Metamorfoza nën pushtetin e qenieve të errëta (VI)

Fushëveprimi dhe kontingjentet e shtrigave

Nga Reis Mirdita

-VI-

Ngjarja e parë

Në të parën herë, pas njohjeve të përgjithshme mbi shtrigat, do të flas tani për fushëveprimin e tyre i cili shtrihet kryekëput mbi intriga dhe cytje nga persona që nuk kanë guxim të veprojnë drejtpërdrejti dhe gjejnë shërbimet e shtrigave. Për të ardhur gjer te ta, njerëz të kallëpeve të ndryshme nuk kanë qasje të vetën dhe andaj kontaktin e marrin nëpërmes sihirbësëve të kalibrave dhe mundësive të ndryshme e kjo, sipas lidhjeve të tyre me xhindet dhe disa forcave të tjera misterioze që do të trajtohen në vijimet e këtij studimi.

Tani kur jam në kaptinën e fushëveprimit të shtrigave, të sqaroj se në plan të parë, ata merren me ngatërresa ndërnjerëzore e si për kryevepra të tyre, ato i konsiderojnë vrasjet e kamufluara dhe dhunimet akoma më të mbuluara me fshehtësi që dihen por nuk guxohet të flitet. Më saktësisht, disa që faktikisht janë njerëz por kanë fituar pak dhunti të egra shtrigash, flasin në mes vete dhe në “besim” por qëllimi i tyre është ta frikësojnë popullatën duke arritur efektin e duhur të heshtjes dhe bindjes ndaj forcës, gjegjësisht ndaj njerëzve-shtriga të pushtetit.

Këtu do të shtjelloj një rast të transmetuar nga disa fshatarë në jug të Shqipërisë por që unë e kam dëgjuar nga plaku Xhafer S. (1889-1993), i lindur në Çamëri (sot Greqi).

Ishin vite të turbullta e me trazira. Shtrigat ishin në mesin tonë; ose ndoshta gjithmonë ato kanë qenë mes nesh. Flitet se ata janë njerëz e jo qenie mbinatyrore. Si do që të jetë, një natë me shi, dëgjuam me të shoqen një trokitje trishtuese në derë të kasollës e cila në lartësinë e kokës kishte një xham të krisur, katrorë dy me dy pëllëmbë. Dera shtinte drejtë në pjesën e vetme: kuzhinë, dhomë pritje, dhomë gjumi. Aty, në këtë xham që shërbente si sy drejt botës së jashtme, një dorë e zezë sikur të ishte në dorëz. Ime shoqe filloi të dridhet. Unë mblodha veten dha ngadalë u nisa drejt derës. Vajza 13 vjeçe flinte në shtratin në skajin tjetër të pjesës: Kishte dëgjuar trokitjet dhe parë dorëzën mbi xham. M’u lut të mos afrohem derës. E ndala hapin. Zëri i njeriut me dorën zift, foli me zë bretku duke “premtuar “ se do të vinte rishtazi! Vajzën e kërkonte kryeshefi!

Pas tri ditësh, një i panjohur i ka folur vajzës te kroni. I ka thënë se natën do të vinin katër vetë dhe ajo duhet të jetë para derës, e kanë dëgjuar ose jo prindërit. Nëse nuk del, do t’ia vrasin babë e mëmë dhe atë do t’ia dorëzojnë shtrigave në mal.

Vonë pas mesnate, me time shoqe hetuam se shtrati ishte thatë. (Këtu do të them se Xhafer S. pa ngurrim më tregoi emrin e vajzës por unë, për shkaqe etike dhe mbrojtjen e saj me tërë familjen, nuk do t’i zbuloj identitetin).

Në paradite, pasi që e kishin endur me sy lidhur, e kishin liruar në zabelet e afërta të fshatit, të dërmuar dhe të njollosur fytyrës nga rrahjet. Vajza erdhi në shtëpi duke u përvjedhur nga sytë e fshatarëve dhe me të hyrë brenda, ia nisi vajit. Sikur edhe natyra vajtonte.

Që atë ditë, shtrigat, dy nga të cilët kanë folur gjithmonë shqip, shpërndanë nëpër fshatra se “filanen”, vajzë e vetme e Xhaferit, e paskëshin marrë xhindet e shtrigat tërë natën. Tash edhe ajo është shtrigë dhe mbrojuni se mund t’iu bëjë dëme të mëdha!

-E morr biri im, m’u drejtua plaku me ofshamë, -vajza ime kurrë nuk u bë shtrigë. U martua dhe jeton me fëmijë por gjithmonë në kujtesa dhe në vuajtje. Njerëzit-shtriga, na e nxinë jetën. Vajzën tonë trembëdhjetë vjeçare, ia çuan në dorë armikut me uniformë…

(Vazhdon)