MEHMET GRADICA (1913 – 1945)

Në 72- vjetorin e Luftës së Drenicës

Bedri TAHIRI

MEHMET GRADICA (1913 – 1945)

Mehmet Gradica u lind më 1913 në Gradicë të Drenicës, në një familje të varfër, por të ndershme, bujare, mikpritëse e luftarake. Babë Isufi e nënë Fata (bija e Brahim Lutës nga Gllanasella) patën tre fëmijë: Ukën, Mehmetin dhe Shehiden. Djaloshi hafif, me emrin Mehmet, edhe pse, në skamje e mjerim, rritej  me një shëndet të lakmueshëm.

Në moshën shtatëvjeçare vajti në shkollën e Dobrashecit, ku mësimi zhvillohej në gjuhën serbe. Ishte nxënës i shkëlqyeshëm, por nuk arriti ta përfundojë, sepse e përjashtuan si “kokëfortë” e i “papërshtatshëm”. Dëshira për të vazhduar më tutje nuk iu plotësua për shkaqe ekonomike…

– O burra, kjo nuk durohet! Me shkjet e pabesë nuk ka jetë!- shfrente vazhdimisht, nëpër ndeja e kuvende. Edhe pse i ri, qëndrimi i tij kishte efekt dhe një ditë përfundoi në burgun e Mitrovicës. Vërtet, që kur kishte ikur nga shërbimi i ushtrisë serbe, ai jetonte në ilegalitet. As prangat e rënda nuk ia shuan idealin liridashës. Një ditë theu derën e qelisë dhe u arratis. Që nga ai moment, armatoset, del në mal dhe nis jetën e komitit. Afër tetë vjet qëndroi në Shqipëri, ku ra në kontakt me atdhetarët: Alush Smajlin, Aziz Zhilivodën, Banush Sadllarin, Rexhep Gjelin etj. Gjatë asaj kohe i mbaroi edhe mësimet e mesme në shkollën e Tiranës.

Kur Gjermania sulmoi Jugosllavinë, më 6 prill 1941, Mehmet Gradica me njëzet e pesë luftëtarë kthehet në Kosovë me gradën e nëntogerit. Ata në fillim vendosen në Samadrexhë të Përmalinës së Vushtrrisë. Pas dy ditësh sulmojnë burgun e Vushtrrisë, ku serboçetnikët po mbanin mbyllur shumë shqiptarë. Dhe, vetëm pas dy ditësh, u shkon në ndihmë artakollasve për zprapsjen e çetnikëve të Kaliçaninit.

Pa humbur kohë hyn në shërbim të Qeverisë Shqiptare si postkomandant xhandarmërie në Mitrovicë, në Podujevë, në Stan Tërg, në Vushtrri, në Skënderaj. Më 1943, duke u bazuar në aftësitë dhe trimëritë e tij të treguara nëpër beteja të ndryshme, përparohet në toger. Emri i tij mori përmasa mitologjike dhe gati për të gjallë u shndërrua në legjendë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore Mehmet Gradica u tregua hero i vërtetë.  Ai, nuk luftoi për grada e për pasuri, por për një bashkim gjithëkombëtar. Ai kurrë nuk i besoi komunizmit, sepse, sipas tij, ai ishte një sllavizëm i rrezikshëm dhe për shqiptarët nuk sillte gjë tjetër veçse kob e fatkeqësi.

Më 1943, bashkë me Ahmet Selacin, formojnë xhandarmërinë dhe grupet e armatosura vullnetare për ta mbrojtur vendin nga harbutëria që rrinte e gatshme në veri të Shalës së Bajgorës.

Me sugjërimin e Xhafer Devës, trimi Mehmet Gradica i hyn një pune të madhe: organizimit të një ushtrie shqiptare, e cila do ta mbronte Kosovën nga komunistët e të gjitha ngjyrave. Ai, disa herë kaloi edhe në Shqipëri për ta penguar këtë fantazmë gllabëruese, që vinte nga Rusia staliniste. Këta ishin në lidhje edhe me të huajt. Pranë tyre qëndronte edhe gjermani Allojz Bergman, i cili emetonte lajme dhe informata…Madje, me gjasë, në rast nevoje, edhe Divizioni Skënderbeg do të vihej në shërbim të tyre

Kur po mbaronte Lufta e Dytë Botërore, dy vigajtë drenicas, Shabani dhe Mehmeti, i pari Komandant Suprem i BRIGADËS e i dyti zëvendës i tij, mblodhen mendjen dhe fuqinë dhe të bërë tok, sfiduan historinë. Pasi u kthyen nga Podujeva, luftuan, qëndruan, përballuan.

Erdhi edhe java e dytë e shkurtit 1945. Komandantët e Luftës së Drenicës, me rreth gjashtëdhjetë luftëtarë, ishin pozicionuar në tri kullat e Dvoranëve, në atë të  Hasan Sylës, Hajriz Dvoranit dhe të Zeqir Dvoranit, në Tërstenik. Nga frëngjitë e tyre jehonte kushtrimi: Liri a vdekje! Peter Brajeviqi, komandant i Divizioit 52 të Ushtrisë Jugosllave, po pëlciste nga inati që topat e tij nuk po bënin punë. Sakaq, gjylet e topit, të shënjuar nga syri i një shqipfolësi, shkatërruan kulmin e kullës së trimave. Trarët ranë mbi trupat e tyre. U plagos Shaban Polluzha! U plagos edhe Mehmet Gradica! Një copë e granatës ia kishte këputur këmbën. Por nuk jepej. Ashtu, me këmbën zvarrë, hipur mbi kalë, kapërceu tre rrathë, duke lënë shumë të vrarë e të plagosur. Në afërsi të shkollës së Dobrashecit, u lodh shumë. E pa veten në një pasqyrë dhe i mërzitur tej mase tha: “Heu Mehmet më mirë me të pas hangër qentë, se sa të hangrën komunistët çetnikë serbë

Edhe në ato momente, ishte 22 shkurti 1945, iu kujtua amaneti i Azem Galicës, që trupin e tij mos ta shihnin serbët as për së vdekuri.

Dhe, shokët besnikë: Isuf Gjilani, Brahim Luta, Rexhep Gjeli e Xhemë Zeqiri, në fshehtësinë më të madhe e varrosen në vreshtat e dajës së tij, Brahim Lutës, në vendin e quajtur Makresh. Njësoj kishin vepruar edhe me Shaban Polluzhën, trupin ia kishin hedhur në lumin Drenica.

Lexo edhe: Shaban POLLUZHA (1874-1945)