të tjera.

Pas epizodës së mëposhtme, Xhanja u sëmurë keq; e shëroi një *haxhuze sihirbëse, mandej e trullosi me gjithë prindërit dhe e bëri për djalë të vetin i cili ishte njëri ndër bashkëpunëtorët më të zellshëm dhe më besnikë të krajlit. Pati një djalë i cili vazhdoi rrugën e babës vet dhe u bë njeri i pushtetit të “kuqëve” që ditën kur e murrën pushtetin më 1945. Tradita vazhdon edhe sot me brezin e tashëm; perversë në politikë, perversë në jetë. Shtrigë pas shtrige por t’i kthehemi ditës kur Xhanja shkonte në Pazar, rrugës ku duhej kaluar një va, dhe ja, aty njëherësh e disi papritmas, dy gra me veshje qytetare, me gjerdane, me byluzykë, unaza ari e gurë xhevahirë, i ndaluan pa dalë akoma në tokë të terur:

-Jeni burrë e grua?
-Jo, motër e vëlla.

Shtrigat e dinin mirë dhe për më tepër e njihnin që më parë vashën e bukur nga edhe e kishin zgjedhur për t’ia bërë kurthin.

-Jeni të varfër sa s’ka ku shkon më! Ose jepi një puthje vëllait ose eja me ne dhe i thoni për të mirë skamjes!

I riu u vërsul drejt dy zonjave të qytetit por ata nuk lëvizën fare. Një flakë e kuqe u përhap si vetëtimë në mes palëve! Xhanja lëshoi një rënkim frike dhe e tërhoqi të vëllain.

-Mos, – i tha, janë shtriga!

Dy zonjat qeshën si cjape me bishtin në ajër.

-Doni para ose doni bela?

Xhanja, me hapa të ndërlikuar u afrua drejt tyre:

-Nëse më leni vëllain të lirë, do të vij me ju.

Njëra nga zonjat i dha një lirë **Reshadije të riut… Ai vetëm se e morri dhe hodhi në breg. Aty-aty, mbiu një ***shelg lotues; mbushur me merimanga të zeza rreth trungut të posa krijuar, symëdha dhe frikë mbjellëse!

-Shko tash në pazar! Motrën do ta gjesh këtu në kthim. Dhe kujdes, të jesh këtu te shelgu në momentin që perëndon dielli! Më pas mundesh; më parë jo!

(Vazhdon)

 

*Haxhuze- Në shqip erdhi nëpërmjet turqishtes; thuhet shpesh për gra që merren me thash e thëna dhe janë me karakter të afërta me shtrigat.
**Reshadije – Lirë e artë turke; më e vlefshmja nga të gjitha prerjet të sulltanëve tjerë.
***Shelg lotues (Salix babylonica), në Europë erdhi nga Kina. Carl von Linné mendonte gabimisht se bëhet fjalë për drurin që përmendet në Inxhil dhe e quajti “salix babylonica” nga ku mbet pa meritë, emri e këtillë shkencor.