MEHË UKA, NJË KOLOS I RRUGËS ÇLIRIMTARE

Përvjetor:

Bedri TAHIRI

MEHË UKA, NJË KOLOS I RRUGËS ÇLIRIMTARE

Shala e Bajgorës, e gjendur në gardh me shkaun e pabesë, përherë çau shtigjeve të jetës me armë në dorë. Majat dhe shkrepat e këtyre tridhjetë e ca katundeve malore krenohen me trimëritë e Isa Boletinit, Jahja Kutllovcit, Bejtë Selacit, Kadri Bistricës, Bislim Bajgorës, Ahmet Selacit, Ukshin Kovaçicës etj. Lule që nuk do të vyshket kurrë mbetet edhe dëshmori i epokës së re, Mehë Ramë Uka.

Trung i lashtë trimërie

Oxhaku i Bali Bajgorës, kishte bërë emër jo vetëm në Shalë, por edhe më larg. Kulla e këtij ushtari të hershëm  të  Lidhjes Shqiptare të Prizrenit shërbeu si karakoll vëzhgues e mbrojtës  nga barbaria e shfrenuar serbe. Në këtë trung të lashtë trimërie, bujarie e burrërie buloi edhe fidani i ri, Mehë Uka. Ai u lind më 20 dhjetor 1962 në Bajgorë. Mësimet e para i mori në vendlindje, e nga klasa e shtatë në Mitrovicë. Edhe vitin e parë të shkollës së mesme e kreu në Gjimnazin e Mitrovicës, kurse tre vitet e tjera i vazhdoi në Gjimnazin matematikor të Prishtinës. Ishte nxënës i shkëlqyeshëm dhe i dashur për të gjithë. Që në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare filloi të bashkëjetonte me hallet e mëdha të popullit të vet të përvuajtur. Bisedat e gjata me shokët e idealit dhe kontaktet me literaturën ilegale, me revistat: “Shqipëria e Re”,“ Bashkimi “ etj.dhe me veprat historike:“Shota dhe Azem Galica”, ”Hasan Prishtina” e ndonjë tjetër brumosnin edhe më shpirtin e trazuar të gjimnazistit militant.

Dhe, në fillim të vitit 1997, në këtë shkollë, u formuan grupet e para ilegale, që bënin shpërndarjen e kësaj literature dhe propagandimin e idesë për çlirimin e popullit të robëruar nga  zgjedha serbosllave. Aty ishte edhe Meha, bile ai ishte zemra dhe shpirti i aksioneve. Më 6 qershor 1979, në prag të vizitës së Titos në Kosovë, me dy shokë, në Mitrovicë, shpërndau parulla dhe mbishkrimin kuptimplot: ”Trepça punon-Beogradi shfrytëzon”. Kjo i tmerroi armiqtë shekullorë dhe ua futi lepurin në bark…

Trimi i qetë, herë- herë, dinte edhe të shpërthente si vullkan. Profesorët i çmonte, por ndonjërit që merrte frymë qysh i diktonin nga lart, një ditë ua shkroi në dërrasë të zezë fjalinë: ”Profesorë të nderuar, ua tregoni të vërtetën nxënësve!” Tashmë shihej fare qartë se kishte filluar zgjimi i ndërgjegjes së popullit. Grupet ilegale kishin lëshuar rrënjë dhe shtoheshin çdo ditë. Trimin e ri nuk e tremben fare arrestimet dhe burgosjet e mëdha të vitit 1979. Ai luftonte për bashkimin e këtyre grupeve…

Çdo epokë i ka heronjtë e vet

Dhe, Pranvera e madhe  studentore ’81 djaloshin sypatrembur shaljan e gjeti të gatshëm. La mënjanë maturën dhe u vu në ballë të demonstruesve. Shpirti i tij luftarak shpërtheu vrullshëm më 26 mars dhe më 1 e 2 prill 1981. Paskëtaj nuk ndalet fare. Mjafton të përkujtohet aksioni të Shkolla Normale në Prishtinë, në fund të prillit 1981, kur me ca shokë vendosi telin në rrugë dhe vetura me policë u përplas në humnerë… Sakaq UDB-ja i bie në gjurmë dhe e dënon me dy muaj heqje lirie.

Në shkurt të vitit 1982, sërish arrestohet dhe dënohet me tetëmbëdhjetë muaj burg për veprimtari “armiqësore” dhe ngase ia kishin gjetur parathënien e librit “Këngët e lirisë”e materiale tjera të “ndaluara”. Pas daljes nga burgu iu nënshtrua provimit të diplomës, duke mbaruar me sukses të shkëlqyeshëm.Më pas e regjistroi Fakultetin e Shkencave Matematikore-Natyrore në Prishtinë, por gjendja e rëndë ekonomike dhe rrethanat e pavolitshme politike e detyruan ta linte përgjysmë.

Megjithatë, veprimtaria e tij atdhetare nuk pushonte fare. Përkundrazi. Arrestimet, bastisjet, burgosjet, torturat veçsa e sforconin dhe e kalitnin. Zemra e tij që moti rrahte me ritme trimërie. Në kullën prej guri, të gjyshit të tij, Bali Bajgora, njeriut që me shtatë plagë në trup kishte jetuar 120 vjet, pa e lëshuar bajrakun e Shalës nga dora, kishte dëgjuar këngë e rrëfime për të pavdekshmit. Isa Boletini e Azem Galica ishin idolë të tij për luftëra e sakrifica. Nga femrat adhuronte tej mase Ajeten e Demë Ahmetit (stërgjyshi i tij, Braha, kishte marrë pjesë në atë betejë, më 28 qershor 1811) dhe veçan Shotë Galicën, me emrin e së cilës e pagëzoi edhe të bijën e madhe…

Nga ky oxhak ishte edhe Behë Bajgora, luftëtari i shquar dhe anëtari i Komitetit Mbrojtja e Kosovës, i cili ra në luftë me xhandarët serbë. Madje, nga kjo derë fisnike, ishte edhe  trimi me nam, Ukshin Kovaçica- Bajgora. Pra, Mehë Uka s’ishte rastësi, por vazhdimësi e natyrshme e një tradite shekullore. Edhe qelitë e burgjeve serbe ia kishin drojën viganit të Kreshbardhës. Në janarin e egër të vitit 1984, sa ishte në shërbim ushtarak, në Kumanovë, dënohet me shtatë vjet burg. Stoicizmi i tij u bë shëmbëlltyrë qëndrese në kazamatet serbe. I paluhatshëm nëpër hetuesi e besnik i përbetuar ndaj shokëve të idealit.”Unë dua të qëndroj, të luftoj e ta çliroj Kosovën!”- i kishte thënë drejtorit të burgut në Sombor, kur ai i kishte propozuar që të ikte, me qëllim që pastaj ta vrisnin. Pas amnistisë së prillit 1990, edhe Meha lirohet. Çdo epokë i ka heronjtë e vet, i thoshte vetes, dhe mblodhi mendjen e fuqinë. Me ca shokë formuan Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilin për pak muaj e udhëhoqi vetë. Por, shumë shpejt u tërhoq, sepse pa se pacifizmi nënshtrues e ngulfaste çdo shkëndijë revolucionare. Mehë Uka ishte bërë halë në sy për armiqtë dhe bashkëpunëtorët e tij.

Puna e tij përcillej në çdo hap. Por, kot. Bashkë me Nuhi Berishën e Rexhep Malën nuk pushonin së vepruari në Partinë e Luftës. Gama e veprimit të tij ishte e pakapshme. E gjeje kudo, sa në Mitrovicë, sa në Prishtinë, sa në Drenicë, sa në Llap, sa në Prizren, sa në Ferizaj. Ideal i tij jetësor ishte çlirimi i trojeve shqiptare dhe bashkimi kombëtar. Me tërë qenien përpiqej t’i radhiste partitë politike në një front të përbashkët luftarak. Ai krijoi lidhje me dy bazat kryesore: me Drenicën (me Jasharët, Hamzën e Ademin) dhe me Llapin (me Zahir Pajazitin). Edhe si mësues në vendlindje qe i palodhshëm. Ku ishte Meha, ishte mirësia, harmonia, dashuria, uniteti…

Acari që solli pranverën

Dhe,vitet rridhnin lumë. Trimi nuk ndalej. Punët i shkonin mbarë e mirë. Misioni i tij i shenjtë: bashkimi i forcave çlirimtare fare afër realizimit. Kjo ia bënte zemrën mal. Sa s’fluturonte nga gëzimi kur e mori atë rrugë. As bora, as acari, që të grinte si me shpatë, nuk e penguan dot.

Ishte 29 dhjetori 1996. Posa i kishte mbushur tridhjetë e katër pranverat. Ah, dhjetorët e tij, përherë të acartë! Edhe kur erdhi në këtë botë qe acar. Edhe kur u martua qe acar. Edhe sot kur po nisej për atë rrugë të mbarsisë bënte acar i vërtetë. Ama, atë nuk e pengonte dot. Një gjë e tillë i pengonte lugetërit që s’flinin kurrë, andaj turr e vrap për të kurdisur  prita e kurthe. Kësaj here, oguri i zi, i ra hise Lushtës. Obobo!!! Bora dhe acari u bënë dëshmitarë memecë të vrasjes tinëzare… Heshtja mbuloi qiellin e Kosovës martire…

Lajmi i hidhur e i shtremëruar nga informacioni serb, se kjo ishte një fatkeqësi trafiku, tronditi dheun e shqipeve. E vërteta ishte krejt tjetërfare. Atë e vranë gjakatarët, sepse ai ua përgatiste varrin atyre. Dhe, krenaria qëndronte mbi dhembjen…

Varrimi i tij në Bajgorë, më 1 janar 1997, nuk kaloi në heshtje. Aty, me gjithë borën e madhe dhe policët e shumtë, kishte mbërritur e gjithë Kosova. Trupi i tij u paqëtua në gjirin e tokës mëmë, shpirti i bardhë vajti në amshueshmëri, kurse vepra e tij mbeti udhërrëfyese për brezat e ardhmërisë. Emri i tij u nderua dhe u përjetësua. Brigada 141 e UÇK-së e ZOSH-it, që nga themelimi e mori emrin “Mehë Uka”. Sot me krenari e mbajnë këtë emër edhe Qendra e Studentëve në Prishtinë,edhe shkolla fillore në Bajgorë, edhe sheshi kryesor në Mitrovicë, ku  shkëlqenë përplot krenari shtatorja e bukur prej bronzi, vepër e skulptorit akademik nga Tirana, z.Maksim Mero.

Dëshmorit Mehë Uka iu dhanë shumë Mirënjohje e dekorata nga QPK-ja,TMK-ja, nga Univesiteti i Prishtinës (“Student martir”), nga Shoqata e Invalidëve të UÇK-së etj. Për të janë shkruar monografi, janë thurur këngë e janë hartuar poezi. E shoqja, Resmia, një bashkëveprimtare e rrugës së tij, në librin “Mall lirie”, pos tjerash shkruan:

Ç’fjalë do të kishte amaneti yt

Të jetoje vetëm një ditë lirinë

Që i dhe djersën, gjakun, rininë..