Një kombinim i rrallë: njeri-shtrigë-xhinde -IX-

Nga Reis Mirdita

Prindërit e Xhanes dhe Dilit  nuk flinin. Fëmijët u vonuan. Afrohej mesnata e asnjë shenjë nga ta. Një erë zhurmëmadhe rrapëllonte gjësendet oborreve dhe rrugëve të fshatit. Errësira hutaqe sikur kënaqej në këtë rrëmujë të frikshme e mbi të gjitha, solli mjegulla të rënda! Shiu rriti zhurmën që mbretëronte dhe mbolli frikë mbi frikë në kasollen e vogël. Një zë sikur buronte nga ndonjë pus i paqenë në këto anë por faktikisht vinte nga shelgu i mbirë ca orë më parë, aty pranë vijës së ujit në oborrin grithur nga pulat qafëcullake. Vetëtima sikur donte t’ia shti flakën fushës e malit. Tash më askush nuk flinte. Fshatarët e zgjuar rinin brenda pa bë zhurmë. Disa luteshin Zotit e disa ashtu tinëz nga fëmijët pëshpëritnin në mes vete: “Ka lind ndokush *kopil!”, gjë që ishte vetëm një besëtytni e kotë. Kam kërkuar për këtë gjatë e në shumë skaje të Ballkanit por përveç dy-tre rasteve ku mund të ndërlidhej ndonjë eventualitet, asgjë tjetër të thuket e bindëse.

Por t’i kthehemi rrëmujës që vazhdimisht sundonte këtyre orëve të vona të natës. Në traun e vogël dhe rreth e rrotull shtëpisë-kasolle, pa ndërpre lëviznin xhinde e shtriga duke imituar zërin e Xhanes dhe të vëllait! Lëshonin rënkime epshesh për t’i çmendur prindërit e ngratë që pritnin kthimin e fëmijëve. Në një moment, të dytë dolën të shohin se ç’po ndodhte. Dëgjonin hangarizje nga të gjitha anët por nuk shihnin gjë të gjallë. Papritmas, disa hapa më larg, panë dy hije të afroheshin dhe, o Zot i Madh, ishin fëmijët e tyre, të strukur nga era e shiu; më në fund arritën. Disa të qeshura rospiançe që të ngrinin gjakun u dëgjuan nga gardhi i kalbur, gjysmë i rrënuar dhe krejt zhurma morri fund. Familja hyri në odën përdhese të shtruar me fier e me hasër…

Pasi shtrigat gjetën but në këtë familje skamnore, ato si të paskrupull që janë, vazhduan të tmerrojnë prindërit duke ua marr vajzën nga shtrati dhe e “shëtitnin” natën kah t’ua donte qejfi. Ajo ditën rrinte në një skaj të odës dhe nuk dinte më as për punë, as bisedë, as mikpritje. Qante pa ndërpre dhe shpesh ia niste me dënesë që dëgjohej gjithandej. As Dili nuk ishte mirë me shëndet por atë nuk e shqetësonin më. Edhe ai nuk fliste shumë dhe dukej disi i prekur në kthjelltësi të mendimeve. Shkonte përditë në mal për dru për fshatarët e kamur dhe fitonte ca para që i harxhonte nëpër do të thënë hoxhallarë, munxhitore e fallxhore për ta shëruar motrën. I punonte pa mëshirshëm varra e gjaktrazimit dhe pas të gjithave, për mos me i dhënë fund jetës së vet, e mbante dashuria e pastër që e kishte për prind e motër në kushte normale.

Gjatë kërkimit derman për Xhanen, një bashkëfshatare, haxhuze plakë, i kishte thënë të shkul shelgun se degët i shkojnë varur andej shtëpia s’shkon mbarë. Dili vendosi që të nesërmen në mëngjes të heq qafe shelgun por, oj punë e mallkuar; natën ëndërronte vetën me sëpatë dhe kazmë duke i rënë shelgut në trup e rrënjë dhe sa herë që i binte, rridhte gjak njeriu. U zgjua i tmerruar. Kur çeli mëngjesi,  ai nuk preku shelgun por shkoi në fshatin Z. tek një haxhuze që i thoshte vetes shpëtimtare e të sëmurëve dhe për habi, ajo ia lehtësoi mundimet shpirtërore vajzës dhe mandej me sihire të mëtutjeshme, ia futi xhindet në bark dhe e bëri për djalë të vetin që ishte njeri-xhinde. Xhanja nuk e kishte humbur bukurinë, shtat hedhur, u bë nusja më e pashme e fshatit Z. E burri ishte me nam të madh, punonte në pushtet. Xhanja u këndell por në shpirt ajo vuante. Vuante dhe nuk dinte pse. Me xhinde në bark, shëtiste natën dhe i shihte të gjitha të bëmat e burrit, xhindeve, periave, shtrigave, haxhuzeve … por ajo mbeti anësh tërë jetën. As bëri keq, as manipuloi. E matamorfozuar por e mbajti veten pa shkalluar në errësirë. Vitin e tretë të martesës, i lindi një fëmijë mashkull që ndoqi rrugën e babait si shërbëtor i pushtetit të huaj duke mbërri lart në shkallën e sundimit të dirigjuar nga njerëz të uryer. Me lindjen e fëmijës erdhi edhe një person në shtëpi; burri pruri një grua serbe, të lënë, e që gjithashtu ishte nga soji i xhindeve por që nuk u soll keq me njerëzit e rrethit.

Ndoshta bëjë mirë të cekë këtu, se të gjitha të dhënat e më sipërme, i dëgjova nga dy “ortaket” tash më në moshë të shtyrë. Nuk kishin fshehtësi në mes vete ngase i dinin gjërat pa i biseduar me njëra tjetrën andaj më përgjigjeshin bashkë në gjërat që doja t’i dija nga to. Nuk ka sekrete në mes xhindeve! Ani pas disa bisedimeve që pata me to, sikur me komandë të dyja më thanë:
“Je njeri fatlum, na dukemi të lumtura por…, nuk jemi. E dimë se je njeri që i lufton xhindet e na ato i kemi në bark, nuk mund të jemi të lumtura! Nëpërmjet bisedave me ty, na është shkarkuar një barrë e madhe! Sikur i jemi kthyer sadopak realitetit human!”

Në fund një sqarim të vogël: Prindërit e Xhanes, nuk i kam njohur. As vëllain e saj Dilin. Atij i lind një djalë e në krye të motmotit edhe një vajzë por nuk i gëzoi shumë. Gjithmonë sipas rrëfimit të Xhanes, ai ndërron jetë dyzet ditë pas lindjes së vajzës, në kushte të errëta, shumë misterioze por dhe tejet të rënda varfërie.

(Vazhdon)

*kopil: nga frëngjisht “copuler” , -çiftim (jashtëmartesor). Në shqip ndërroi kuptimin fillestar dhe thuhej për fëmijë të lindur nga prindër pa kurorë apo nga ndonjë dredhi tjetër jashtëmartesore. Termi është fyes dhe sot përdoret shumë rrallë.