Metamorfoza nën pushtetin e qenieve të errëta (V)

Nga Reis Mirdita

-V-

Shtriga e shtrigana

Është bërë gati e përditshme, nganjëherë për humor e më shpesh për të shprehur një mospajtim me tjetrin që ia ngjisim cilësorin shtrigë/shtrigan (në vazhdim: shtrigë). Në radhët e rinisë e hasim edhe në raste mospëlqimi fizik të tjetrit duke i dhënë kështu, në mënyrë tejet të pasjellshme, kuptim fyes.

Përndryshe, shtrigat ekzistojnë në plotkuptimin e fjalës dhe janë gjithashtu në radhët e humanoidëve. Në zhargonin popullor por edhe nga disa pikëpamje të tjera shoqërore, si nga historia e rrjedhave të botës, si nga pasuria e gojëdhënave të përcjellura ndër brezni gjer më sot, ato janë në numrin e tyre më të madh ndër njerëzit e politikës, duke nisur nga të parë të mëhallës e gjer te kryetarë e mbretër.

Shtrigë njeriu nuk bëhet sa ora! Në fillim atij i paraqitet një dëshirë e pamposhtur që të bëjë një të keqe dikujt që e ka mëri nga ndonjë shkak i ndryshëm por duke mos pasur rrugë, nga mungesa e guximit ose thjeshtë nga mungesa e njerëzimit që ka nisur më herët t’i përzihet në trurin rrudhur mbrapsht, ku qendrat ngatërrohen dhe peshojnë nga nxirrja e jetës së tjetrit. Xhindet dhe perria të tjera hyjnë në përbërjen shpirtërore të personit në shtrigërim e sipër dhe bëjnë që çdo dëshirë e nevojë t’i duket bamirëse; edhe kur bën dukshëm keq, atij i duket sikur kjo ia vlen sepse ndihmuaka më të dobëtit e shpesh edhe tërë një grupi nevojtarësh. Kështu shtriga fillon të konsideroj veten si një zot të vërtetë në shërbim të një perëndie nga fron më të lartë. Nga do që të niset shtriga, qëllimi përfundimtar është i dëmshëm edhe pse dikush e merr si ndihmë por në ndërgjegjen e tij e sheh se dikah tjetër e bënë punën lëmsh. Nevojtarët ose cinikët janë klientela më e përhapur e shtrigave. Paguajnë sa të munden për t’ia arritur një qëllimi të vetin. E shtrigat janë të afërta me sihirbësë e sihirbëse sepse përveç lojërave të sojit të tyre, ato sihirin e kanë mjet të rëndësishëm në funksionimin e ndyrësirave ndaj njeriut dhe krejt gjallesave tjera. Ata që kërkojnë ndihmë te shtrigat, më kanë konfirmuar se aty u kërkohet të binë thonj, dhëmbë ose pëgatë humane e të shtazëve, si të ujkut, dhelprës, qenit, maces së zezë, urithit, korbit, hutit …, për ta përgatitur ilaçin mrekullibërës. Zakonisht këto gjëra ata s’i gjejnë dot dhe paguajnë çmim akoma më të majmë sepse këtë ua siguron “shpëtuesi”.

Shtrigat kanë qenë pjesë e oborreve të shumë mbretërve. Nga to është kërkuar mendimi për çdo vendim të rëndësishëm. Fjala e tyre i jepte dritë të gjelbër luftës, represionit, dënimeve të rënda si djegia, përvëlimi, varja dhe vrasja me torturë.

Pushtetarët e sotshëm janë gjithashtu “myshterinj” të shtrigave. I frekuentojnë shpesh; sa herë që kungulli nis të ju fundoset, shtrigat janë aty për t’iu ndihmuar. E shtriga ka boll në Tiranë, Prishtinë, Shkup e kudo nëpër botë. Për më tepër, shtriga ka edhe vet në mesin e tyre.

Për të mbyllur këtë kaptinë, të sqaroj akoma se shtrigat mendojnë se i kanë shtat çelësat e jetës në përgjithësi, gjë që nuk qëndron aspak sepse e kam vërtetuar para tyre të kundërtën por t’i shohim me radhë këta “çelësa” kurse për ballafaqimin tim me ta do të bëjë fjalë në vazhdimet e tutjemë:

  1. Të lindjes dhe vdekjes: Për gratë që nuk lindin ata e kanë mbyllur dhe ata mund ta çelin rrugën. “E kemi çelësin”, thonë shpesh. Sipas tyre, mund ta shkaktojnë edhe vdekjen e parakohshme për njerëz, për kafshë e për bimë;
  2. Sëmundja dhe shëndeti (gjithmonë sipas tyre): e sëmurin ose e shërojnë kë të duan, sidomos në aspektin shpirtëror;
  3. Mbajnë në duart e tyre fatet, mbarëvajtjen, aksidentet (psh. të dalin dhe të presin rrugën, me dukje të një mace të zezë dhe aksidenti është i paevitueshëm…);
  4. Martesat dhe dashuria: Martojnë ose dashurojnë njerëzit kë me kënd të duan dhe i ndajnë kur të duan. I zbusin gjakrat ose i egërsojnë gjer në tragjedi brenda familjes; prind, fëmijë, vëllezër, motra;
  5. Vendosin për mirëqenien dhe përparimin material e sidomos vendosin për gjendjen e kafshëve dhe të mbjellave të bujqve e blegtorëve.
  6. Kanë forcën e vjedhjes dhe bixhozit. Njerëzit që vjedhin apo luajnë bixhoz e kanë nga skamja dhe andaj iu ndihmojnë në dhuntitë e pasurimit ose së paku fitimit të lehtë.
  7. E dinë kush folën keq për ta dhe hakmerren mos Zot më keq.

Me gjithë këto shtat çelësa magjikë, shtrigat radhiten në vendin e fundit me forcën e tyre për të ndikuar mbi njeriun dhe qeniet tjera në botë. Është e vërtetë se janë shumë të përhapura dhe se kanë anëtarë të tyre në mesin e njerëzve, megjithatë ato ngelin pas të gjitha qenieve të tjera misterioze për të cilat bëhet fjalë në këtë vepër.

(Vazhdon)